Dr. Mark Vuji: Roli i Hafiz Ali Ulqinakut në fushën e përkthimeve dhe të studimeve shkencore

Hafiz_Ali_Ulqinaku_393744204Në kuadrin e 160-vjetorit të lindjes së këtij personaliteti të shquar të kulturës sonë kombëtare, kemi bërë përpjekje për të studiuar sistemin e tij të punës krijuese e studimore, të cilin e mbajtëm në simpoziumin e organizuar në Ulqin nga Bashkësia Islame në Mal të Zi e Këshilli i Bashkësisë Islame – Ulqin dhe nga Bashkimi i Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi. Kur merr në dorë veprat e Hafiz Ulqinakut dhe kujton veprimtarinë e tij të dendur patriotike, fetare, gjuhësore e socialpedagogjike etj., lind natyrshëm pyetja se si u formua sistemi i punës i këtij personaliteti të shquar, që dha një rezultat kaq të madh në fusha të ndryshme të krijimeve artistike dhe të studimeve gjuhësore.

Ne jemi përpjekur që t’i japim një përgjigje kësaj pyetjeje. Po të shprehemi përmbledhtas, del se sistemi i punës krijuese e studimore i Hafiz Ali Ulqinakut lindi dhe u zhvillua në valën e përpjekjeve të rilindasve të fundit për ruajtjen e zhvillimin më tej të kulturës sonë kombëtare. Sistemin e punës së Hafiz Ali Ulqinakut e kemi parë në tre drejtime kryesore:

Së pari, flitet për përgatitjen e tij psikologjike, shkencore dhe tekniko-profesionale të Hafiz Ali Ulqinakut për t’ia hyrë kësaj pune të madhe.

Së dyti, jepet struktura e sistemit të punës së tij dhe karakteristikat kryesore të komponentëve të saj.

Së treti, kjo veprimtari vlerësohet në funksion të plotësimit të nevojave të kohës.

Për këto probleme do të shfaqen disa mendime, duke shpresuar se do të vazhdojnë të tjerët këtë punë me studime më të thelluara, sepse vlerat e sistemit të punës të mjeshtrave të mëdhenj përbëjnë një thesar të madh për teorinë e krijimit dhe në shkallë kombëtare e globale për të gjitha fushat e krijimtarisë njerëzore.

