Së shpejti do të fillojnë xhirimet e filmit dokumentar “Familjet ulqinake në Durrës”, mëson Portali Ul-info.
Ky projekt do të realizohet nga Can Lazoja, kantautor i mirënjohur nga Ulqini, në bashkëpunim me Shoqatën e ulqinakëve në Durrës, në krye me Zyhni Beqiraj.
Projekti është përkrahur nga Fondi për pakica në Mal të Zi.
“Në Durrës do të bëjmë intervista në familjet ulqinake të cilët me plot krenari, që një shekull, ruajtën vlerat, kulturën, traditën. Familjet më të pasura të Ulqinit, pronarët e anijeve, pas mospajtimit të lundrimit nën bajrakun e Malit të Zi, u shpërngulën herës së parë në vitin 1878 dhe pastaj vazhdimisht deri në vitin 1932, kryesisht në Durrës dhe Shkodër”, thotë Lazoja.
Ai shtoi se premiera e këtij filmi dokumentar do jetë në Ulqin dhe në Durrës gjatë javës së shpalljes së pavarësisë së shtetit Shqiptar.