Edukimi medial te ne shihet si mjeti më i afërt që bën audience të jetë aktive, dhe në këtë mënyrë të filtrojë gjithë mesazhet që merr. Pra, të shoh me dyshim çdo përmbajte mediatike.
Pa dilemë: roli pozitiv i mediave as duhet diskutuar. Por, ky rol ka ndikuar që ato të fuqizohën, e pastaj të përdoren dhe negativisht. Këtu lind nevoja për edukimin edhe në sferën mediale.
I cilësuar nga socio-politologu Faton Murseli si “një imperativ i kohës’, çështja e edukimit mediatik duhet të fillojë të shihet me rëndësinë e duhur sepse frekuentimi i mediave të reja po arrin në pikun e tij dhe si rrjedhojë është rritur dhe zgjeruar dukshëm shkalla e ndikimit të tyre.
Në mjedisin tonë edukimi medial konsiderohet si edukim teknologjik. Edukimi medial është më shumë se edukim teknologjik, më shumë se aftësi me e përdor median. Është më shumë me i zbërthy, me i dekonstruktu dhe shërben për krijimin e një mendimi kritik për përmbajtje të caktuara mediale.
Mungesa e edukimit medial në shkolla lë fëmijët të papërgatitur për të konsumuar mediat në mënyrë kritike, ndërsa ata kalojnë shumicën e kohës në mediat sociale. Fëmijët e vitit 2024 tek ne mund të paramendohet që shumicën e ditës e kalojnë në media sociale ose në telefon, duke konsumuar media, përfshi gjithë shoqërinë. Nëse shumicën e kohës e kalojnë në atë mënyrë dhe nuk e kanë asnjë lëndë në shkollë që i edukon se si të konsumohen mediat, se si ta dallojnë faktin prej opinionit, se çka duhet bëjnë fëmijët me media gjatë kohës së përdorimit, atëherë është shqetësuese.
Edukimi medial si lëndë zgjedhore dhe përfshirja e tij në disa lëndë tregon joseriozitet, për shkak të mungesës së mësuesve të specializuar dhe trajnimit të cekët. Nuk mjafton që lënda e edukimit medial të jetë zgjedhore, për shkak se duke e ditur faktin se si zgjidhen lëndët, i përshtaten profileve të ndryshme. Në sistemin arsimor nuk ka shumë mësues që kanë njohuri të thelluar për media dhe edukimin medial.
Prandaj, edukimi medial duhet të përfshihet si lëndë obligative, përveç përfshirjes në lëndët ndërkurrikulare. Viteve të fundit vërehen disa lëvizje pozitive nga ana e institucioneve shkollore dhe mësimdhënësve në arsimin parauniversitar për ta përfshirë edukimin medial si mësim/lëndë me zgjedhje (lëndë zgjedhore) nëpër shkolla.
Një nga sfidat kryesore në promovimin e edukimit medial është mungesa e vullnetit institucional për ta trajtuar këtë çështje në mënyrë serioze dhe të thelluar, me qëllim nxitjen e mendimit kritik tek nxënësit. Për më tepër, përfshirja e edukimit medial kërkon trajnim dhe aftësim sistematik të mësimdhënësve të rinj. Një tjetër problem qëndron në mungesën e teksteve mësimore të standardizuara për shkollat fillore dhe të mesme, duke detyruar mësimdhënësit të përgatisin vetë materialet për nxënësit e tyre.
Zhvillimi i teknologjisë, medieve të reja dhe rrjeteve sociale i ngjan një oqeani, që përveç të mirave të cilat i ofron, brenda mund të ketë edhe shumë rreziqe, ndaj të cilave duhet të jemi shumë të përgatitur. E vetmja formë për t’u dhënë përgjigje adekuate këtyre dukurive negative dhe e vetmja formë që ne t’i përdorim mediet e reja dhe rrjetet sociale në dobinë tonë të përgjithshme është zhvillimi i gjykimit kritik përmes mësimit gjithëpërfshirës në shkolla të lëndës së edukimit medial.
Ky tekst është krijuar në kuadër të projektit “Lexo saktë” i cili realizohet nga OJQ “UL Info”, në partneritet me OJQ “Punta Institut”, në kuadër të projektit rajonal “Media jonë – Iniciativa për përmirësimin e shkrim-leximit mediatik , dialogu dhe aktivizmi”, të cilin e realizon Rrjeti i Evropës Juglindore për Profesionalizimin e Mediave, me mbështetjen e BE-së dhe Ministrisë së Administratës Publike të Malit të Zi. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e UL Info dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.