I

Përgatitja psikologjike e tekniko-shkencore

për të krijuar një sistem pune efikas

Hafiz Ali Ulqinaku ka qenë një vizionar i talentuar dhe një krijues e studiues i palodhur, që u mbështet fort në trashëgiminë kulturore të së kaluarës, jetoi aktivisht kohën e tij dhe punoi për të lënë një kontribut të mundshëm për pasardhësit në këtë fushë të rëndësishme të dijeve. Le të shikojmë auditorin e hapur social-kulturor, ku Hafiz Ali Ulqinaku u përgatit si krijues e punonjës shkencor, që shtrihet në tre qytete, ndër më të vjetrat në Europë: Ulqinin, Shkodrën dhe Lezhën. Hafiz Ali Ulqinaku u rrit dhe u formua në Ulqin, në gjirin e një qyteti vital, që shekuj me radhë ka qëndruar në kufijtë ekstrem të dy kulturave të mëdha: turke e venedikase dhe ia arriti t’u bëjë ballë me sukses sfidave të historisë, ruajti identitetin, gjuhën dhe traditat e tij. Këtë përfundim e vërtetojnë shumë dokumenta. Në radhë të parë po përmendim MESHARIN shqip, që u realizua më 1555 nga një djalë i kësaj treve, Don Gjon Buzuku, që dallohet për një gjuhë mjaft të sigurtë dhe për drejtshkrim relativisht të qëndrueshëm dhe, siç dihet, me të fillon jetën e saj letërsia shqipe. Të njëjtin gjë dëshmon më 1553 Sindiku Gjustinjani, që thotë se “në qytet ekziston demokracia e pastër primitive”, dhe se “Gjuha e Këshillit të madh të qytetit është shqipja e se ulqinakët janë shqiptarë.” Elvija Çelebia shkruan më 1662: “Ulqini është qytet i fortë e shumë i bukur.” Dhe, më tej, shton se qyteti ruhet nga 700 arnautë, siç thonë, të gjithë janë të vyeshëm, të guximshëm, të vendosur dhe njerëz trima.” Ulqinakët kanë bërë edhe një jetë gazmore, që ka ndikuar në formimin e shpirtit poetik të Hafiz Ali Ulqinakut. “Në kremtime e solemnitete, të cilat organizoheshin në shtëpitë e njerëzve të pasur, – thotë Mustafa Canka, – luhej muzikë vendase. Në këtë mënyrë u krijuan dhe u zhvilluan grupet lokale gjysëm profesionale, antarët e të cilave u bënë artistë popullorë.” Edhe në veprimtaritë kulturore, që u organizuan në nivel perandorie, ulqinakët u dalluan për krijimtari me cilësi të lartë. Në mes të 212 poetëve më të dalluar të perandorisë, një vend të rëndësishëm zë dhe krijimtaria poetike e ulqinakut Bali. Në Ulqin ka qenë i zhvilluar edhe mendimi teknik e teknologjik, që lidhej me ndërtimin e anijeve si dhe me artin e përdorimit të tyre në det për nevoja tregtare e mbrojtjeje. Leksikun që lidhet me këtë veprimtari, Hafiz Ali Ulqinaku e pasqyroi edhe në fjalorët e tij. Për plotësimin e sistemit të punës së tij, siç del nga shkrimet e studiuesit të mirënjohur, Sytki Malohoxha, ndikoi shumë vazhdimësia e jetës në Shkodër, ku veçse mbaroi shkollën dhe u bë mësues, u njoh dhe me mendimin intelektual të këtij qyteti të lashtë e me ndikim perëndimor etj., si dhe me personalitete të shquara, si: Daut Boriçi, Isuf Tabaku, Sheh Shumija etj. Edhe transferimi në Lezhë, ku qëndroi një pjesë të madhe të jetës dhe la pasardhësit, ku jetojnë edhe sot, i dha mundësi të njihet më nga afër me qytetin e “Besëlidhjes Shqiptare” dhe me idetë e “Kuvendit të Arbnit”, ku flitet edhe për shkollat e para të kësaj treve, si ajo e Pllanës, e Vetës dhe me kontributin e Kolegjit të Trashanit, që ishte në nivelin e një shkolle të mesme, ku kishte dhe një noviciatë, që parapërgatiste studentë që do të ndiqnin shkollat e larta teologjike jashtë vendit. Pati rastin që, në forma të ndryshme, të njihet me idetë e juristit Lekë Dukagjini, me kujtimet për piktor Aleksin e për leksikografin Frang Bardhi, me vlerat poetike e studimore të Pjetër Zarishtit, Leonard De Martinos, Gjergj Fishtës etj. Për këto probleme ka bërë studime më të thelluara prof. Tonin Çobani. Djali i tij, Hafiz Seiti, botoi Mevludin me alfabetin shqip. Hafiz Ali Ulqinaku, siç shihet, për sistemin e tij të punës, u mbështet fort, veç horizontit të tij shkencor si njohës i kulturës së madhe arabe, edhe në zhvillimet kulturore të këtyre tre qyteteve me histori të madhe.

II

Struktura e sistemit të punës të Hafiz Ali Ulqinakut

Kjo përgatitje serioze dhe zotërimi i gjuhëve të huaja: arabishten, turqishten, persishten dhe njohja e mirë e shqipes, bënë të mundur që ai të krijojë një strukturë solide të sistemit të punës së tij. “Çelësin e suksesit, – thotë sociopsikologu amerikan Chandler, – do ta gjeni kur të jeni përgatitur për të. Është diku duke pritur.” Hafiz Ali Ulqinaku ishte bërë gati me kohë dhe e gjeti çelësin e suksesit atje ku e priste. Bile kemi të bëjmë me një rast të veçantë. Ai u përgatit që në moshën shkollore për të realizuar përkthimin shqip të Mevludit e të Hytbenit, që prisnin dorën e mjeshtrit, që ishte ende nxënës, por me një potencë të madhe intelektuale, mund të themi të jashtëzakonshme. Po shikojmë disa komponentë të këtij sistemi pune brilante, që krijoi dhe aplikoi Hafiz Ali Ulqinaku në organizimin e jetës së tij shkencore.

  1. Së pari, ai shquhet për GUXIM SHKENCOR. Këtë e vërteton fakti që e zgjodhi në mes të 200 Mevludëve, që ishin botuar deri atëherë në letersinë artistike fetare turke, “Mevludin” e Sulejman Çelepiut, që ishte më i përsosur e si rrjedhim dhe më i vështiri për t’u përkthyer. Dihet se guximi shkencor ka rëndësi të jashtëzakonshme për të zgjidhur probleme të vështira, sepse ka fuqi të madhe motivuese. Goete thonte: “Çfarëdolloj gjëje që mund të bëni e ta ëndërroni, ju mund ta filloni atë. Guximi ka aftësi gjeniale, fuqi e magji në të, vetëm angazhohuni dhe mendja nxehet, fillojeni dhe pastaj detyra mund të përfundohet.”

Këtë rrugë ndoqi Hafiz Ali Ulqinaku për të realizuar përkthimin e Mevludit pra, guximi shkencor. Ai, duke u mbështetur në një përgatitje serioze të nivelit të lartë, ia doli ta realizojë me sukses. Kur informohesh se përkthimin e kësaj vepre madhore me ide të larta teologjike, psikologjike, filozofike e shumë të tjera, e realizoi një nxënës ulqinak pa mbarua ende shkollën, ndjen me të vërtetë një kënaqësi të madhe dhe kur lexon vlerësimin e lartë të Idriz Lames se “Versioni i Mevludit të Hafiz Ali Ulqinaku, që ai, edhe në ditët e sotme, është më i përsosur dhe më i përhapuri në gjuhën shqipe, kënaqësia kthehet në një krenari kombëtare.”

  1. Hafiz Ali Ulqinaku shquhet edhe për NDËRGJEGJE TË LARTË SHKENCORE. Ai, si pakkush, i drejtohet lexuesit: “Kushdo që të vëjë hesap ndonji hata/ M’e godit, ai që ta shohë i bëj rixha.” Kjo thirrje ia ka rritur shumë vlerën sistemit të punës së këtij krijuesi me shpirt të pastër dhe me devotshmëri të lartë shkencore.
  2. Hafiz Ali Ulqinaku është një personalitet i shquar shkencor me KARAKTER TË FORTË dhe i pakthyeshëm në punën që ka nisur. Ai e përktheu Mevludin, kur dihej se shkrimi shqip ishte i ndaluar dhe megjithatë, me krenari pohoi në parathënien e tij: “Atdheu dhe vendlindja ime është Ulqini, gjuha jonë është shqipja, shkruej e flas arabisht, turqisht dhe shqip”. Faik Luli e Islam Dizdari, që kanë realizuar studimin më të plotë deri tani për Mevludin e tij, shkruajnë: “Në parathënien shqip të Mevludit, poeti i thur lavde Allahut, Profetit Muhamet, por për çudi nuk flet asnjë fjalë për sulltanin Khalif.” Kurse Tahir Dizdari e thellon më tej këtë konkluzion: “Në veprën e tij, – thotë ai, – nuk ka asnjë gjysëm fjale kushtuar Sulltanit Khalif. Në kohën e Istibatit zor se ka mujt t’i shmanget ndonjë autor kryeneç librash, që kanë mujt të shohin dritën e botimit.”
  3. VETËMOTIVIMI zë një vend të rëndësishëm në sistemin e punës së tij. Ai e bindi veten se mund ta përkthejë Mevludin e Sulejman Çelepiut, pavarësisht se ishte i ndërgjegjshëm për shkallën e lartë të vështirësisë. Psikologët thonë se sfidat e vështira nxisin vetëmotivime të fuqishme, që sigurojnë rezultate të shkëlqyeshme dhe me Hafiz Ali Ulqinakun kështu ndodhi. Këtë e vuri në dukje Osman Myderrizi, kur thotë: “Zëvendësimi i turqishtes tek Mevludi dhe i arabishtes tek Hytben-i kishte rëndësi, sepse sillte me vete konsakrimin e gjuhës dhe të shkrimit shqip”. Kjo, për atë kohë, ishte një arritje e madhe, për të cilën luftuan të gjithë rilindasit tanë.
  4. Ai, në sistemin e punës së tij, ruajti me kujdes të madh RAPORTIN TALENT – PUNË, sepse udhëhiqej nga parimi i patundur se çdo gjë varet nga puna që bën njeriu. Kjo, siç dihet, ka shumë rëndësi. Malcolm Glladëell, psikolog amerikan, në librin e tij “Sekretet e suksesit. Të jashtëzakonshmit”, shkruan: “Arritja është talent, pa lënë mënjanë përgatitjen. Problemi qëndron, -shton ai, – se sa më shumë që psikologët studiojnë karrierat e të talentuarve, aq më i vogël duket roli që luan talenti dhe më i madh roli që luan përgatitja.” Tek Hafiz Ali Ulqinaku, talenti i shoqëruar me punë të dendur dha rezultate kulmore, që flasin për vlerat e sistemit të punës së tij.
  5. Hafiz Ali Ulqinaku ishte PLANIFIKUES SHKENCOR I KUJDESSHËM. Ai përcaktonte në kohën e duhur se çfarë do të bënte e ku do të shkonte. Psikologët, aftësitë planifikuese, i kanë quajtur “Mjeshtria e suksesit”. Kështu ndodhi dhe me të. Aftësia e tij parashikuese e krijuese bëri të mundur që të na japë një vepër me vlera të mëdha.
  6. Ai ishte MEDITUES i përsosur. Disa kujtojnë se Myftiu rrinte në breg të Drinit i vetmuar dhe kur e pyesnin se çfarë e shqetësonte, ai përgjigjej, asgjë. Në të vërtetë, në këtë kohë, ai mendonte me vete për gjërat që do të bënte. Kështu, thonë biografët e tij, vepronte dhe Isak Njutoni. Hafiz Aliu bënte të njëjtën punë, aktivizonte mendimin e tij krijues. Thonë se të urtët indianë, këtë aftësi të qenieve njerëzore e kanë zbuluar para 5000 vjetësh.
  7. Hafiz Ali Ulqinaku ishte VIZIONAR I PANDALSHËM, që i hapte vetes fronte të reja pune dhe zbulonte në kohën e duhur mjetet dhe rrugët për t’i bërë ato realitet sa më shpejt që të ishte e mundur. Ai realizoi vizionin e tij, që besimtarët ta këndonin Mevludin shqip, si nevojë për të kuptuar më mirë mësimet e Profetit Muhamed. Ky element përbën një nga vlerat kryesore të sistemit të punës së tij.
  8. Ai ishte i bindur se SUKSESI ËSHTË SHPËRBLIMI i një pune, që bëhet me vetëdisiplinë shkencore të fortë dhe cilësi të lartë. “Çelësi i suksesit, – thotë Napoleon Hill, – është as më shumë, as më pak, por disiplina vetjake e nevojshme, që ju ndihmon për të marrë kontroll të plotë mbi mendjen tuaj.” Këtë aftësi, Hafiz Ulqinaku, e gëzonte plotësisht. Këtë e vërteton vepra e tij cilësore, që na la.
  9. Aftësia e Hafiz Aliut PËR T’U PËRQËNDRUAR tek gjërat kryesore e fuqizoi sistemin e punës së tij. Siç e dimë, Goethe këshillonte që “Gjërat që kanë më shumë rëndësi, nuk duhet t’i lëmë në mëshirën e gjërave që kanë më pak rëndësi.” Ai përcaktoi qartë dy qëllimet e tija kryesore:

