Ishulli Ada humbi 10 për qind të territorit të tij ose 420 000 metra katrorë. Ekziston rreziku që Mali i Zi të mbetet pa plazhin më të bukur me rërë, Adën e Bunës, kanë bërë të ditur nga Kompania Hoteliere e Turistike (KHT) “Riviera e Ulqinit”.
Kjo kompani ka 50 vjet që është shfrytëzuese e tokës dhe e plazhit në atë ishull të bukur, në grykën e lumit Buna në detin Adriatik. Shumë objekte të kësaj kompanie u zhdukën për shkak të erozionit që përpiu pjesën më të madhe të plazhit në Adë.
“Sipas vlerësimit të ekspertit, totali i dëmit të drejtpërdrejtë nga prishja e restorantit “Maestral” dhe të 11 banesave-bungalove arrin vlerën 297 728 euro. Gjithashtu, janë konstatuar dëme indirekte nga zhdukja e plazhit ranor para këtyre objekteve, si dhe nga humbja e të ardhurave të ardhshme që do të gjeneroheshin nga këto objekte”, tha drejtori ekzekutiv i KHT “Riviera e Ulqinit”, Qamil Hoxha, për portalin Ul-info.
Për të mbrojtur objektet ekzistuese të kompanisë nga dallgët e mëdha dhe erozioni, njësitë inxhinierike të Ushtrisë së Malit të Zi tash tre vite ngrenë duna rëre në pjesën jugperëndimore të Adës.
Gryka e djathtë e Bunës i ngjan grykës së Amazonës
Procesi i erozionit në këtë zonë vazhdon prej dekadash, mirëpo jo më parë se në vitin 2019 nisën veprimet për zbutjen e pasojave të tij. Me shumë vonesë, sepse, në realitet, 90 për qind e plazhit në Adë është zhdukur.
Në atë periudhë, siç thotë njohësi i mirë i Adës, Mishko Lekoviq, ishulli i Franc Jozefit dhe Ada e Vogël u zhdukën. “Ada e Vogël ishte një ishull më vete, që i përkiste vendit tonë, dhe u zhduk plotësisht rreth vitit 1980! Franc Josefi ishte një ishull shumë më i madh dhe i përkiste Republikës së Shqipërisë, i mbushur me bimësi të dendur dhe pemë. “Të dy ishujt u zhdukën për shkak të ndikimit të erozionit detar dhe mungesës së shpejtësisë dhe ujit në lumin Buna”, pohoi Lekoviq.
Sipas Hoxhës, si pasojë e erozionit, është shkatërruar një pjesë e madhe e florës dhe faunës në zonën e deltës së Bunës, e cila është një nga zonat e fundit të habitateve ranore në rajonin e Mesdheut me rëndësi ndërkombëtare. Aty rriten rreth 500 lloje bimësh, nga të cilat 23 lloje mbrohen nga legjislacioni kombëtar, dhe janë regjistruar mbi 250 lloje shpendësh, nga të cilët 57 mbrohen nga Direktiva e BE-së e Zogjve.
“Ada është pjesa më e bukur e territorit tonë, për të cilën, për fat të keq, s’jemi të denjë. Sjellja e njerëzve dhe e vendimmarrësve është një nga faktorët kryesorë për gjithçka që po na ndodh në deltën e Bunës gjatë viteve dhe dekadave të fundit”, pohon ekologu i njohur ulqinak, Xhelal Hoxhiq.
Këtu përfshihet nxjerrja e sasive të mëdha të rërës nga degëzimi dhe dega e djathtë e Bunës, e cila u krye me pretekstin e ruajtjes së rrjedhës së saj. Rezultati është i dukshëm me sy të lirë: gryka e djathtë e Bunës është rritur jashtëzakonisht shumë, ose sipas peshkatarëve është bërë si gryka e Amazonës.
Vetëm për këto marrëveshje me kompani të privilegjuara janë shpenzuar më shumë se një milion euro nga fondet e Drejtorisë së Ujërave dhe të Ndërmarrjes Publike për Administrimin e të Mirave Detare. Dëmi që pasoi ishte shumë më i madh.
Kjo më së miri shihet në pjesën më lindore të Plazhit të Madh, ku erozioni është intensifikuar. Disa plazhe në atë pjesë të bregdetit nuk ekzistojnë më.
Në vend që dhjeta mijëra metër kub rërë të përdoreshin për të rimbushur plazhet, ato u depozituan. Ekuilibri i proceseve natyrore duhej të mundësohej të paktën në mënyrë artificiale, gjegjësisht që sasia e sedimenteve që sjell lumi në plazhe të jetë më e madhe se sasia e rërës që merr deti, pra që dallgët e gërryejnë nga bregu.
Për ta arritur këtë, është e nevojshme të njihet shumë mirë e gjithë delta e Bunës, duke përfshirë, natyrisht, degën kryesore të saj, lumin Drin. Vetëm kështu do të njiheshin problemet kryesore që çuan në prishjen e balancës që ishte krijuar. Krahas hidrocentraleve që u ndërtuan në Drin, vërehet edhe nxjerrja e paligjshme e rërës nga lumi Buna, si dhe cektësia e këtij lumi, sidomos në verë në afërsi të Fraskanjelit.
I nevojshëm bashkëpunimi me Shqipërinë
Sipas matjeve të ekspertëve shqiptarë, fuqia rrjedhëse e shtratit të Bunës është ulur gati tri herë në 30 vitet e fundit! “Biologu i famshëm gjerman, Martin Schneider-Jacoby, na paralajmëronte gjithnjë për këtë gjë. Ai tha 14 vjet më parë se e gjithë Ada do të zhduket pas 50-60 vjetësh nëse nuk e trajtojmë këtë zonë në mënyrën e duhur”, thotë Hoxhiq.
Prandaj, ai beson se duhet të krijohet bashkëpunimi sa më i ngushtë me shtetin fqinj Shqipërinë, peshkatarët dhe ambientalistët.
Si hap i parë në këtë drejtim, ministri i Bujqësisë, i Pylltarisë dhe i Ekonomisë së Ujërave, Vladimir Jokoviq, thotë se sipas projektit të Bankës Botërore do të bëhet rregullimi i shtratit të lumit Buna. “Të gjitha marrëveshjet janë arritur dhe presim që realizimi të fillojë shpejt”, thekson ai.
Mirëpo, masat e ndërmarra gjatë katër viteve të fundit ishin kryesisht me efekt të kufizuar. Ndërkohë, urbanizimi i pakontrolluar po ushtron presion në brigjet e lumit, i cili vjen e rritet nga prerja e drunjve në Bunë, të cilët e mbronin bregun nga erozioni.
Ekspertët gjithashtu paralajmërojnë për ndryshimet klimatike dhe veçanërisht për efektin e rritjes së nivelit të detit. Gjatë 140 viteve të fundit, niveli i detit në këtë pjesë të Adriatikut është rritur me rreth 25 centimetra, që është shumë nëse merret parasysh fakti se bregdeti këtu është shumë i ulët dhe i ndjeshëm, kurse brendësia e afërt e Plazhit të Madh shtrihet nën nivelin e detit. Për shkak të ngrohjes globale, ky proces ka marrë përshpejtim, ndaj parashikohet që, nëse vazhdon ky trend i rritjes së nivelit të detit në Adriatikun Jugor, niveli i detit mund të rritet me rreth 80 cm deri në fund të këtij shekull. Kjo do të ndryshonte në mënyrë drastike gjeografinë e kësaj zone të bukur. Atëherë deti nuk do ta mbulonte vetëm Adën, por edhe Plazhin e Madh.
“Pa Adën, Mali i Zi dhe sidomos Ulqini janë invalidë turistikë. Mirëpo, rasti i Kripores na ka mësuar se këto nuk janë vetëm bukuritë tona, por edhe të gjithë Evropës dhe botës”, thotë kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari.
Përndryshe, pothuajse të gjithë pjesëmarrësit e anketës tonë, e cila është bërë me metodën ECR, e dinë se erozioni prej vitesh i ka marrë plazhet e Ulqinit dhe se ky proces ka prekur edhe Plazhin e Madh.
Ata gjithashtu pajtohen se autoritetet nuk po bëjnë sa duhet për ngadalësuar procesin.
Sipas vlerësimeve të tyre, përgjegjësit më të mëdhenj për erozionin janë Ndërmarrja Publike për Administrimin e të Mirave Detare, ndryshimet klimatike dhe ndërtuesit pa leje në Bunë.
Një në katër të anketuar beson se askush nuk është përgjegjës për këtë situatë.
Gjysma e pjesëmarrësve në anketë thonë se pronare e Adës së Bunës është KHT “Riviera e Ulqinit”, edhe pse kjo kompani është shfrytëzuese vetëm e pjesës jugperëndimore të ishullit.
Krahas situatës alarmante në Adë, për shkak të ndërtimeve intensive vitet e fundit, Malit të Zi i mungojnë rreth 250 mijë metra katrorë plazhe. Vendet ku investitorët kanë mbyllur ose devijuar përrenjtë që “ushqejnë” plazhet me rërë dhe zhavorr janë veçanërisht të rrezikuara. I tillë është rasti i plazhit Mogren në Budvë (plazhi Guvance në Kepin Zavala tashmë është zhdukur), pastaj me plazhet me guralecë në Sutomore dhe Petrovac…
“Plazhet janë një nga potencialet natyrore më të rëndësishme të Malit të Zi dhe erozioni i plazheve ndikon drejtpërdrejt në zvogëlimin e territorit. Pa plazhe të bollshme dhe të qëndrueshme, nuk ka zhvillim të turizmit në Mal të Zi. Ajo që mbetet është i ashtuquajturi turizmi masiv, ku mysafirët pranojnë që në pikun e sezonit të shtrihen si sardele në plazhet më të vizituara”, thotë profesori i Universitetit të Beogradit, Dr. Sava Petkoviq.
Mustafa CANKA
* Projekat – Society Against Corruption in Montenegro – Project Partners: Balkan Investigative Reporting Network and Civic Alliance