Dosja e Veriut: Lidhja mes kompanisë së futur në listën e zezë të Amerikës dhe investimeve në Ulqin

Hulumtimi i emisionit “Kallxo Përnime” ka zbardhur skemën e bashkëpunimit të kompanive me pronarë shqiptarë me kompaninë “RAD”, e cila është futur në listën e zezë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka fituar shumicën e tenderëve për punë të hapura nga komunat e udhëhequra nga partia Lista Serbe.

Kompania “RAD”, pronar i së cilës është Radulle Steviq që është futur së fundmi në listën e zezë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si pjesë e grupit të Millan Radoiçiqit, e ka kontraktuar kompaninë “N.N.T A.B.C” me pronar Arben Jetullahun për të realizuar një numër të madh të projekteve kapitale në katër komunat me shumicë serbe.

“Kallxo Përnime” pas një hulumtimi njëvjeçar ka arritur të zbardhë bashkëpunimin që ka Arben Jetullahu, pronar i kompanisë “A.B.C” edhe me biznese që kanë afërsi me politikanë të fuqishëm të Kosovës. Jetullahu ka hapur kompaninë “Premium Bau” Sh.P.K. në Kosovë së bashku me biznesmenin tjetër, Bekim Pireva, që merret me prodhimin e asfaltit.

Një kompani me emër të njëjtë “Premium Bau Ulqin” e kanë të regjistruar në Malin e Zi, në të cilën Arben Jetullahu ka 33% të aksioneve dhe Bekim Pireva 34% të aksioneve. Në bazë të regjistrit të bizneseve të Malit të Zi del që në këtë kompani aksionar është edhe Idriz Thaçi, vëllai i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Kompania në të cilin është aksionar edhe Idriz Thaçi, vëllai i ish-presidentit Hashim Thaçi, është në finalizim të një kompleksi banesor në Ulqin. Ekipi i “Kallxo Përnime” e ka vizituar lokacionin në të cilin është duke u ndërtuar kompleksi banesor, i cili gjendet në afërsi të plazhit të madh në Ulqin.

I kontaktuar nga “Kallxo Përnime”, Arben Jetullahu ka thënë se Idriz Thaçin e ka partner të biznesit vetëm në kompaninë e regjistruar në Mal të Zi, që e ka emrin “D.O.O. Premium Bau” – Ulqin.

Ai ka thënë se janë në përfundim të kompleksit banesor që janë duke e ndërtuar në Ulqin.

“5,000 apo 6,000 metra katrorë janë në përfundim e sipër”, ka thënë Jetullahu për “Kallxo Përnime”.

Ai ka treguar edhe për shumën e parave që i kanë investuar në Ulqin së bashku me dy partnerët e tij, Bekim Pirevën dhe Idriz Thaçin.

“Përafërsisht kemi investu si person jo si kompani afër 500 mijë euro secili person”, potencon Jetullahu.

Idriz Thaçi aksionari i kompanisë  “Premium BAU” nuk ka dashur të flasë para kamerave. Thaçi ka kthyer një përgjigje për emisionin nëpërmjet asistentit të tij duke thënë se puna e vetme e tij e përbashkët me Arben Jetullahun dhe Bakim Pirevën është në qytetin e Ulqinit.

“Z. Idriz Thaçi merret me biznes që 40 vjet. Gjatë karrierës së tij biznesore ka bashkëpunuar me biznesmenë të shumtë vendorë dhe ndërkombëtarë. Z. Idriz Thaçi ka bashkëpunim biznesor me z. Jetullahu dhe z. Pireva vetëm në kompaninë “Premium Bau Ulqin”, në një projekt ndërtimor në Ulqin. Çfarëdo ndërlidhje tjetër që bëhet është tendencioze për t’i dhënë raportimit konotacion politik dhe për të ndërtuar insinuata publike, të cilat gjithsesi që do të kenë pasoja juridike”, thuhet në përgjigjen e dërguar për emisionin “Kallxo Përnime”.

Idriz Thaçi merret me biznes në Kosovë që një kohë të gjatë dhe ka hise në tri biznese. Ai ka 50% të aksioneve në kompaninë “Geo-Minerals” Sh.P.K.,  kompania “Geo-MInerals” ka në pronësi dy biznese të tjera, përkatësisht ka në pronësi kompaninë “Geomineral AG” Sh.P.K. dhe kompaninë “Gold Stone L.L.C”.

“Kallxo Përnime” ka kontaktuar edhe me aksionarin tjetër, Bekim Pirevën.

