Elezaga në TV Teuta: FORCA TENTON TA MBAJ PUSHTETIN ME ÇDO KUSHT

1. ZGJEDHJE

Zgjedhjet e parakohshme në Komunën e Ulqinit i pari i ka përmend Kryetari i komunës Nazif Cungu. E bëri këtë vetëm disa ditë pasi që në Kuvendin lokal, për të parën herë, pas gati dy vitesh, parashtroi Raportin e punës.

Në këtë Raport puna e pushtetit lokal vlerësohet pozitivisht dhe nuk ka kurrfarë paralajmërimit për çfarëdo krize në funksionimin e koalicionit në pushtet. Bile, ky koalicion as që përmendet fare në Raport.

Menjëherë pas ti edhe përfaqësuesit e shumicës së partive tjera që veprojnë në Komunën e Ulqinit e përkrahën idenë e zgjedhjeve të reja.

Për opozitë është fare normale që në çdo rast dhe çdo moment të kërkoj zgjedhje të reja, por nuk ndodh shpesh dhe nuk është bash e zakonshme tek ne, që partitë e shumicës, komoditetin e pushtetit, vullnetarisht ta zëvendësojnë me pasigurinë e provimit para votuesve.

Është tepër simptomatike që idenë e zgjedhjeve të reja e përkrahin të tre subjektet politike që Cungut edhe i mundësuan marrjen e timonit të qytetit.

Por, menjëherë pas kësaj lideri i Forcës prapë e ndërron pllakën. „Jo, nuk kemi kohë për zgjedhje të reja. Do të bëjmë rikomponim. Na presin investime të mëdha“ – deklaron ai, i bindur se të gjithë kanë harru se çka ka thënë vetëm para disa ditësh.

Tash është më se e qartë se ideja e zgjedhjeve të parakohshme ishte veç një blof politik.

Qëllimi i saj ishte i njëjtë si i vendimit të paligjshëm dhe të pavlefshëm për shkarkimin e nënkryetarit të Komunës Selim Resulbegut – t’i niset mesazhi funksionarëve të partnerëve të koalicionit se do të mbesin pa poste nëse nuk binden dhe nuk bëjnë presion brenda partive të tyre për aprovimin e domosdoshëm të raportit të Kryetarit.

Në të njëjtën kohë vazhdojnë manovrat me një qëllim të vetëm – të mbahet pushteti me çdo kusht dhe të shtyhet sa ma tepër momenti i dhënies së llogarisë votuesve.

Politikanët tonë e kanë zor ta kuptojnë se ushtrimi i funksioneve publike nënkupton obligimin e dhënies së llogarisë në çdo moment.

Nëse është fare normale që prej atij që i kemi besuar udhëheqjen e dyqanit apo firmës tonë private të kërkojmë llogari dhe raporte të përditshme, pse nuk është normale që qytetarët të kërkojnë llogari prej atyre të cilëve i kanë besuar udhëheqjen e qytetit dhe fatit të vet.

2. FUNKSIONIMI I ORGANEVE TË PUSHTETIT LOKAL

Këto ditë po kulmon kriza në funksionimin e pushtetit lokal në komunën tonë. Kjo krizë, e cila po zgjat qe plot tre muaj, pothuajse e ka bllokuar krejtësisht punën normale të organeve të pushtetit lokal.

Për fat të keq krejt kjo ndodhi në muajt e kulmit të sezonit turistik.

Krejt vëmendja dhe energjia është e orientuar në gjetjen e rrugës për mbijetesë politike.

Vazhdimin e Kuvendit, puna e të cilit është ndërpre me arsyetime qesharake, as që e përmend kush.

Kuvendi nuk thirret vetëm për shkak të pamundësisë të sigurimit të votave të duhura për aprovimin e Raportit të punës së Kryetarit dhe pasojave që shkakton refuzimi i tij.

Për disa ditë përfundon tremujori i tretë i këtij viti,brenda të cilit, sipas Programit të punës së Kuvendit janë dashtë të shqyrtohen dhe aprovohen ma se 90 pika.

Kuvendi deri tani ka mbajt vetëm 2 seanca në të cilat janë aprovuar gjithsej 17 pika.

Seanca e tretë u ndërpre pas fillimit të pikës së tretë.

Parlamenti lokal asnjëherë gjatë këtij viti nuk është informuar mbi dinamikën e mbushjes së buxhetit.

Nuk është njoftuar me përmbajtjen e Planit të sanimit i cili është nënshkruar me Ministrinë e financave dhe nuk ka informata se a i plotëson Komuna obligimet e marra me këtë marrëveshje dhe cilat do të jenë pasojat nëse nuk arrin t’i plotësoj?

Në Kuvend nuk ka arrit akoma Rebalanci i buxhetit, shqyrtimi publik i të cilit ka përfunduar kaherë dhe cili është i domosdoshëm për realizimin e Planit të sanimit.

Sikur këshilltarët të kishin pas rast të diskutojnë për Programin e përgatitjes dhe Informatën për rrjedhën e sezonit turistik, me siguri nuk kishte ndodhë që Ulqini, për shkaqe banale, në kulmin e sezonit të mbesë me ditë pa ujë, ujërat e zeza të derdhen direkt në det tek restoranti i porsaçelur ne pyllin e pishave, që gropa në mes të rrugës në Ranë me javë mos të mbyllet …

Brenda këtyre 9 muaj që kaluan Kuvendi është dashtë të aprovoj edhe shumë akte të cilët janë  bartë si të parealizuar nga viti i kaluar, si p.sh. Plani strategjik i zhvillimit dhe më se 29 plane urbanistike, ndërmjet të cilëve janë edhe ata të cilët janë aprovuar me amendamente dhe për atë arsye zbatimi i tyre është anuluar për një vit. Ai afat ka kaluar kaherë dhe kjo mund të shkaktoj probleme serioze juridike.

Probleme serioze mund të shkaktoj edhe mos aprovimi i vendimeve për transformimin e ndërmarrjeve publike sepse ato nuk do të mund të funksionojnë më në formën e deritanishme.

Zgjidhja e këtyre problemeve, e ato janë vetëm disa nga problemet e shumta me të cilët ballafaqohet ky qytet, me siguri ka peshë shumë ma të madhe për jetën e përditshme të çdo qytetari, në krahasim me çështjen se kush do të rrijë e kush do të largohet nga pushteti, a do të bëhet apo jo rikomponimi i pushtetit lokal dhe dilemat tjera artificiale me të cilat hutohen këto ditë qytetarët e komunës tonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi