Vetëm me një klik në internet mund të bindeni që të gjitha komunat në Mal të Zi kanë miratuar planet strategjike të zhvillimit. “Plani strategjik nga njëra anë na definon vizionin, prioritetet strategjike dhe masat të cilat janë shprehje e dëshirave tona dhe mënyrës në cilën dëshirojmë këtë vizion ta arrijmë”, thonë përpunuesit e këtij dokumenti në Tivat. (nënvizoi MC)
Dhe shtojnë që Planin e sollën mbas pak më shumë se dhjetë muajve punë.
Dyfishi i kësaj kohë nuk i mjafton pushtetit aktual në Ulqin dhe ekspertëve të famshëm që ta sjellin këtë dokument të nevojshëm, i cili akoma më shumë fiton në rëndësi nëse dihet që Planin hapësinor-urbanistik e ka punuar Qeveria e Malit të Zi.
Në thelb, Plani strategjik është dashur ti paraprijë PHU-së, si fryt i dëshirave, nevojave dhe interesave të qytetarëve të Ulqinit. Vizioni dhe menaxhimi me proceset zhvillimore askujt nuk duhet ti lëshohet nga duart, sidomos jo politika e shfrytëzimit të hapësirës.
Nëse është fakt i njohur që një dokument të tillë mund ta punojnë grupi nga shtatë deri në nëntë njerëz për një vit punë të përkushtuar, atëherë vetëm një arsye imponohet si kryesore pse Ulqini tash 21 muaj pret planin strategjik, e kjo është MOSEKZISTENCA e vullnetit të udhëheqësve të komunës që ta miratojnë! Është e mundur që bëhet fjalë për padituri strategjike, siç e quajta këtë sjellje në një tekst në “Monitor”.
Pikërisht është ky kombinacion, mosekzistenca e vullnetit dhe padituria, barrierë e pakalueshme për zhvillim të mëtejshëm të Ulqinit në pajtim me interesat e një shumice të qytetarëve të saj, provë e përkryer që përgjegjësia më e madhe për gjendje të mjerueshme është në këtë komunë, e jo diku tjetër. Dhe që tregimet për dhjetëra milion investime të cilat, vetëm pak të presim dhe ato do të vërsulen në këtë komunë, shërbejnë vetëm si bombe tymi të fshehin këtë (mos)bërje, si dhe tentativë e lirë e blerjes së kohës në mënyrë që të qëndrohet në pushtet.
Sepse, ku tjetër mund të jetë problemi? Kush ndaloj apo ndalon që Plani strategjik i komunës së Ulqinit të miratohet? Pse opinioni publik nuk informohet për kët0 shkelje të rënda të të drejtave të vetëqeverisjes lokale, aq më shumë që obligimi ligjor i miratimit të këtij dokumenti ka kohë që ka kaluar?
Mustafa Canka