“I vetmi bashkëpunim i yni me z. Thaçi është në projektin ndërtimor në Ulqin. Të dhënat e kompanisë dhe aksionarëve janë të gjitha publike dhe online”, theksoi Bekim Pireva, drejtor i kompanisë “Premium Bau Ulqin”.

Bekim Pireva ka thënë se ka hapur biznese në Kosovë në të cilat është aksionar me qytetarë serbë, por thotë se ato nuk janë bërë asnjëherë aktive. Ai është aksionar me 70% të aksioneve në biznesin “Energy Power” Sh.P.K. me seli në Zubin Potok, në të cilën janë aksionarë edhe Bojan Jakshiq (20% të aksioneve) dhe Millovan Simiq (10% të aksioneve).

“Jemi vetëm tre aksionarë atje, unë bashkë me Arben Jetullahun dhe Idriz Thaçin, që të dy i njoh në Prishtinë kohë më parë. Po, Idrizi është vëllai i Hashim Thaçit, unë kam pasë edhe një kompani tjetër me disa serbë të Zupqit por nuk është më sepse nuk kemi mujtë me hapë fabrikën”, theksoi Pireva.

Kompania “RAD” dhe pronari i saj Radulle Steviq janë futur në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të ShBA-së së bashku me Millan Radoiçiqin, Zvonko Veselinoviqin, Sërgjan Vulloviqin, Zhelko dhe Andrija Bojiqin.

Në komunikatën e Departamentit amerikan të Thesarit, Veselinoviq identifikohet si udhëheqësi i grupit të krimit të organizuar dhe gjithashtu si një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë.

Grupi i krimit të organizuar, sipas këtij Departamenti, është angazhuar në një skemë ryshfeti në shkallë të gjerë me zyrtarë të sigurisë kosovare dhe serbe.

Sipas tyre, përmes ryshfetit, lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Grupi gjithashtu ka komplotuar me politikanë të ndryshëm në disa marrëveshje quid pro quo, duke përfshirë ryshfetin në fillim të vitit 2019 të zyrtarëve kosovarë të sigurisë për të lejuar operacionet e tyre të kontrabandës ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe ryshfetin e fundit të vitit 2017 të zyrtarëve kosovarë të sigurisë kufitare për të lejuar kalimin e sigurt për kontrabandistët”, thuhet në këtë komunikatë.

 

Historia e bashkëpunimit me kompaninë e futur në listën e zezë të ShBA-së.

Kompania “RAD” tenderët e fituar në komunat që udhëhiqen nga kryetarë që vijnë nga partia Lista Serbe i ka shpërndarë te kompanitë e tjera për t’i kryer punët dhe nënkontraktori më i madh i kompanisë ‘RAD’ ka qenë kompania “A.B.C” me pronar Arben Jetullahun.

Jetullahu ka sqaruar se si ka filluar punët në veriun e Kosovës në kohën e largimit të barrikadave në Veri.

“Në zonën e Mitrovicës së Veriut kam fillu prej vitit 2015 ose 2016. Partner me të cilin kam bashkëpunu me të dhe kam qenë nënkontraktor i tij në ndërtimin e rrugëve ka qenë Radulle Steviq. Personin e kam njoftë kur pata konkurru me një tender dhe nuk pata mujtë me marrë, ky më ka ofru bashkëpunim se nuk ka pasur makineri për ndërtimin e rrugëve dhe kemi bashkëpunu deri në ditën e djeshme”, ka thënë Jetullahu.

Ai ka thënë se e ka ndërprerë bashkëpunimin me kompaninë “RAD”, pas futjes së saj në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara.

“Në ditën e djeshme, pas publikimit të lajmit nga ShBA për kompaninë “RAD” unë i kam ndërpre dhe i kam lajmëru për të gjitha punët që i kam pasë”, tha Jetullahu.

Një kallxues, i cili ishte intervistuar duke iu ruajtur identiteti, ka treguar për “Kallxo Përnime” se shqiptarët kanë punuar edhe në projekte tjera në veri të Kosovës që janë financuar nga buxheti i Republikës së Kosovës apo nga ai i Serbisë. Ai ka thënë se punët rreth Liqenit të Ujmanit janë bërë nga shqiptarët. Pas përfundimit të këtyre punimeve, në vizitë në Ujman kishte bërë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Kur u ardh Vuçiqi këtu te Ujmani, u dashtë me kanë e përfundume gjithçka, nëse s’gaboj i ka pasë 2-3 muaj krejt me u kry. Kanë punu edhe natën për me kanë e kryme me datë kur ai ka pasë me ardhë, rrethojat janë të lyme me flamur të Serbisë, me dorë krejt qashtu i kanë ly, shqiptarët qaty, flamurin serb shqiptarët e kanë ly”, ka thënë ky kallxues.

