Ferma bujqësore në Shas si pasuri shembullore e Malit të Zi

Para më shumë se katër dekadash, ekspertët e Organizatës Botërore për Bujqësi (shkurtesa në anglisht: FAO) kanë kryer kërkime në territorin e Ulqinit dhe kanë raportuar se brendësia frytëdhënëse e kësaj komune mund të përmbush nevojat e rreth 350,000 njerëzve për ushqim organik.

Është fakt se fushat e Ulqinit dhe Anës së Malit, respektivisht Shasit, historikisht kanë ushqyer banorët e kësaj krahine, por edhe turistët dhe vizitorët me artikuj ushqimor tejet cilësorë, kurse pazari i Ulqinit ishte dhe vazhdon të jetë një nga tregjet më të furnizuara dhe më të lira në tërë Adriatikun.

Mirëpo, kryesisht bëhej fjalë për prodhues të vogël, individual. Prandaj u lind nevoja për unifikimin e të paktën një pjese të prodhimit. Pas përgatitjeve të gjata, këtë gjë e bëri kompania “Voli” nga Podgorica, e cila në fund të vitit 2017 mori me qira tokën bujqësore në Shas që ishte në pronësi shtetërore.

“Qëllimi ishte që konsumatorëve t’i ofrohen produktet tona nga fushat tona dhe që me mbjelljen e planifikuar të reduktojmë importin e produkteve bujqësore nga jashtë vendit, duke i dhënë mundësi konsumatorit përfundimtar të marrë pemë dhe perime të freskëta direkt nga toka në raftet e dyqaneve me pakicë ”, thonë nga “Voli ”.

Fal vizionit, punës profesionale dhe angazhimit, kjo fermë, e quajtur ”Kopshti ynë”(në gjuhën malazeze Naša bašta),  u bë pasuri shembullore e Ulqinit dhe Malit të Zi. Ajo shtrihet në sipërfaqe prej 70 hektarësh, nga të cilat rreth 65 ha janë tokë e punueshme bujqësore. Toka është marrë me qira për 15 vjet, kurse zgjatja e qirasë për 15 vite të tjera varet nga investimi i kompanisë “Voli” në kapacitetet përpunuese të kësaj ferme.

“Produktet e Volit nga Shasi tash disa vite janë prezente në treg dhe tashmë kanë konsumatorë të rregullt. Janë më të ngjashme me prodhimet vendase, sepse qëllimi parësor është të shmanget përdorimi i kimikateve, përveç i atyre që janë më të nevojshme, dhe të jenë të dallueshme për nga shija, aroma dhe freskia, e jo për nga uniformiteti i frutave dhe pamja perfekte. Prodhimtaria ideale në sipërfaqe të mëdha është e pamundur pa mjete mbrojtëse, mirëpo është treguar që gjendja shëndetësore e bimëve dhe beteja me dëmtuesit mund të kontrollohet me përdorimin minimal të pesticideve. Konsumatorëve u ofrohen produkte cilësore me aromë dhe shije si ato që i vjelin në kopshtin e tyre”, theksojnë nga kjo kompani.

Për prodhuesit individual është me rëndësi që në Shas është formuar pika grumbulluese, ku bëhet blerja dhe plasimi i vazhdueshëm i produkteve bujqësore. Prodhuesit lokal nga krahina e Anës së Malit që bashkëpunojnë me kompaninë “Voli” thonë se janë shumë të kënaqur me shitjen e produkteve të veta.

Teksti u krijua në kuadër të projektit për promovimin e potencialeve të bujqësisë dhe turizmit në komunën e Ulqinit, të financuar nga Ministria e Kulturës dhe Mediave, nga Fondi për Inkurajimin e Pluralizmit dhe Diversitetit në Media. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi e OJQ “Ul info” dhe jo domosdoshmërisht pasqyron qëndrimet e Ministrisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi