Ndihem jashtëzakonisht i nderuar dhe i gëzuar që në emër të komunës së Ulqinit dhe vehtes t’ju uroj mirëseardhjen dhe t’ju falënderoj përzemërsisht që me praninë tuaj e bëni festën tonë më të madhe.
Ky qytet, një nga më të vjetrit në bregun lindor të Adriatikut, ka rrënjë të thella, dhe emri dhe fama e tij u përhapën në të gjithë Mesdheun nga detarët dhe tregtarët tanë, ndërsa bukuria e tij unike natyrore, harmonia ndërkulturore dhe mikpritja e bënë Ulqinin të famshëm në të gjithë Evropën.
Prandaj është një privilegj të jetosh në qytetin e diellit, kripës dhe ullinjve dhe një përgjegjësi e madhe mbi ne që jemi sot në krye të tij.
Dhe për këtë kemi qenë plotësisht të vetëdijshëm kur e morëm menaxhimin e kësaj komune dhjetë muaj më parë, saktësisht 300 ditë më parë. Me shumë punë, mund e përkushtim e mbi të gjitha dashurinë për Ulqinin, rezultatet nuk munguan. Dhe ne sapo filluam!
Mendoj se Ulqini tani është një qytet prej nga vijnë lajmet e mira, i cili shquhet për cilësitë e tij të bukura, për krijuesit e tij kulturorë, sportistë e sipërmarrës, nxënës dhe studentë që arrijnë suksese në garat rajonale dhe ndërkombëtare.
Dhe të gjithë ata kanë dhe do të kenë mbështetje të plotë të pushtetin e tyre vendor!
Që arritëm ta fitonim besimin e qytetarëve në një kohë të shkurtër rekord, duket më së miri në faktin se tani ata paguajnë taksat me zell, sepse kanë besim në administratën e tyre vendore dhe e dinë që këto para nuk shkojnë në xhepat e individëve dhe as nuk derdhen kot. Dhe kjo është arsyeja pse ka mjaft para që të mund të planifikojmë dhe organizojmë në mënyrë të pavarur komunën tonë.
Të dashur miq, megjithëse jemi relativisht të rinj, kemi mësuar se është e vërtetë që është më mirë të humbasësh para sesa besimin!
Dëshira jonë është që të gjithë njerëzit të kenë vendin e tyre të merituar, të jenë të dobishëm për shoqërinë me punën e tyre të ndershme dhe atë ta njohë dhe ta vlerësojë komuniteti. Prandaj na duhen institucione urbane të përshtatshme për kohën e sotme.
Ne gjithashtu duhet të forcojmë inovacionin dhe sipërmarrësitë lokal dhe, si një komunitet i vogël, të qëndrojmë të hapur duke ruajtur kulturën dhe traditën tonë të pasur.
Ne kemi krijuar parakushtet për këtë. Kemi bashkëpunim të shkëlqyer me partitë që përbëjnë koalicionin qeverisës dhe dua të shfrytëzoj rastin t’i falënderoj ato përzemërsisht. Kemi edhe një pjesë të opozitës përgjegjëse, e cila e kupton rolin e saj në një shoqëri demokratike.
Dhe ajo që na bashkon në një komunitet nuk është ajo që ishim dje, por ajo që do të ndërmarrim së bashku nesër.
Veçanërisht dua të theksoj se të gjitha sukseset tona nuk do të ishin të mundura pa mbështetjen e jashtëzakonshme të Qeverisë së Malit të Zi, në radhë të parë të kryeministrit, Dritan Abazoviqit, Ulqinkut tonë dhe bashkëpunëtorëve të tij. Çdo banor i Ulqinit e sheh, e njeh dhe e vlerëson shumë punën e palodhshme të Dritanin për Ulqin! Faleminderit shumë, i dashuri Dritan!
Edhe pse, siç thotë një mik i jonë e përbashkët, Ulqini është si nëna. Gjithçka që bëjmë për qytetin tonë është e vogël. Askush nga ne individualisht nuk mund t’i japë kurrë këtij qyteti atë që Ulqini tashmë i ka dhënë.
Prandaj jam jashtëzakonisht i lumtur që e kemi rifituar besimin në vehten, që me krenari mund të themi se jemi nga Ulqini dhe që edhe një herë lavdia e këtij qyteti është shumë më e madhe se përmasat e tij hapësinore. Sepse mbi të gjitha një qytet e bëjnë njerëzit.
Prandaj secili nga ato, qoftë në Ulqin apo kudo tjetër në botë, është shumë i rëndësishëm për ne. Poashtu edhe të gjithë ata që e duan këtë qytet, kudo që janë.
Sido që të jetë, kemi shumë sfida përpara, por jam i sigurt se faza e zhvillimit të hovshëm e Ulqinit ka nis dhe do të vazhdojë për një kohë të gjatë. Si fillim le të përgatitemi sa më mirë për sezonin e ardhshëm turistik, i cili do të jetë shumë i suksesshëm dhe që praktikisht ka filluar. Ndërsa do të bëjmë gjithçka që vitin e ardhshëm, pra 90 vjet pas themelimit të Kripores, të mbledhim përsëri kripë në vendin tonë.
Andaj urime festa të dashura ulqinake dhe ulqinakë si dhe të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë që e kanë Ulqinin në zemër.
Faleminderit shumë!
Gëzuar!