Kryetari i Forcës së re demokratike Nazif Cungu ka reaguar në tekstin e botuar në gazetën ditore “Dan”, më 21.06.2014.
Reagimin e publikojmë në tërësi:
Në tekstin tuaj, si në shumë raste të tjera, tentoni që me senzacionalizëm të më diskreditoni si kryetarë i partisë më të madhe shqiptare në Mal të Zi; dhe një ndër veprimet më të dobishme të pushtetit që kam kryesuar, ta paraqisni si manipulim zgjedhorë dhe blerje votash.
Fillimisht, titulli nuk i përshtatet tekstit.
Në këtë mënyrë ju dëshironi që një kontroll rasti, që prokuroria ka për obligim ta kryej sipas aktakuzës së një shoqate jofitimprurëse, ta paraqisni si investigim spektakolar, ku do të zbulohet një krim i rëndë dhe manipulim zgjedhorë.
Për hir të informimit të saktë të lexuesve, duhet të kthehemi në vitin 2009, kur stuhia ka goditur fermat bujqësor në komunën e Ulqinit. Në atë kohë Komisioni komunal e ka vlerësuar dëmin rreth 500.000 euro. Pushteti komunal i asaj kohe ka marr vendimin për dëmshpërblimit në sasinë prej 50.000 euro ose 10%, dhe këto mjete janë paguar nga Ministria e financave. Mirëpo, pushteti i asaj kohe, si në shumë raste të tjera ka dëmtuar qytetarët dhe bujqit e mashtruar kanë qenë të detyruar të padisin Komunën në gjyq. Domethënëse është se në tekstin tuaj këtij fakti nuk i jepni rëndësi, por pikërisht këtu qëndron thelbi i problemit. Procesi gjyqësorë kërcënonte që komuna të paguaj më shumë, me shpenzimet gjyqësore dhe kamatat shumëvjeçare, sikur ne si pushtet të mos kishim nënshkruar Marrëveshjen që përmendet në tekstin tuaj.
Përndryshe , kur ne ishim në pushtet, procesi gjyqësorë ka qenë në fazën përfundimtare. Përveç borxhit fillestarë prej 50.000 euro, aty janë grumbulluar edhe shpenzimet e avokatëve , shpenzimet e gjyqit, kamatat. Komuna nuk kishte kurrfarë shansi të fitonte këtë lëndë gjyqësore, sepse Vendimi ishte i plotfuqishëm, atë e kishte nënshkruar Kryetari i komunës kurse mjetet i kishte paguar Ministria e financave dhe ishte çështje e momentit kur do të bllokohej xhiro-llogaria e Komunës për shumën totale.
Në këto rrethana ne nënshkruam Marrëveshjen për dinamikën e pagesës që ju përmendni në tekstin tuaj, ku jemi obliguar që borxhin e dëmshpërblimit bujqve t’ia paguajmë në tre këste, kurse bujqit kanë pranuar të heqin dorë nga kamata dhe pjesës dërmuese të shpenzimeve të avokatëve.
Keni të drejtë, për faktin se të hollat janë paguar në xhiro-llogari të OJQ Biznes klubi Ana e Malit, por secili bujk ka autorizuar këtë Shoqatë, për shkaqe praktike.
Këto janë faktet, shkaku i të cilëve unë apeloj që ju si gazetë serioze të hiqni dorë nga titujt bombastik dhe të verifikoni mirë faktet para se të sulmoni personalitetin e dikujt.
Kryetari
Nazif Cungu