Dr. S.Osmanoviq: REFLEKSIONET GJEOMETRIKE TË PIKTORIT QAZIM MUJA

 

Sabina Osmanoviq, Sabina OsmanovicMagjepsja e piktorit Qazim Muja nga kaltërsia e detit është e shprehur në tablotë emblematike, të cilat mbajnë titullin “Refleksione”. Në spektrin e gjerë të ngjyrave mbizotëron ajo blu në gjithë nuancat e saj. Blu, ngjyra që njëmendëson detin dhe qiellin.

Teknika e përdorur është vaji dhe akriliku, shpeshherë dhe teknika e kombinuar. Në dallim nga cilklet e mëhershme të krijimtarisë së Mujës, ku kryesisht dominojnë imazhet dhe motivet mitologjike, në këtë cikël ndjehet fort ndikimi i piktorit francez Cezanne që bëhet shumë i qartë në stilin e ngarkuar dhe dinamikën e formave gjeometrike.

Funksioni i figurave gjeometrike në këto piktura është sublim; dominon katërkëndëshi, e që në botën e shenjave simbolizon perfeksionin tokësor, ashtu siç rrethi perfeksionin qiellor. Nga këto lloj simbolesh metafizike lind dhe vetë emri i ciklit, si refleksione në kuptimin filozofik. Këto piktura transmetojnë një botë plot ngjyra e tone melankolike. Format kubike si dyer a dritare janë vazhdimisht të pranishme, por të padepërtueshme. Këto forma të cilat herë-herë të duken sikur janë në ndërtim e sipër, herë sikur janë duke u zhbërë, në vetvete krijojnë një kompleks fragmentesh që Muja do ta quante “defragmentim shpirtëror”. Këto kompozime ekuivoke reflektojnë përpjekjen e vazhdueshme të individit për të krijuar një tërësi.

Arti pamor është mbase dimensioni i vetëm para të cilit fjalët rezignojnë sepse tek çdo individ provokon një ndjesi ndryshe. Muja me tablotë e tij eksperimentale përcjell mesazhin e procesit të mundimshëm të krijimit: me brushën e tij, ai na dikton se të krijosh do të thotë të ndiesh, të përjetosh, të shkëputesh nga realiteti i përditshmërisë dhe të kërkosh lirinë e skajshme e cila te piktori, rëndom, fillon dhe përfundon në një tablo të pëlhurtë.

(Fjala e mbajtur me rastin e hapjes së ekspozitës së piktorit Qazim Muja në Galerinë “Kulla e Balshajve” – Ulqin, në kuadër të manifestimit “Kalimera Poetike 2016”)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi