E.Bakalli: FËMIJËT NË ULQIN MË SË SHPESHTI KOMUNIKOJNË NË GJUHËN ANGLEZE

Stafi arsimor i shkollave të Ulqinit pajtohen se vitet e fundit, me zhvillimin e teknologjisë, fëmijët i flasin shumë më mirë gjuhët e huaja se në periudhën e mëparshme, në veçanti gjuhën angleze. “Me mësimin e gjuhës së huaj fëmijët zhvillojnë aftësitë e veta mentale, u hapen mundësitë e komunikimit në nivel global dhe të studimit në universitetet botërore. Nga ana tjetër, kjo patjetër ndikon në njohjen më të dobët të gjuhës amtare dhe të shprehurit në të, mirëpo ky është rezultat se gjeneratat e reja kalojnë gjithnjë e më shumë kohë në telefon, tablet dhe kompjuter”, thotë mësuesja e gjuhës angleze në Shkollën Fillore “Boshko Strugar”, Semra Dobarxhiq.

Anketa e realizuar nga Ul-info kishte rezultate interesante. Në Ulqin gati 91.8% e nxënësve të shkollës fillore flasin gjuhën angleze. Në komunikim me më të mëdhenjtë se vetja fëmijët kryesisht përdorin gjuhën amtare, mirëpo përgjigjet janë interesante tek pyetja për komunikimin me moshatarët. Të anketuarit të cilët e kanë plotësuar anketën në gjuhën malazeze thonë se fëmijët me moshatarët e tyre flasin në gjuhën amtare – 70 për qind, gjersa tek fëmijët e të anketuarve në gjuhën shqipe, përdorimi i gjuhës së angleze gjatë komunikimit me moshatarët është pothuajse i njëjtë me përdorimin e gjuhës amtare – 54% e fëmijëve komunikojnë në gjuhen amtare ndërsa 46% në gjuhën shqipe.

Po ashtu, shumica e atyre që e kanë plotësuar anketën në gjuhën shqipe mendon se gjuha amtare lihet pas dore nëse në komunikimin e përditshëm mbizotëron gjuha angleze, gjersa të anketuarit që plotësuan pyetësorin në gjuhën malazeze nuk ndajnë të njëjtin mendim.

Rezultatet e anketës tonë tregojnë se rreth 60% e qytetarëve/eve të Ulqinit konsiderojnë se gjuha angleze duhet të jetë lëndë prioritare në arsimin fillor.

“Përdorimi i gjuhëve të huaja, kryesisht i gjuhës angleze, është një dukuri shumë e shpeshtë tek nxënësit e moshave të vogla”, thotë mësuesja në Shkollën Fillore “Marshall Tito”, Shefkije Sallaj.

Sipas fjalëve të saja, kjo është e lavdërueshme, mirëpo gjuha amë duhet të ketë përparësi.

“E kam vërejtur që nxënësit në mes veti shumë shpesh komunikojnë në gjuhë angleze Ka edhe prej atyre që mendojnë në anglisht dhe kur dëshirojnë të shprehen e përkthejnë mendimin në gjuhë që i pengon të flasin rrjedhshëm. Më duket se kjo dukuri pjesërisht paraqitet për arsye se fëmijët nuk komunikojnë shumë me prindër dhe rrethinë, por më tepër e kalojnë kohën në telefon dhe pajisje tjera teknologjike që i largon nga jeta reale e i çon në atë virtuale”, vlerësoi Sella duke shtuar se pret përkrahjen më të madhe nga prindërit për mënjanimin e kësaj dukurie.

Psikologja në Shkollën Fillore „Marshall Tito“ Valona Osmani thotë se çrregullimet e të folurit janë dukuri e shpeshtë dhe mund të lidhen me përdorimin e tepruar të pajisjeve elektronike, prandaj është tejet e rëndësishme që prindërit t’i vërejnë në kohë shenjat tek fëmijët e tyre në mënyrë që të reagohet në kohën e duhur.

“Çrregullimet e të folurit prekin ndjeshëm një numër të konsiderueshëm të fëmijëve të cilët kanë vështirësi në kuptimin dhe artikulimin e fjalëve për tu shprehur në formë korrekte. Shpesh herë fëmijët të cilët kanë çrregullime në të folur reagojnë vrullshëm, me agresivitet dhe janë më të ndjeshëm nga ana emocionale për shkak se kanë vështirësi të shprehin veten dhe të kuptojnë të tjerët”, pohon ajo.

Osmani po ashtu thekson rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet prindërve, me të cilët fëmija kalon më shumë kohë, dhe profesionistëve – psikologëve, logopedëve ose defektologëve, për tejkalimi e këtij problemi.

“Ndërhyrja e hershme nga specialisti është gjithmonë rezultative. Po ashtu është e këshillueshme që të eliminohen sa më shumë pajisjet elektronike dhe të nxitet sa më shumë dialogu interaktiv me fëmijët. Mirëpo, duhet pasur parasysh se asnjë fëmijë nuk rritet me të njëjtin ritëm si një tjetër. Të gjithë kanë ritmet e tyre evolucionare që duhet të respektohen për të siguruar që ata po zhvillohen vërtet në mënyrën e duhur”, përfundon Osmani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi

Intervista e parë e kryetarit Omer Bajraktari: GJENDJA NË KOMUNË, VIZIONI I ZHVILLIMIT, PLANET…

Ulqin: Kumtesë mbi aktivitetin e Komunës

Shërbimi i Mbrojtjes dhe Shpëtimit të Komunës së Ulqinit niset në ndihmë në qytetin e Shkodrës. Pas zjarrit që ka kapluar një lagje në Shkodër dhe me kërkesë të Kryetarit të Bashkësisë Shkodër z.Benet Beci