Ndërtimin e xhamisë në Ranë e mundësoi pashai i Shkodrës Ibrahim Pashë Bushatlia (1797–1809), vëllai i Mahmut Pashës. Ibrahim Pasha u plagos rëndë në Luftën e Krusit (me Malin e Zi), më 1796, andaj dhe në shenjë falënderimi ndaj Zotit ndërtoi xhaminë. Ia kushtoi detarëve të Ulqinit të cilët dhanë kontribut të madh për suksesin dhe pasurinë e familjes së tij, prandaj edhe në popull ajo njihet si Xhamia e Detarëve. Me rastin e hapjes së xhamisë (rreth vitit 1798) urdhëroi që të ardhurat nga katër punëtoritë në Shkodër të ndahen mjete për mbulesën e shpenzimeve të saj. Mirëpo, ndodhte që pagat e të punësuarve në xhami të vonoheshin, andaj dhe imamët shkonin në qendër të Sanxhakut për të zgjidhë problemin.