Ulqini ka traditë të madhe, klimë të shkëlqyer dhe potenciale të jashtëzakonshme për zhvillimin e bujqësisë. Mbi 60 për qind e tokës së punueshme në Bregdetin malazez gjendet pikërisht në territorin e kësaj komune.
Studimi të cilin në fillim të viteve 80 e hartuan ekspertët e Organizatës Botërore të Bujqësisë (FAO), me seli në Romë, tregoi se me përdorimin e masave bashkëkohore agroteknike fusha e frytëshme e Ulqinit dhe e Anës së Malit mund të prodhojë ushqim të shëndetshëm organik dhe me te të mbulojë nevojat e rreth 350 mijë njerëzve. Kjo shiferë është më e lartë se gjysma e popullsisë së Malit të Zi!?
Në territorin e Komunës së Ulqinit ka rreth 1.900 amvisëri bujqësore, ndërsa kjo situatë ndikon në kthimin më të fuqishëm kah fshati dhe bujqësia. Në favor të kësaj do të jenë edhe subvencionet më të larta të cilat i paralajmëruan organet shtetërore dhe komunale.