E para lidhet me kujdesin për të ndihmuar njerëzit që të ruajnë qetësinë e tyre shpirtërore, pavarësisht se cilit besim i përkasim, gjë që hedh dritë mbi shpirtin e tij tolerant. Mjaft kristianë konsultoheshin me atë për shqetësimet personale.

E dyta, ai punonte me këmbëngulje në fusha të ndryshme të kërkimit shkencor për të gjetur ato gjëra thelbësore, që u mungonin njerëzve. Ky përqendrim i prerë në këto dy objektiva, e ndihmoi atë që të formohet si udhëheqës shpirtëror i bashkëqytetarëve të tij dhe si krijues e studiues i shquar në fusha të ndryshme të gjuhësisë. Ai na la modelin e krijimit të marrëdhënieve në mes të njerëzve si dhe shpirtin këmbëngulës në studimet shkencore.

  1. Si njeri me karakter të fortë, ishte OPTIMIST dhe nuk e lejonte veten të zhytej në pesimizëm, sepse kishte besim tek forca e mendimit dhe e veprimit pozitiv, që bën të mundur zëvendësimin e të keqes me të mirën dhe të vjetrës me të renë. Ai ishte kundër pasivitetit, që i hap rrugën dështimit, që shkatërron personalitetin e njeriut. Ende kujtohen këshillat e tij “Shpresa tek e mira ka selametin”.
  2. Ai, idenë themelore etnopedagogjike “PUNËN E SOTME MOS E LE PËR NESËR”, e vuri mu në themel të sistemit të punës së tij. Nga çdo ditë përpiqej të merrte maksimumin e mundshëm. Kjo na kujton porosinë që i dha djalit të tij, babai i John Voodenit, legjendës së basketbollit amerikan: “Bëje çdo ditë të jetës tënde një kryevepër!”, që do të thotë se kështu mund të sigurohet një jetë e tërë e suksesshme. Hafiz Ali Ulqinakut nuk i mungonte gadishmëria dhe aftësia për të plotësuar një kërkesë të tillë me vlera të jashtëzakonshme.
  3. Hafiz Ali Ulqinaku ka pasur KËRKESA TË FORTA NDAJ VETVETES. Ai kontrollonte me korrektësinë më të madhe çdo veprim që kryente dhe analizonte sistematikisht rezultatet e punës që bënte. Ky vetëvlerësim i fuqishëm bëri që ai të mbajë nën mbikqyrje të vazhdueshme efiçencën e sistemit të punës së tij.

