Qeveria e Malit të Zi ka miratuar Informatën dhe ka obliguar Ministrinë e ekonomisë që të iniciojë procesin e shkëputjes së Kontratës për qiramarrje të tokës dhe ndërtimit të centraleve me erë në Mozhur nëse investitori nuk dorëzon vërtetimin që ka dorëzuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për dhënien e lejes së ndërtimit.
Qeveria ka nënshkruar Kontratën për qiramarrje të tojës dhe ndërtimin e 23 centraleve me erë në lokalitetin Mozhur më 5 korrik të vitit 2010 me konsorciumin spanjoll-malazez “Fersa&Çelebiq” në përbërje të së cilit është “Fersa Energias Renovables” S.A. nga Spanja dhe “Çelebiq” DOO nga Podgorica.
Me kontratë është parashikuar ndërtimi i centraleve me erë me fuqi të instaluar deri në 46 MW, periudha e qiramarrjes është 20 vite, ndërsa qiraja vjetore është 186 mijë euro. Atëherë është thënë që bëhet fjalë për projekt me vlerë prej 75 milion euro, me të cilin do të sigurohej rryma për gati 15 mijë familje.