Shoqata e serbëve të Shqipërisë me qendër në Rreth Libofshë në bashkëpunim me zyrën e përbashkët të serbëve në rajon ka çelur në Hamil, komuna Dërmënas, kursin e gjuhës serbe.
Ceremonia e nisjes së mësimit të kësaj gjuhe, është zhvilluar në mesditën e së shtunës në ambientet e godinës së krijuar në këtë fshat. Përfaqësues të kësaj shoqate, banorë të zonës, banorë të komunitetit serb, fëmijë të këtij komuniteti, por jo vetëm ata, kanë marrë pjesë në këtë ceremoni, ku ishte i pranishëm dhe ambasadori i Serbisë në Tiranë, Miroljub Zariç.
Drejtuesi i shoqatës serbe të Shqipërisë, Jedinstvo Qerem Duleviç, tha se mësimi i gjuhëve është kulturë e sidomos mësimi i gjuhës amtare. Ndërsa ambasadori Zariç e konsideroi këtë kurs mësimor të gjuhës si një urë lidhëse mes dy popujve. Ky është kursi i dytë që çelet në rajonin Fier, pas atij të hapur në Rreth Libofshës.