Shkolla është, së bashku me familjen dhe rrethin, një nga tre shtyllat e shoqërisë. Sepse, ne nuk mësojmë për shkollë, mësojmë për jetën, thoshin latinët e lashtë, ndërsa Nietzsche vërente bukur se “interesi i shkencës është të na armatosë për veprim”.
Historia dëshmon se shoqëritë e suksesshme kanë qenë gjithmonë shoqëri të dijes. Prandaj, është e kuptueshme kur thuhet se në botën e sotme dija dhe idetë janë shumë më të rëndësishme se kapitali apo puna dhe se ngecja pas tendencave moderne nuk paguhet më me para, por me kohë. Prandaj shkolla dhe arsimi janë një element qendror i jetës dhe politikës.
Sot sigurisht edhe media ka ndikim shumë të madhë në shoqëri. Mediat jo vetëm përfaqësojnë burimin më të rëndësishëm të informacionit, por në të njëjtën kohë ato ndikojnë shumë në formësimin e botëkuptimeve të individëve dhe promovojnë vlerat dhe modelet e sjelljes brenda shoqërisë. Prandaj, kuptimi kritik dhe përdorimi i ndërgjegjshëm i medias është i një rëndësie vendimtare për veprimin autonom të individëve dhe për pjesëmarrjen e tyre aktive qytetare.
Edukimi mediatik është një aftësi që është gjithnjë e më e rëndësishme për ne duke pasur parasysh luhatjen e shpejtë të informacionit, si dhe rreziqet e manipulimit në atë proces. Termi arsimim mediatik u përkufizua në një konferencë të UNESCO-s të mbajtur në vitin 1992 si aftësia për të aksesuar, analizuar, vlerësuar dhe transmetuar mesazhe përmes medias.
Edukimi mediatik kontribuon në të kuptuarit e rolit të medias në shoqëri dhe në përvetësimin e aftësive thelbësore kërkimore që janë të nevojshme për qytetarët e shoqërive demokratike që kërkojnë të kuptojnë, të marrin pjesë dhe të kontribuojnë në debatin publik. Nëpërmjet orëve të shkrim-leximit mediatik, studentët fitojnë aftësinë e analizimit dhe “leximit” kritik të mesazheve mediatike dhe zhvillojnë një vetëdije se si fjalët dhe narrativat, imazhet dhe tingujt mund të përdoren për të promovuar ide dhe qëllime të caktuara. Në bazë të njohurive të marra, nxënësi aftësohet të përzgjedhë fakte, të nxjerrë përfundime dhe të vlerësojë në mënyrë kritike tekstet mediatike.
Njohuria mediatike gjithashtu u mundëson studentëve të përdorin mediat për të shprehur idetë dhe opinionet e tyre dhe në këtë mënyrë të marrin pjesë aktive në krijimin e hapësirës publike të shoqërisë civile. Ky aspekt i mësimdhënies së lëndës në të njëjtën kohë kontribuon në zhvillimin e potencialit të tyre krijues dhe ndjeshmërisë estetike.
Si një nga kushtet e nevojshme për krijimin dhe zhvillimin e një shoqërie demokratike, arsimimi mediatik mund të kontribuojë ndjeshëm në adoptimin e vlerave demokratike. Ashtu si përvetësimi i çdo shkrim-leximi tjetër, ai mund të jetë vërtet i suksesshëm vetëm nëse arrin të kuptojë lidhjen midis dy faktorëve kryesorë: specifikave të një mediumi (të dhënë) dhe mënyrës në të cilën ata që arsimohen i kuptojnë këto specifika.
Prandaj, shkrim-leximi mediatik është një aftësi që do t’i ndihmojë të gjithë, veçanërisht të rinjtë, të shikojnë, interpretojnë dhe krijojnë përmbajtjen e tyre mediatike në forma dhe format që u përshtatez atyre në mënyrë kritike.
Ky tekst është krijuar në kuadër të projektit “Lexo saktë” i cili realizohet nga OJQ “UL Info”, në partneritet me OJQ “Punta Institut”, në kuadër të projektit rajonal “Media jonë – Iniciativa për përmirësimin e shkrim-leximit mediatik , dialogu dhe aktivizmi”, të cilin e realizon Rrjeti i Evropës Juglindore për Profesionalizimin e Mediave, me mbështetjen e BE-së dhe Ministrisë së Administratës Publike të Malit të Zi. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e UL Info dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.