“Asnjë marrëveshje konkrete nuk është arritur. Vazhdojmë me negociata”, mëson Portali UL-info nga pjesëmarrësi i takimit i cili të mërkurën në mbrëmje u mbajt në ndërtesën e komunës së Ulqinit.
Në këtë takim, qëllimi i të cilit ishte përpjekja për të gjetur zgjidhje për tejkalimin e krizës shumë mujore në funksionimin e qeverisjes së Ulqinit dhe zhbllokimi i Parlamentit lokal, kanë marrë pjesë kryetari i Ulqinit dhe lideri i Forcës Nazif Cungu, kryetari i Këshillit komunal të PDS Loro Nrekiq dhe lideri i Partisë demokratike Fatmir Gjeka.
Gjeka para kësaj në Podgoricë ka biseduar me nënkryetarin e PDS Svetozar Maroviq.
Jozyrtarisht mësojmë që PDS preferon që të formohet koalicioni i gjerë të cilin do ta përbënin të gjitha partitë dhe të cilat do të përgatisnin zgjedhjet, derisa Gjeka mendon që është më së miri që sa më parë të shkohet në zgjedhje. “Edhe ashtu jemi në vitin zgjedhor, kështu që shtyrja e votimeve për katër apo pesë, nuk nënkupton praktikisht asgjë”, tha ai.
Një është, megjithatë, e sigurt: pushteti komunal në Ulqin i cili u formua para saktësisht dy viteve nuk ekziston më.