BRENDËSIA E ULQINIT – NJË BUKURI E PAZBULUAR PËR TURISTËT

Të rrallë janë qytetet në tërë Mesdheun që kanë brendësi kaq të bukur dhe pjellore si Ulqini. Gjithçka që një turist apo vizitor i kohës së sotme duhet të ndjejë dhe përjetojë – nga natyra e bukur, kultura dhe tradita autoktone, deri te kuzhina lokale, mund ta bëjë këtu.

Këtu, për shembull, ndodhet Shasi (lat. Suacium), qyteti i vdekur më atraktiv në bregun e Adriatikut, burim i pashtershëm për arkeologët dhe historianët, dëshmitar i vazhdimësisë mijëravjeçare të jetës dhe qytetërimeve të mëdha në këtë territor.

Në mesjetë, Shasi kishte monedhën e vet (Sovacii civitas), stemat, shkronjëtoret (skriptoria) dhe demokracinë popullore. Në atë kohë, në kulmin e fuqisë së tij, ishte qytet më i madh se Kotorri, pra ishte qendra e një zone që mbante marrëdhënie të ngushta tregtare me Shkodrën fqinje, qytetin më interesant të Ballkanit Qendror.

Sipas gojëdhënës që daton në fillim të shekullit XVI, Shasi ka pasur 365 kishë, që përkon me numrin e ditëve të një motmoti. “Diç koha e diç pushtuesi kumbues, tani janë 365 plagë”, shkroi poeti.

Sot dëshmojmë për mbetjet e 15 kishave. Për mirëqenien materiale të qytetarëve të Shasit dhe afinitetet e tyre artistike dëshmon fakti se të gjitha ishin të zbukuruara me dekorim arkitektonik.

“Shasi ka histori të madhe, ende, për fat të keq, të patreguar. I tërë territori, me liqenin e Shashit dhe, veçanërisht, malin magjepsës të Sumës, është unik në çdo aspekt. Pas gati gjashtë shekujsh, mund të arrijmë në konkluzion se atje njerëzit jetuan me të gjitha të mirat dhe krijuan histori, kurse ne, në fillim të mijëvjeçarit të tretë, duhet ta zbulojmë, valorizojmë dhe t’ia prezantojmë vendasve dhe turistëve në mënyrën e duhur. Shasi së bashku me Kalanë e Ulqinit duhet të jetë marka jonë”, thanë nga Organizata Turistike e Ulqinit.

Ato deklaruan se do të shënojnë edhe shtigjet që çojnë në Sumë, nga ku shtrihet pamja e mrekullueshme e bregdetit të Ulqinit, deltës së lumit Bojana dhe krahinës së Anës së Malit.

Një atraksion unik është kanioni i Megjureçit, një perlë e vërtetë në mesin e kanioneve dhe potencial fantastik për të pasionuarit pas kanioneve. Konsiderohet si një potencial turistik për të varurit nga adrenalina, jo vetëm për shkak të formacionit të tij unik, por edhe për shkak të qasjes mjaft të lehtë dhe afërsisë me detin.

Foto: © www.dimitrijeostojic.com

Një pikë e pashmangshme për të gjithë vizitorët dhe turistët është Muzeu Etnografik, në fshatin Draginë, i krijuar nga shkrimtari dhe publicisti Hajredin Kovaçi .

Në afërsi, në anën tjetër të shpateve të Rumisë, ndodhet Liqeni i Shkodrës, një vend i preferuar për piknik për të gjithë mysafirët që vijnë në Ulqin. Lundrimi në këtë liqen, më të madhin në Ballkan, është përvojë që mbahet në mend përgjithmonë.

Teksti u krijua në kuadër të projektit për promovimin e potencialeve të bujqësisë dhe turizmit në Ulqin, të financuar nga Ministria e Kulturës dhe Mediave në kuadër të Fondi për Inkurajimin e Pluralizmit dhe Diversitetit në Media. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi e OJQ “Ul info” dhe jo domosdoshmërisht pasqyron qëndrimet e Ministrisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi