Familja Nasradini: MË SHPEJT ERDHËN TË AFËRMIT NGA MALI I ZI SE POLICIA

Një familje shqiptare nga Ulqini, që ishte nisur për të kaluar fundjavën në Kosovë, është grabitur në Rrugën e Kombit, nga dy persona me maska dhe të armatosur me automatikë. Grabitja ndodhi rreth orës 03:00 të mëngjesit të djeshëm, në rrugën nacionale të Rrëshenit, ndërkohë që të dëmtuarit, babë e bir, Enver dhe Ardian Nastradini nga Ulqini, kanë rrëfyer momentet e tmerrshme, kur kanë njoftuar edhe policinë, por ajo nuk kishte shkuar në ndihmë të tyre. Por kjo është mohuar nga Policia e Lezhës, e cila mbulon zonën ku pretendohet se është kryer grabitja. Grabitësit, nën presionin e armës, kanë mundur t’u marrin rreth 1 mijë euro e sende me vlerë dhe më pas janë larguar në drejtim të paditur. Kryefamiljari Enver Nastradini, që ndodhej me gruan dhe dy fëmijët në makinë, tregon se në rrugë ishte ngritur një pritë me gurë dhe është qëlluar me armë zjarri në ajër për të ndaluar dhe më pas nga dy persona të armatosur u janë marrë paratë. Në këto kushte, ai është detyruar të kthehet mbrapsht për në Ulqin, ndërkohë që shpreh indinjatën për vonesën e policisë, e cila, sipas tij, ka mbërritur me shumë vonesë në vendin e ngjarjes, rreth tre orë, pasi ai kishte telefonuar në sallën operative. Madje, ai tregon se është detyruar t’i telefonojë ambasadorit të Malit të Zi në Shqipëri dhe vetëm atëherë i ka ardhur policia.

Kur u dolën maskat para dhe si vepruat? Ishte ora tre e mëngjesit. Në rrugë kishte shumë pak lëvizje makinash. Ndodheshim në rrugën e kombit, afër Rrëshenit. Gjithçka dukej normale, kur papritur vumë re se rruga ishte mbushur me gurë dhe për momentin u zura në befasi dhe u detyrova të kaloja mbi gurë. Në atë moment, u ça goma e makinës dhe mendova se kishin rënë gurë nga mali. U ndalëm dhe fillova me djalin të ndërroja gomën e makinës. Në atë çast, në errësirë u afruan dy persona me maska dhe armë zjarri “Kallashnikov”, që mbanin në duar. Sapo u afruan te ne, ata qëlluan dy herë në ajër. Për momentin kisha hallin e fëmijëve dhe gruas. Na terrorizuan. Filluan të bërtisnin: “Nxirri shpejt të gjitha paratë”. Njëri qëndronte pak më larg dhe mbante armën drejt nesh, ndërsa tjetri u afrua shumë pranë dhe armën ma kishte drejtuar mua. Ai më thoshte: “Shpejt! Nxito se të bëmë shoshë me plumba”. Menjëherë nxora të gjitha paratë që kisha me vete. U thashë që merrni gjithçka vetëm mos më cenoni familjen. Sapo morën paratë, ata u larguan në errësirë dhe humbën nga sytë. Ende nuk më besohet. Më duket si një skenë filmi aksion. Si ka mundësi të ndodhë. Jam shumë i tronditur.

Po më pas çfarë ndodhi? Për pak momente u hutuam. Nuk e morëm veten. Ishim tepër të tronditur. Pak minuta më pas telefonova numrin 129 të policisë dhe më thanë: “Nëse mundesh afrohu te një pikë karburanti dhe kërko ndihmë për momentin”. Kujtova se të paktën për 20 minuta policia do të vinte, por kaluan orë dhe policia nuk erdhi. Imagjinoni, në vendin e ngjarjes erdhën të afërmit e mi nga Ulqini dhe policia nuk erdhi. U detyrova më pas të marr në telefon ambasadorin e Malit të Zi në Shqipëri dhe i kërkova ndihmë. Vetëm pasi bëra telefonatën me ambasadorin, më ka ardhur policia. Kjo vonesë e policisë më tronditi po aq rëndë sa grabitja. Një kalimtar turist më tha: “Nuk ka si të vijë policia, se ata janë të lidhur me policin”. Unë nuk dua ta besoj këtë, por një ngjarje e tillë, të grabitësh me maska e automatikë dhe policia të mos vijë në ndihmë, në këto ditë është tepër e rëndë.

Po tani si do të veproni, do të ikni në Kosovë? Në asnjë mënyrë, mbase do të kalojë një kohë e gjatë dhe nuk do të kaloj më në këtë rrugë. Më vjen keq që ndodh në vendin dhe tokën mëmë. Por nga e gjitha kjo, përveç një goditjeje të rëndë, nga e gjithë ngjarja arrita të gjej dhe gëzhojën e automatikut me të cilën u qëllua në ajër dhe këtë gëzhojë do e mbaj si kujtim nga Shqipëria. Unë i bëj apel policisë që nëse ky vend dëshiron të këtë zhvillim dhe turizëm, duhet të ketë tjetër konsideratë për pushuesit dhe turistët. Ndërkohë, shfaqja e grabitjeve me maska dhe armë në një nga rrugët me fluksin më të lartë të turistëve në vend ka krijuar pasiguri dhe frikë te turistët.

Policia: Të dëmtuarit nuk na treguan vendngjarjen Pavarësisht dhe denoncimit publik të bërë nga familja shqiptare e Malit të Zi, Policia e Lezhës ka dhënë një tjetër version për ngjarjen. Burime nga Policia e Mirditës bëjnë të ditur se Enver Nastradini nga Ulqini është paraqitur mëngjesin e djeshëm rreth orës 07:00, tek komisariati i policisë, duke bërë denoncimin se e kanë grabitur së bashku me familjen në Rrugën e Kombit. Sipas të njëjtave burime, mësohet se pas denoncimit, Policia e Mirditës ka qenë në pritje të mbërritjes së ekspertëve dhe specialistëve të Drejtorisë së Policisë së Lezhës, por Enver Nastradini, sapo ka bërë denoncimin është larguar menjëherë, pa treguar se ku kishte ndodhur grabitja. “Megjithatë, pas hetimeve të Policisë së Mirditës është bërë e mundur gjetja e vendit të grabitjes. Enver Nastradini së bashku me familjen e tij janë grabitur në afërsi të vendit të quajtur Shpal të Rrethit Mirditë. Policia ka mundur të gjejë edhe katër gëzhoja në vendin e ngjarjes, si dhe gurët që janë përdorur për bllokimin e rrugës. Për këtë, ajo ka bërë edhe ekspertizën e vendit të ngjarjes, ndërsa gëzhojat i ka marrë dhe dërguar në laboratorin e kriminalistikës”, deklaroi zyrtarisht policia. Burime zyrtare të Policisë së Mirditës bëjnë të ditur se po punohet për zbulimin e autorëve të grabitjes, ndërsa ka nisur patrullimi në Rrugën e Kombit për të garantuar lëvizjen e lirë të njerëzve dhe sigurinë e jetës së tyre. Deri tani nuk ka asnjë të ndaluar për ngjarjen.

(Gazeta Shqip)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi