Edin Gjoni: SHQIPËRIA KRENARISHT NË SHEKULLIN E RI

eDIN gJONI THUMBNAILTë dielen, në New York, Shoqata Ana e Malit organizoj darkën vjetore me rastin e Ditës së Flamurit. Fjalën e rastit në këtë mbrëmje e mbajti imam Edin Gjoni, fjalimin e të cilit e përcjellim në tërësi:

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Vëllezër dhe motra, Mirëmbrëma,

Më lejoni që në fillim fare ta shprehi mirënjohjen time më të thellë organizatorit të kësaj darke festive, Shoqatës Shqiptaro Amerikane “Ana e Malit”, në krye me zotëri Ismet Kurtin, që ma dha nderin të jem pikërisht unë ai i cili sonte do të ju drejtohet me fjalën e rastit.

Faleminderit nga zemra për sajdinë që ma bëtë, që ma dhatë mundësinë t’i ndaj me juve ca fjalë të cilat, e vërtetë që vijnë nga një prijës fetar, imam (që nuk është vështirë të shihet), megjithatë ata sonte më tepër vijnë nga një bir i kësaj treve fisnike, trevës së Anës së Malit, dhe mbi të gjitha, nga një bir i këtij kombi krenar, kombi Shqiptar.

Sonte jemi këtu të kujtojmë dhe festojmë së bashku 101 vjetorin nga dita në të cilën etërit tanë në udhëheqjen e Ismail Qemalit, kanë vendosur ta ngrijnë flamurin e kombit tonë, për të thënë haptazi para botës se:

– kjo copë dheu të cilën na e ka dhënë Perëndia është e jona

– në të do të flitet dhe shkruhet gjuha jonë “e bukur dhe e ëmbël” shqipe

dhe prej kësaj dite do të qeverisim dhe pavarësisht do të vendosim për fatin e këtij vendi.

Ky flamur edhe pse ndoshta jo unik për nga vet simboli i shqiponjës dykrenore, e cila në fakt mund të gjendet në flamujt dhe stemat e shteteve të tjerë, realisht mendoj se asnjë populli tjetër nuk i përkon më hijshëm sesa popullit tonë shqiptarë.

Populli shqiptar e ka disi të destinuar të shfaq një lloj dualizmi nga jashtë, por brenda në esencë gjithnjë ruan një unitet kompakt. Lidhur me këtë kolegu dhe miku i im, Dom Pjetër Popaj, famullitari i Kishës Zoja e Shkodrës në një rast të ngjashëm si ky sonte tha:

“Si shqiptarë,  jemi të përbërë prej dy besimeve, të Krishterë dhe Myslimanë, por besojmë në një Zot të vetëm.  Kemi dy dialekte, por kemi një gjuhë të përbashkët. Kemi shqiponjën dykrenare, por një flamur.  Kemi dy shtete, por një Komb.”

E thënë bukur, apo jo?! Unë, meqë mu dha rasti ta përmend Dom Pjetrin, në këtë kontekst dëshiroj njëherazi, që në pamundësinë e tij të jetë me neve sonte këtu për shkak te festes fetare e cila e obligon sonte të jetë në kishë, e kam për obligim t’i përcjelli përshëndetjet dhe urimet e tija më të përzemërta me rastin e Ditës së Flamurit.

Ti kthehemi edhe njëherë simbolit tonë, me ç’ rast do të shtoja në vazhdimësi të dualizmit të lartpërmendur, shqiponja e flamurit tonë shikon në dy drejtime në të njëjtën kohë: në të kaluarën – për të mësuar nga ajo, dhe në të ardhmen – duke formuar vizionin e vet për të.

Në njëqind vjetshin e kaluar të paktën kemi mësuar dy gjëra të cilat, për veten time, i cilësoj të mëdha:

E para, se Zotit kurrë më mos t’i themi JO. Ngase, larg nga Zoti, larg nga vetja dhe bota. Ose siç Kur ‘ani Famëlartë thekson: “…dhe mos u bëni sikur ata që e harruan Zotin, e pastaj Ai bëri që vetja e tyre të jetë e harruar.” (Kur ‘an 59:19).