Ky qëndrim i prerë ndaj vetvetes, i dha mundësi që të dalë gjithnjë fitues.

  1. Vlerat e padiskutueshme të veprës së Hafiz Ali Ulqinakut, dëshmojnë se ai ka qenë një krijues e punonjës shkencor me VULLNET TË MADH. Psikologët thonë se vullneti është i qëllimshëm e i vetëdijshëm dhe asgjë nuk bëhet pa vullnetin tonë, sepse ai është i lidhur me disiplinën vetjake. “Vullneti njerëzor, thotë Coëey, autori i veprës së famshme “7 zakonet e njerëzve të suksesshëm”, është një gjë e habitshme, herë pas heret ka triumfuar kundrejt ndryshimeve të pabesueshme.” Edhe rasti i Hafiz Ali Ulqinakut është i veçantë, duke qenë ende i padiplomuar, përktheu me cilësi të lartë një kryevepër të kulturës islame, Mevludin e Sulejman Çelepiut, që i kushtohet profetit Muhamed. Kjo me të vërtetë është diçka e habitshme.
  2. Në fund, mund të themi se Hafiz Aliu e njihte mirë dhe RELAKSIN AKTIV. Ai e kishte shtëpinë në një mjedis të bukur natyror, në breg të Drinit, ku bënte shëtitje të këndshme e çlodhëse. Herë – herë thonë se bashkëqytetarët e tij e merrnin në barkat e tyre dhe e zbavisnin, duke lundruar nëpër rrjedhën e lumit, që i dhuronte kënaqësinë e freskinë e nevojshme. Shpesh ngjitej dhe në kala. Njerëzit e mëdhenj kanë gjetur gjithnjë forma relaksi interesante për të mbushur pushimet e vogla. Çurçilli pikturonte, Ajnshtajni i binte violinës. Hafiz Ali Ulqinaku kishte zgjedhur soditjen e natyrës së bukur lezhjane.

III

Krijimtari në funksion të nevojave të kohës

Hafiz Ali Ulqinaku i kishte vënë vetes si qëllim që krijimtaria e tij të sillte në jetë gjëra që i plotësonin nevojat njerëzve. Ai zbatoi me korrektësi këtë kërkesë tepër të rëndësishme. Mustafa Canka, tek libri i mrekullueshëm “Ulqini në Perandorinë Osmane”, thotë: “Ali Ulqinaku është figura më e rëndësishme, që u lind në Ulqin, kishte njohuri enciklopedike. Në kohën kur shkolla kishte nevojë për alfabet, ai e shkroi, kur u paraqit nevoja për libra me tematikë fetare e arsimore, ai i përktheu, i përgatiti dhe i plotësoi me materiale origjinale, kur shkollave u duheshin mësues, ai e bëri këtë punë.” Ky përfundim vërteton plotësisht se sistemi i punës i Hafiz Ali Ulqinakut ka qenë funksional e produktiv i nivelit të lartë. Më në fund, mund të themi se ai, me një talent të fuqishëm e me një punë të cilësisë së lartë si dhe me një vullnet të fortë, krijoi një sistem pune produktiv në fushën e krijimtarisë artistike dhe të kërkimeve shkencore, që duhet të studiohet më tej, me qëllim që të njihen të gjitha vlerat e tij.

* * *

Intelektualët e sotëm ulqinakë, duke ndjekur shembullin e paraardhësve të tyre, Don Gjon Buzuku, Afiz Ali Ulqinaku etj., secili në profilin e vet, po përpiqen të kontribuojnë për ta bërë Ulqinin, këtë perlë të Adriatikut, gjithnjë e më të fortë e më të bukur për të gjithë qytetarët e tij.

(Me rastin e 160-vjetorit të lindjes të “Mësuesit të Popullit”, Hafiz Ali Ulqinaku)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi