Problemet disamujore dhe marrëdhëniet e prishura ndërnjerëzore në Këshillin komunal në Ulqin, PDS dëshiron ti zgjidh me punësimin e kuadrove në institucionet shtetërore në qytet, shkruan “Dan”.
I tillë është, siç shkruan kjo gazetë, vendimi që anëtarë i Këshillit komunal të PDS-së Nail Rexha të punësohet në vendin e ndihmës drejtorit të Shtëpisë së shëndetit. Në këtë institucion po përgatitet konkursi për këtë vend pune, i cili përndryshe ekziston sipas sistematizimit, por është i paplotësuar më shumë se një dekadë. “Kam dëgjuar për këtë, por nuk e di a është hapur konkursi. Nëse hapet, patjetër që do të lajmërohem. “Nuk jam i punësuar dhe tash tre vite kërkojë punë dhe çdo mëngjes ndaloj në Entin e punësimit”, tha Rexha.
Informata “Dan-it” është vërtetuar edhe nga grupi i anëtarëve të pakënaqur të PDS-së, të cilët pohojnë që pak kohë më parë janë punësuar dy anëtarë të partisë. “Njëri i cili prej pak kohësh është në PDS është punësuar në Shtëpinë e shëndetit pa konkurs, ndërsa i dyti është punësuar në polici (MPB). Bëhet fjalë për njerëzit që janë të afërt me Nrekiqin. Ne rreth kësaj çështje lajmëruam drejtorin politik Tarzan Millosheviqin. Ne nuk kemi asgjë kundër që njerëzit të punësohen, por siç duket ato që nuk revoltohen, gjegjësisht heshtin për problemet e shumta kanë përparësi”, pohon njëri nga anëtarët e pakënaqur të PDS-së së Ulqinit.