Sinqerisht i lutem Zotit duke mbajtur shpresën në mëshirën e paskajshme të Tij me fjalët e Ardit Gjebreës kur, në këngën e tij dedikuar Zotit së bashku me tenorin tonë të famshëm Saimir Pirgun, këndon:

“Të mohuam Ty, të harruam Ty,

e  Ti ne prapë na fal”

I dyti mësim nga e kaluara është që, përgjithësisht, gjatë historisë, dhe jo vetëm në këtë 100 vjeçarin e shkuar, si komb kemi pasur pak miq e shumë më tepër armiq. Prandaj mos ti bëheni armiq njëri tjetrit! Dhe sidomos do të theksoja, se i vetmin mik me të cilin Zoti e ka lidh fatin e qenies tonë si shtet dhe komb dhe të cilin e kemi pasur mik dhe aleat besnik dhe pa hile ishte ky shtet, në truallin e të cilin gjendemi neve sonte këtu, SHBA. Zoti e bekoftë këtë vend të mrekullueshëm!

Nëse koka e parë e shqiponjës shikon kah e shkuara, atëherë koka tjetër e shqiponjës dykrenore shikon me sytë largpamës të vet kah e ardhmja e jonë, e cila konsideruar agimin, me lavd të Zotit, do të jetë e ndritur.

Shqipëria në shekullin e ri hynë krenarisht me këmbë të djathtë.

–    Anëtare e NATO-s, PO

–   Me shtetin e pavarur të Kosovës pranë – PO. Dhe siç shprehet në mënyrë jashtëzakonisht elokuente kryeministri Edi Rama në kuvendin e R. së Kosovës:

“me kufi të padukshëm në mes… Kufiri i takon të djeshmes, e ardhmja nuk ka kufi”.

– Të unifikuar si komb si kurrë ndonjëherë më parë. A nuk dëshmon kremtimi epokal i 100 të pavarësisë së Shqipërisë vitin e kaluar, kur nuk kishte shtëpi shqiptari e që ato ditë nuk pati dikë në Tiranë apo Vlorë, ndërkohë që në shtëpitë e tyre në qytet shqiptare dhe përtej Shqipërisë me javë valonte pikërisht ky flamur?!

Kjo është ajo që Gouverneur Morris, njëri nga etërit themelues të SHBA, në fjalimin e tij historik do ta formulojë me fjalët: “It is in the national spirit.” Unë do të thosha: “It is in the Albanian spirit”. Kjo është mu në shpirtin shqiptarë.

Është ky shpirt nacional i gjallë dhe dinamik i kombit i cili me një vitalitet fantastik rreh damarëve të çdo shqiptari dhe shqiptareje, të riu apo të moshuari, brenda Shqipërisë, por edhe me mijëra mile jashtë saj.

Këtë shpirt duhet jo vetëm ruajtur, por duhet fisnikëruar edhe më tutje, ripërtërirë, madje rilindur. Nuk ka fije dyshimi se Shoqata e Anës së Malit, nikoqirja e kësaj mbrëmje të bukur, si edhe të gjitha shoqatat dhe fondacionet e tjera, xhamitë dhe kishat shqiptare punojnë për të ruajtur dhe për ta kultivuar, për ta RILINDUR këtë shpirt. Të na ndërgjegjësojë se çdo pëllëmbë e tokës tonë duhet ta duam ashtu sikur e duam çdo inç të trupit tonë; se çdo grusht uji i dy deteve tonë duhet dashur ashtu siç e duam qumështin e nënës së vet; se çdo fjalë e shqipes të cilën e dimë dhe ia mësojmë fëmijëve tanë është një molekulë përbërëse e gjenit tonë kombëtar shqiptarë; dhe se trashëgimia më e mirë të cilën mund t’ia lejmë bijve dhe bijave tona është edhe ajo kombëtare.

Në këtë drejtim, Shoqata Shqiptaro Amerikane e Anës së Malit ishte, është dhe vazhdon të jetë odë e mbledhjeve dhe tubimeve tona pavarësisht orientimin politik apo përkatësinë fetare.

Personalisht ju uroj suksese të gjithmbarshme në punën tuaj!

Zoti ju përkrahtë në realizimin e misionit tuaj!

Faleminderit për fjalën e rastit dhe besimin që ma bëtë!

Zoti ju bekoftë juve!

Zoti e bekoftë Shqipërinë, Kosovën dhe popullin shqiptarët kudo që të jen!

Zoti i bekoftë SHBA dhe të gjithë aleatët dhe miqtë tanë!

E paharruar dhe e bekuar qoftë Dita e Flamurit tonë!

Urime!

Faleminderit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi