Kryetari i Komunës së Ulqinit Nazif Cungu ka thënë se pushteti lokal po punon me përkushtim në zvogëlimin e shpenzimeve publike duke tentuar që nga buxheti i qytetit të eliminohen shpenzimet e panevojshme por edhe keqpërdorimet e mjeteve. Një qind ditë mbasi që u zgjodh për njeriun e parë të qytetit, Cungu i premtoi qytetarëve transparencë në punë dhe vendosjen e sistemit të ri të menaxhimit të administratës lokale.
“Kur flasim për këtë, mendoj për zvogëlimin e shpenzimeve publike, parandalimin e keqpërdorimit të mjeteve, këtu mendoj për ato që shpenzohen në udhëtime zyrtare por edhe në pika tjera të cilat vështirësojnë realizimin e buxhetit”, tha Cungu në konferencën e djeshme për shtyp, transmeton “Vijesti”. Duke rikujtuar punën e vetëqeverisjes lokale në periudhën që lamë pas, Cungu tha se në fokus është sezoni vijues turistik.
“Ftojmë qytetarët dhe përfaqësuesit e medieve që bashkë ta përcjellim sezonin turistik ashtu siç i ka hije qytetit tonë dhe të përpiqemi që të kemi rezultate sa më të mira sepse në vjeshtë na presin shumë punë”, tha Cungu.