Ai ka treguar se shqiptarët kanë punuar edhe në ndërtimin e përmendores së Car Llazarit, ndërtimin e infrastrukturës së ‘Luginës së Diellit”, ndërtimin e po ashtu shembja e murit të Mitrovicës, sheshin e Mitrovicës Veriore dhe shumë objekte tjera.

Për të gjitha këto pretendime “Kallxo Përnime” ka tentuar të kontaktojë edhe me Radulle Steviqin, pronarin e firmës “RAD” por ai ka qenë i paqasshëm dhe nuk është takuar në zyrat e kompanisë  së tij në Zveqan.

Kompani të tjera shqiptare që kanë punuar në veriun e vendit është edhe kompania ‘Komplast’, e cila ka bërë hapjen e pilotëve tek ura në Zveqan për të cilën ka pasur shumë reagime.

Pronari i kompanisë Gani Ibrahimi ka thënë se u kontraktua nga kompania “RAD” por ende nuk është paguar për punën e bërë aty.

“Prej kujt jemi paguar? Me thanë të drejtën prej askujt ende se borxh na kanë mbetë. Paj vallahi qajo firma qaty qajo që e keni përmend firma ‘RAD”. Hala s’i ka pagu, ku e di unë, s’i kena bo presion na hala edhe s’i ka ardhë rendi, ku e di. Kontratë nuk keni pasë më të, kështu zyrtarisht. Kemi bo profaturën po hala s’mu ka pagu”, ka theksuar Gani Ibrahimi nga ‘Komplast Group’

Edhe Ibrahim Kostanica, pronari i kompanisë “Iliria” në Mitrovicë, kompani kjo që merret me prodhimin e betonit ka treguar se kompania e tij punon me kompaninë “RAD”.

“Ne punojmë me atë kompani, ajo i merr tenderët nga Qeveria e Kosovës, pagesat na i bën përmes bankës dhe ne i bëjmë faturat, diku rreth 50 mijë euro në muaj i kemi punë me të”, thotë Kostanica. (Kallxo.com)

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Presidentja e Kosovës Osmani Sadriu: NË ULQIN NDIHEMI SI NË SHTËPINË TONË
Presidentja e Kosovës Osmani Sadriu: NË ULQIN NDIHEMI SI NË SHTËPINË TONË

“Në Ulqin ndihemi si në shtëpinë tonë. Falënderoj të gjithë ata që hapën shtëpitë dhe zemrat e tyre për mërgimtarët nga Kosova në vitin 1999”, tha Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu.

Ulqin: PARALAJMËRIM I ARDHJES TË ZINXHIRIT GJERMAN TË SUPERMARKETËVE
Ulqin: PARALAJMËRIM I ARDHJES TË ZINXHIRIT GJERMAN TË SUPERMARKETËVE

Zinxhir i njohur i dyqaneve ushqimore “Lidl” është i interesuar për hapjen e një objekti në Ulqin, mëson Portali Ul-info. Me këtë rast, drejtuesit e asaj kompanie kanë biseduar me kryetarin e Komunës së

Ana e Malit: Filloi ndërtimi i Qendrës së Komunitetit në Krythë
Ana e Malit: Filloi ndërtimi i Qendrës së Komunitetit në Krythë

Me date 2 shkurt 2023 është bërë betonimi i pllakës së Qendrës së Komunitetit Krythë. Ky projekt është një investim që po mbulohet në tërësi nga diaspora e ketijë komuniteti. Objekti ka një sipërfaqe mbi

CEDIS: TË MËRKURËN PA RRYMË NJË PJESË E KOMUNËS SË ULQINIT
CEDIS: TË MËRKURËN PA RRYMË NJË PJESË E KOMUNËS SË ULQINIT

Nga Sistemi malazez i elektroshpërndarjes (CEDIS) thanë për Portalin Ul-info se të mërkurën, më 8 shkurt, pa energji elektrike do të jenë këto vendbanime: në periudhën prej ores 8 deri në 14,00 – një pjesë

Presidentja e Kosovës në Mal të Zi: SOT NË PODGORICË, NESËR NË ULQIN
Presidentja e Kosovës në Mal të Zi: SOT NË PODGORICË, NESËR NË ULQIN

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, me ftesë të kryetarit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, po qëndron sot dhe nesër për një vizitë zyrtare në Mal të Zi. Presidentja Osmani Sadriu