Këto ditë shënojmë daljen nga shtypi numrit jubilar “Dija” 10.
Mbas themelimit të BKSH/MZ, në nëntor vitit 2002, në vitin e ardhshëm u botua numri i parë i revistës.
Qëllimet e BKSH/MZ: Kontinuiteti i kulturës të gjuhës shqipe në MZ, ofrimi që të gjithë shqiptarët të jenë në një organizatë. Organizimi i kulturës, shkencës dhe letërsisë. Të përcillen ngjarjet lidhur me kulturën dhe historinë e kombit shqiptar. Gjithashtu koordinimi me organizatat e tjera joqeveritare, pa ndikimin në pavarësinë dhe veprimtarinë e tyre. Organizimi i tubimeve profesionale dhe shkencore.
Po i numërojmë disa prej aktiviteteve të BKSHMZ: Përveç “Dijes”, me emrin të Bashkimit janë botuar më tepër se 20 libra në gjuhën shqipe. Është realizuar ekspozita e piktorëve shqiptarë në vitin 2003: në Ulqin, Tuz, Shkodër, Tiranë dhe Cetinë. Gjithashtu është bërë përurimi i shumë veprave të autorëve nga Ulqini, Shkodra, Tuzi e Prizreni.
Me 20.02.2003 është organizuar tubimi i parë për kthimin e Valdanosit.
Revista “Dija” është për art, shkencë, kulturë dhe letërsi. “Dija“, sipas kualitetit të vlerave që përfshin, numrit të rubrikave dhe të autorëve, me volumin e saj rreth 400 faqe, pa hamendje ka zënë vendin e parë të revistave të këtij llojit ndër shqiptarë. Deri tani janë botuar nëntë numra të kësaj reviste. Kjo revistë e BKSH/MZ kryesisht disponon me këto rubrika: Letërsi, Studime, Histori, Gjuhësi, Mjekësi, Etnografi, Arkitekturë dhe Vështrime, artikuj të veçantë. Siç shihet nga mozaiku i pasur i rubrikave që ka, kjo revistë është e hapur për çdo intelektual që krijon vlera të qëndrueshme në fushën e vet.
Deri tani “Dija“ është financuar prej disa sponsorëve. Ministria për Drejtat e Popujve Pakicë, në Qeverinë e Malit të Zi, kur ka qenë ministër Fuad Nimani, e ka mbuluar pagesën për daljen e dy numrave. Për këtë numër jubilar kemi konkurruar te Fondi për Pakica në Mal të Zi, në krye me drejtorin Safet Kurtagiq.
“Dija” nuk është revistë vetëm për një qytet, as për një lokalitet të caktuar. Redaksia gjithmonë ka qenë e hapur për autorët nga tërë pjesët e Malit të Zi: Ulqinit, Malësisë, Plavës, si dhe nga të gjitha vendet shqipfolëse: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni. Lirisht konstatojmë: “Dija” është gjithëshqiptare dhe gjithëkombëtare.
Dhe në fund: “Dija” nuk do të botohet pa angazhimin e gjithmonshëm të kryeredaktorit Hajro Ulqinaku i cilit i uroj shëndet dhe jetë të gjatë. Do ta përmend edhe redaktorin teknik Gazmend Çitaku i cili i radhiti të gjithë numrat e “Dijes”.
Dr. Prim. Gani KARAMANAGA