DAN: Nuk kaloi betonimi i “mushkërive të qytetit”

Në shtator të vitit 2019, Qeveria e kaluar solli vendimin për hartimin e Planit Detaj Urbanistik “Pinjesh – Pylli i Pishave”, derisa tre muaj më vonë, Komuna, në ankandin publik, ia shiti Qeverisë Pyllin e Pishave për tre milion e gjysmë euro.

Këshilli për Revizionin e Dokumentit Planifikues dha mendim negativ pas kontrollit të Draftit të Planit Detaj Urbanistik “Pinjesh – Pylli i Pishave” – komuna e Ulqinit, shkruan në raportin e revizionit i cili u publikua më 20 tetor të këtij viti në faqen e internetit të Ministrisë së Ekologjisë, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit. Rikujtojmë që Qeveria e kaluar e Malit të Zi në shtator të vitit 2019 solli vendimin për hartimin e Planit Detaj Urbanistik (PDU) “Pinjesh – Pylli i Pishave”, si dhe vendimin për hartimin e PDU “Hotelet dhe vilat e kategorisë së lartë”, po ashtu në Pinjesh. Me kërkesë të nënkryetarit të Qeverisë Dr. Dritan Abazoviqit, Ministria e Ekologjisë, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit, në fillim të vitit ka ndërprerë procesin e sjelljes së Planit Detaj Urbanistik i cili, siç u tha nga Lëvizja Qytetare URA, ka paraparë urbanizimin dhe betonizimin e pakontrolluar të Pyllit të Pishave. Në përfundimin e Këshillit për Revizionin e Dokumentit Planifikues, i cili u formua më vonë, shkruan se “duke marrë parasysh mendimin negativ të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për Draftin e planit, është i nevojshëm organizimi i takimit me përfaqësuesit e Ministrisë së Ekologjisë, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit, Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Komunës së Ulqinit, Këshillit për Revizion dhe Përpunuesit e Planit ku do të shqyrtohen zgjidhjet planifikuese – teknike dhe do të sillet vendimi përfundimtar lidhur me hartimin e planit në fjalë”.

– Mendimi negativ i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave për Draftin (dhe fazat paraprake) e këtij dokumenti planifikues hap çështjet thelbësore të zhvillimit dhe rregullimit hapësinor të Ulqinit dhe të Malit të Zi. Në të vërtetë, porositësi i planit, duke u bazuar në planet e rangut më të lartë dhe politikën të cilën e zbaton në fushën e shfrytëzimit dhe rregullimit hapësinor, përmes detyrës programore, ka cekur mundësinë dhe nevojën e urbanizimit (ndërtimit) të hapësirës në fjalë, ndërsa Ministria e Bujqësisë thekson që kjo është në kundërshtim me planet e rangut më të lartë dhe me politikën që realizojnë në fushën e bujqësisë dhe pylltarisë. Këto fakte e kthejnë tërë punën fare në fillim: a duhet dhe pse duhet ndërtuar në kodrën e Pinjeshit (lokaliteti Pylli i Pishave), kur me planet e rangut më të lartë, sipas detyrës programore, kjo është e mundësuar. Të gjitha të përmendurat flasin për nevojën që këto çështje të shqyrtohen në nivelin e aktorëve kyç dhe me argumentim kompetent, me kusht që dëshirojmë të merremi seriozisht, e jo formalisht me planifikimin hapësinor – shkruan, në mes tjerash, në raport. Po ashtu, për dokumentin planifikues në fjalë – faza e elektroenergjetikës, operatori i sistemit shpërndarës nuk dha mendim pozitiv, ndërsa kapitulli “Struktura hidroteknike” u pranua. Qëllimi i hartimit të PDU-së, sipas mendimit të Qeverisë së kaluar, është që përmes analizës së përmbajtjeve të planifikuara, në pajtim me nevojat zhvillimore, të ofrohen zgjidhjet planifikuese me të cilat do të krijohen parakushtet për kapacitetet e reja të turizmit ekskluziv dhe vilat turistike, si dhe ruajtja dhe përshtatja maksimale e gjelbërimit vital dhe funksional, në zgjidhjet e reja urbanistike. Sipërfaqja e përgjithshme e hapësirës të cilën e përfshijnë këto dokumente planifikuese është 61 hektarë.

Rikujtojmë, Komuna e Ulqinit tre muaj më vonë, pas vendimit që të hartohet PDU-ja, përkundër protestës së një pjese të qytetarëve dhe të sektorit joqeveritar, në ankandin publik ia shiti Qeverisë Pyllin e Pishave për tre milion e gjysmë euro. Paratë u shfrytëzuan për zhbllokimin e llogarisë së Komunës. Qytetarët e Ulqinit disa herë shprehën kundërshtimin ndaj ndërtimit dhe çfarëdo planifikimit në këtë zonë. Disa qindra qytetarë të Ulqinit janë tubuar në protestën para ndërtesës së Komunës, fillimisht për shitjen e rreth 8.000 metër katror tokë të Komunës në Pyllin e Pishave, e pastaj edhe për shkak të paralajmërimit të Planeve Detaje Urbanistike për këtë zonë. Ulqinakët kanë kërkuar ndalimin e hartimit të PDU-së dhe vendosjen e moratoriumit në ndërtim në brezin nga ish – hoteli Galeb (vilat e prishura) deri pas hotelit “Albatros”, ndërsa peticionin e kanë nënshkruar disa qindra qytetarë të Ulqinit. Përndryshe, ky ambient unik bregdetar në prapatokën e plazheve të shumta tash shumë vite është i rrezikuar për arsye se pylli, si pasoj e erozionit të tokës, pakujdesit, shpesh dhe devastimit, është rralluar shumë në krahasim me vitet e mëhershme.

Ishte i paraparë ndërtimi i objekteve deri në P+5 kate

Nga Lëvizja Qytetare URA mendojnë që ndalimi i procesit të sjelljes së Planit Detaj Urbanistik është edhe një fitore e qytetarëve të Ulqinit të cilët protestuan kundër urbanizimit dhe devastimit të Pyllit të Pishave. Nga kjo parti theksojnë që, sipas planit, e tërë hapësira ishte e paraparë për ndërtim, deri në P+5 kate.

Artikulli u huazua nga gazeta “Dan”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi