Edhe pse ekzistojnë programet e shumta të shtetit i cili, përmes bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe sektorin civil, punon për integrimin më cilësor të romëve dhe përmirësimin e gjendjes së përgjithshme të komunitetit rom dhe egjiptian, duket se hapat që ndërmarrim si shoqëri për të bërë ndryshime pozitive në këtë fushë janë, nëse jo të padukshme, atëherë shumë të imët dhe të ngadalshëm.
Në territorin e Komunës së Ulqinit, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, jetojnë rreth 250 përfaqësues të popullatës rome dhe egjiptiane (RE), edhe pse të dhënat jozyrtare tregojnë se bëhet fjalë për numër shumë më të madh. Ky komunitet ballafaqohet me problemet e shumta serioze siç është statusi i parregulluar juridik, lypësaria, çështja e parregulluar e strehimit (banimit)…
Përparimi më i madh, edhe pse jo në masë të kënaqshme, është arritur në fushën e arsimit.
Është interesant e dhëna që numri i fëmijëve të popullatës RE në çerdhet dhe shkollat e Ulqinit është rritur konsiderueshëm: për një të tretën më shumë se para dhjetë vjetësh. Mirëpo, përfshirja e përfaqësuesve të popullatës RE në sistemin arsimor nuk është vetvetiu fakt i kënaqshëm, sepse me regjistrimin e tyre në shkollë fillojnë sfidat e reja. Mirëpo, ky është fakt i cili duhet të na inkurajojë për angazhimin dhe përkrahjen më të madhe të atyre të cilëve përkrahja i nevojitet më së shumti – komuniteteve të popujve pakicë.
Rrethanat e vështira socio-ekonomike me të cilat ballafaqohen këto komunitete shpesh shkaktojnë braktisjen e parakohshme të shkollimit. Përveç kësaj, është simptomatike që fëmijët e popullatës RE më shpesh mungojnë në mësim, nganjëherë janë të diskriminuar dhe të lënë pas dore, prandaj edhe kanë rezultate më të dobëta.
„Mundësia për përparimin dhe përmirësimin e pozitës varet nga përqindja e njerëzve të arsimuar. Sa më shumë fëmijë rom dhe egjiptian duhet të përfundojnë shkollën e lartë dhe të punësohen. Kjo është e vetmja mënyrë që populli shumicë të ketë qasje më të mirë ndaj popullatës RE“, thonë nga OJQ „Romano drom“ nga Ulqini.
Pra, për përmirësimin e statusit të komunitetit rom dhe egjiptian duhet të punohet për çdo ditë dhe në klimën e tolerancës së përgjithshme, të rritet vetëdija për atë çfarë është diskriminimi dhe si të luftohet kundër tij, në çfarë mënyre të përkrahen grupet e margjinalizuara dhe të ndihmohen për realizimin e të drejtave të garantuara me ligj. Sa i kushtohet vëmendje në shkollat tona edukimit qytetar dhe dialogut interkulturor? A tregojmë, si shoqëri, mjaftueshëm sensibilitet ndaj çështjeve të tilla dhe cili është roli i kuadrit arsimor për afirmimin e komuniteteve pakicë? A janë toleranca, dialogu interkulturor dhe respektimi i ndërsjellët parimet kryesore të praktikës tonë arsimore?
Do të tentojmë që përmes anketës tonë ECR të fitojmë përgjigjet për të paktën disa nga çështjet e hapura.