Mesazh urimi me rastin e zgjedhjes së z. Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës.
Republika e Kosovës ka fituar sot Qeverinë e re të dalë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit të vitit të kaluar, në krye me kryeministrin Albin Kurti.
Ky është një lajm i mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës, realizim i vullnetit të tyre zgjedhor, dhe për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, përfshirë edhe ne shqiptarët në Mal të Zi.
Jemi të bindur se Qeveria e drejtuar nga z. Albin Kurti do të vazhdojë punën për shtetndërtimin e Kosovës si vend demokratik, me institucione të fuqishme, konsolidimin e pavarësisë së saj, integrimet euro-atlantike dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.
Shqiptarët në Mal të Zi kanë dhënë një kontribut të madh në të gjitha fushat në Kosovë, në kohë paqeje dhe lufte, ashtu siç Kosova ka qenë gjithmonë burim frymëzimi për ne në momentet më të vështira. Ne kemi arsye që të ndihemi dyfish krenarë pasi që rrënjët e kryeministrit Albin Kurti janë nga këto anë dhe ne e konsiderojmë atë si birin tonë.
Ne presim që Qeveria e re e Republikës së Kosovës të jetë afër nesh dhe t’i ndihmojë shqiptarët në Mal të Zi.
Partia Demokratike do të bashkëpunojë ngusht me Qeverinë e Kosovës dhe Kryeministrin Albin Kurti.
URIME KOSOVË, URIME ALBIN!
Kryetari i Partise Demokratike
Fatmir Gjeka