Pak ditë më parë, në New York, Federata Pan Shqiptare Vatra organizoi drekën solemne me rastin e vizitës së Presidentit të Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani. Fjalën përshëndetëse në emër të tri feve e mbajti imam Edin Gjoni, fjalimin e të cilit e përcjellim në tërësi:
I nderuari kryetar i Federatës Pan Shqiptare Vatra, njëherazi organizatores së kësaj mbrëmjeje, zotëri Gjon Buçaj,
I nderuari Presidenti i Republikës së Shqipërisë, zotëri Bujar Nishani,
E nderuara zonja Nishani,
I nderuari përfaqësuesi i Asamblesë së Shtetit të New York-ut, zotëri Mark Gjonaj,
Të nderuar diplomatë të Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës,
Të nderuar të pranishëm,
Mirëmbrëma.
Fillimisht dëshiroj t’ia shprehi Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishanit, mirëseardhjen më të ngrohtë në emër të Qendrës Islame Shqiptaro-Amerikane në Queens, ku vetë shërbej si imam. Por gjithashtu, përshëndetje më të ngrohta edhe nga kolegët dhe vëllezërit e mi, Dom Pjetër Popaj, famullitarit të Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” dhe At Nathan Preston, famullitarit të Kishës Ortodokse Shqiptare “St Nicholas” në New York, të cilët ishin në pamundësi të jenë sonte në mesin tonë.
Ardhja e juaj, President, na gëzon pamasë. E sidomos kur me vete sillni freskinë se sukseseve të reja. Nga viti që shkoi, kur patëm rastin të takohemi pikërisht në këtë vend, në një mbrëmje sikurse kjo, e deri më sot, Shqipëria ka ecur dukshëm përpara, veçanërisht në rrafshin e politikës së jashtme: Shqipëria fiton statusin e kandidatit për në BE; asaj i ritheksohet në Berlin rëndësia e saj kruciale në Ballkan; dhe javën që kaloi Shqipëria pati nderin të jetë vendi i parë në Evropë të cilin do ta vizitojë Papa Françesku. Dhe kjo nuk ndodhë rastësisht. Kjo ndodhë nga vetë fakti se Shqipëria është vendi i cili shquhet në nivel planetarë jo vetëm me atë çfarë quhet bashkëjetesë fetare, por, për më tepër, me vëllazëri ndërfetare. Si të tillë neve shërbejmë model për botën.
Kjo vëllazëri është një nga margaritarët më të çmuar që kemi trashëguar nga të parët tonë. Me xhelozi duhet ruajtur dhe përcjellë brezave që vijnë. Shpresoj se nuk do ta teproj nëse them se këtë trashëgimi duhet ngritur në simbol kombëtar, ashtu siç ngresim lart flamurin kuq e zi.
Neve tre, Dom Pjetri, At Nathan dhe vetja ime, jemi ky gur i çmuar dhe i rrallë i mozaikut unik të quajtur Shqipëri. Dhe kështu do të mbesim, dashtë Zoti, përgjithmonë!
I lutem Zotit ta bekojë Shqipërinë dhe Kosovën, dhe popullin shqiptarë kudo që të jetë,
T’i bekojë SHBA, këtë vend për të cilin Zoti e ka lidhur fatin e vendit dhe popullit tonë!
Ju faleminderit