Kryetari i komunës së Ulqinit Nazif Cungu ka deklaruar që garnitura momentale qeverisëse në këtë komunë ishte pjesërisht e suksesshme.
“E dimë si ishte situata para dy viteve. Borxhe të mëdha, mungesë e transparencës, korrupsioni, mungesë e planeve dhe i projekteve zhvillimore. Për dy vite një të tretën e buxhetit e kemi shpenzuar në kthimin e borxheve. Situata në këtë aspekt është më e mirë, por duhet të dimë që për dy vite nuk mund të përmirësohet gjithçka dhe të arrihet çdo gjë që është planifikuar. Mendoj që e ndaluam rënien e lirë të cilën e kishte kjo komunë, dhe e cili nuk mund të krahasohej me asnjë tjetër në Mal të Zi. nuk kishim kohë të realizojmë çdo gjë që planifikuam dhe për këtë na nevojitet një mandat katërvjeçar”, tha Cungu për “Dan”.