(Arsyetim per ndarjen e Cmimit “Teuta”,shkrimtarit te mirenjohur shqiptar Dritero Agollit)
Dritero Agolli, një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë shqipe, ndër individualitetet më kreativë të poezisë, prozës dhe të mendimit mbi aspektet shoqërore e krijuese të njëmendësisë sonë, me një bagazh aq të madh e kreativ të veprave, është bërë sinonim i vlerave të qëndrueshme të fushave krijuese në poezi, tregime, novela, romane, drama e tj. Ai, me bagazhin e tij krijues, u bë emblemë e kohës, si autor që krijoi një traditë të re të letërsisë shqiptare, që bëri, siç thuhet, të ndryshojë rrënjësisht traditën e vjershërimit shqip, meqë ai gjithmonë u cilësua me kërkesa të larta për poezinë, kërkesa këto të cilat i zbatoi praktikisht në vargimet e tij duke gërshetuar natyrshëm vlerat tradicionale të poezisë me mënyra të reja të shprehjeve poetike. Dritëro Agolli është një nga ata që i ka dhënë emrin kohës dhe jo koha emrin atij. Është padyshim personazhi më i spikatur i letrave shqipe.
Dritëro Agolli, që tashmë ka arritur mbi të tetëdhjet, ka një biografi të ngjeshur. U lind më 13 tetor 1931, në fshatin Menkulas të Devollit në qytetin e Korçës. Ai është sot 82 vjeç. Që nga mosha 25 vjeç jeton në Tiranë, në katin e tretë të një apartamenti në Rrugën e Dibrës. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, vazhdoi gjìmnazin e Gjirokastrës, një shkollë me mjaft traditë. Studimet e larta për letërsi i mbaroi në Petërburg. Ka punuar shumë kohë gazetar në gazetën e përditshme “Zëri i popullit”, dhe për shumë vjet ka qenë Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Dritëro Agolli hyri që në fillim në letërsinë shqiptare (vitet’60) si një protagonist i saj, duke i ndryshuar përmasën e së ardhmes. Agolli u bë poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore. Vepra letrare e Dritëro Agollit krijoi traditën e re të letërsisë shqiptare. Studiuesit që janë marrë me krijimtarinë e tij vlerësojnë se Agolli krijoi një model të ri vjershërimi në problematikë dhe në mjeshtërinë letrare, Thjeshtësia e komunikimit, mesazhet universale dhe shprehja e hapur e ndjeshmërisë janë shtyllat e forta ku mbështetet poezia e tij. Në prozën e tij Agolli solli risi lo vetëm në strukturën narrative, por dhe në galerinë e personazheve të veta. Ata janë sa të çuditshëm aq dhe të zakonshëm, sa tragjikë aq edhe komikë, sa të thjeshtë aq
edhe madhështorë. Frazeologjia e pasur popullore dhe filosofia jetësore e bëjnë përgjithësisht tërë veprën letrare të Agollit sot për sot ndër më të lexuarën.
Veprën e parë Agolli e botoi në vitin 1958. Është vëllimi i parë me vjersha “Në rrugë dolla”, i cili u prit mirë nga kritika e kohës. Më pas, sprova e dytë letrare është përsëri me poezi, vëllimi “Hapat e mia në asfalt”.
Dritëro Agolli ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve për 19 vjet. Ai u emërua në vitin 1973 dhe u tërhoq nga ky post më 31 janar 1992. Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm shkrimtari i madh, Dritëro Agolli, veç çmimeve të tjera, është vlerësuar edhe me titullin e lartë, “Nderi i Kombit”. Shkrimtari i njohur shqiptar,
Dritëro Agolli, është shpallur “Qytetar Nderi” i Tiranës në vitin 2003. Është fitues i katër çmimeve të Republikës dhe i disa çmimeve vjetore në Letërsi. Është anëtar i Akademisë së Firences “Muzat” në Itali. Përveç qytetit të Tiranës, ai është “Qytetar Nderi” edhe i qyteteve të Korçës, Gjirokastrës etj.
Nuk numërohen vlerësimet që i janë bërë legjendës së letrave shqipe. Ndër më të qëlluarit është vlerësimi i Fransua Nurisjes, i cili ka thënë se, “Agolli është Kafka, me pak më shumë diell”. Ndërsa Alen Boske shkruan për të se, “Shqipëria na zbulon një autor me përmasa të mëdha… Dhe dinamiti mbulohet me petale. Një autor që meriton famë evropiane”. Gjatë gjithë karrierës së tij artistike, Dritëro Agolli ka lëvruar këto gjini të letërsisë: poezinë, poemën, tregimet, novelat, romanin, dramën, skenar filmi, reportazhin, kritikën, analizën dhe raportin e lajmit.
Agolli së bashku me Kadarenë janë dy krijuesit që e ngritën letërsinë në nivelin e asaj ndërkombëtare. I përkasin brezit të shkrimtarëve të viteve 1960, që shpëtuan letërsinë nga dogmatizmi i realizmit socialist. Do thënë gjithashtu se, edhe Agolli, si shumë shkrimtarë të tjerë që vepruan në kohën e monizmit, nuk u kursya
nga censura komuniste. I janë ndaluar tre libra. I pari ka qenë “Zhurma e erërave të dikurshme”, në vitet 1960, drama “Mosha e bardhë” në vitet 1980 dhe një seri tregimesh në revistën “Nëntori”. Dy të fundit janë ndaluar gjatë kohës që ishte
kryetar i Lidhjes.
Shumë romane të Dritëro Agollit janë përkthyer në gjuhë të huaja. Por romani i tij satirik, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” është libri më i përkthyer i tij. Ky roman bëri jehonë të madhe në vendet ku u botua, si në Francë, Bullgari, Gjermani, Itali, Greqi, Rusi e vende të tjera.
Nga romanet e Agollit janë bërë një sërë filmash artistikë. Ndër filmat më të mirë janë “I teti në bronz” (romani “Komisari Memo”), “Njeriu i mirë”, “Apasionata”, “Njeriu me top”. 44. Shkrimtari i shquar, Dritëro Agolli, veç poezive, romaneve, tregimeve, ka shkruar edhe skenarë filmash. Filmi i parë për të cilin ai përgatiti një skenar dhe nuk shndërroi një krijim letrar në skenar ishte “Horizonte të hapura”.
Dritëro Agolli është i njohur dhe si përkthyes. Ka përkthyer nga anglishtja poezitë e poetit Robert Bërns dhe nga frëngjishtja poezitë e poetit Pol Elyear, i cili ka dhe disa poezi për Shqipërinë.
Ndërsa veprën më të madhe në përkthim Agolli e ka nga rusishtja. Botimi voluminoz, “Shekulli i artë”, është një nga më të arrirët artistikisht. Agolli ka përkthyer poetët më në zë të shekullit të 19-të në Rusi, si Pushkin, Ahmatova, Bllok, Lermontov dhe shumë të tjerë.
Duke u mbështetur në krijimtarinë aq voluminoze dhe të autoritetshme në aspektin e veçantive artistike bordi I ShRSh “Teuta” vendosi që çmimi “Teuta” sivjet t’i ndahet shkrimtarit te shquar,Dritero Agollit.
(Kontribuoi Ibrahim Kadriu)