E.Bakalli: ULQINAKËT E SHOHIN SI PROBLEM MUNGESËN E LIBRARISË SË VËRTETË

„Ulqini është qytet i cili tash dy dekada ka ‘Panairin e Librit’, por nuk ka librari të vërtet ku kryesisht shiten libra, e jo material për zyra. Prandaj shtrohet kryepyetja: çfarë është një qytet pa librari?“, thotë kryetari i Shoqatës “Kalaja”, publicisti Ismet Karamanaga.

Edhe rezultatet e anketës të cilën e realizoi Portali Ul-info tregojnë se qytetareve dhe qytetarëve të Ulqinit i nevojitet vendi ku mund të blejnë një libër. Madje 97 për qind e të anketuarve, nga gjithsej 400 të cilët e plotësuan pyetësorin, kanë thënë se mungesa e librarisë në Ulqin është problem.

Pyetësori u plotësua nga 73% e njerëzve që jetojnë në Ulqin dhe 27% e atyre që jetojnë jashtë territorit të këtij qyteti. Rreth 60% e të anketuarve i blejnë librat në libraritë e Malit të Zi. Blerja online akoma nuk është jetësuar mjaftueshëm, sepse librat në këtë mënyrë i blejnë 14% e njerëzve, dhe i njëjti numër i të anketuarve i blejnë librat në libraritë jashtë Malit të Zi. Numri më i vogël i përgjigjdhënësve i blejnë librat në panaire, diç më pak se 10 për qind, prandaj organizatorët e “Panairit të Librit” në Ulqin duhet të përpiqen që me ofertën më të shumëllojshme dhe më cilësore të tërheqin numrin më të madh të bashkëqytetareve dhe bashkëqytetarëve të cilët blejnë libra rregullisht.

Një ose disa herë në vit blejnë libra pjesa më e madhe e atyre që plotësuan pyetësorin, pothuajse gjysma apo 47%. Vetëm 1% më pak, apo 46%, blejnë libra më shpesh – një ose disa herë në muaj, ndërsa përqindja më e vogël është e atyre që libra blejnë në nivel javor, dhe ato janë kryesisht njerëz që nuk jetojnë në Ulqin. Këto të dhëna nuk befasojnë duke pas parasysh faktin se në këtë qytet nuk ka një librari të vërtet.

Është interesant fakti se ky problem prek më së shumti përgjigjdhënësit e moshës mbi 40 vjeç, të cilët më së shumti morën pjesë në anketë, derisa për këtë tematikë më së paku janë të interesuar të rinjtë e moshës në mes 18 deri në 30 vjeç. Trendi rënës i leximit të librave ndër të rinjtë nuk është risi as tek ne e as në botë, mirëpo rritja e vetëdijes mbi rëndësinë e leximit të librave duhet të jetë një nga synimet e organizatave joqeveritare që trajtojnë të rinjtë.

Përgjigjet në pyetjen Kush duhet ta marrë nismën për hapjen e librarisë janë të ndryshme. Përqindja më e madhe e të anketuarve, 68%, mendojnë se këtë nismë duhet ta marrë Komuna e Ulqinit dhe institucionet e saja, derisa ekziston një masë e konsiderueshme (15%) e atyre që një iniciativë të tillë e presin nga Shoqatat dhe institucionet kulturore dhe intelektualët. Dhjetë për qind konsiderojnë se në zgjidhjen e këtij problemi duhet të kyçet Qeveria e Malit të Zi dhe institucionet e saja, gjersa përqindja më e vogël presin që nisma të burojë nga sektori joqeveritar.

Nënkryetarja e Komunës së Ulqinit Hadixha Gjoni tha se administrata lokale, përmes Qendrës për Kulturë, duhet të përkrahë çdo iniciativë me vlerë në territorin e këtij qyteti. “E tillë është hapja dhe puna e një librarie të vërtet. Kjo mund të zgjidhet thjeshtë, duke planifikuar mjete shtesë për Qendrën e Kulturës në buxhetin e vitit të ardhshëm”, shtoi ajo.

Karamanaga shtoi se libraria duhet të hapet në Kala, si dhe që atje duhet të jetë selia e të gjitha institucioneve kulturore të Komunës.

Sidoqoftë, pyetje/konstatimi i një pjesëmarrësi në anketën tonë: „Çfarë qyteti është ai që s’ka librari!?”, merr rëndësi të madhe edhe në Ulqin.

One Response

  1. Unë kishtë qen shumë e kënaqur me pas një librari në Ulqin. Por a po i vlen për pronarin nga ana financiare? Ka pasur një kohë nhë librari tek qendër kulturës por është mbyll.
    Besoj që libraria duhet me qen në qendër qytetit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi

Intervista e parë e kryetarit Omer Bajraktari: GJENDJA NË KOMUNË, VIZIONI I ZHVILLIMIT, PLANET…