Bashkësitë lokale përfaqësojnë një formë të drejtpërdrejtë të përfshirjes së qytetarëve në kryerjen e punëve publike dhe në krijimin e politikave publike në nivel lokal, që nënkupton që qytetarët të vendosin dhe të marrin pjesë në vendimmarrje për realizimin e nevojave dhe interesave lokale në fusha të tilla si vendbanimi, planifikimi, banimi, mbrojtja e konsumatorëve, kultura, kultura fizike, mbrojtja dhe përmirësimi i mjedisit, si dhe fushave tjera të jetës dhe punës, në përputhje me statutin e komunës. Bashkësitë lokale, në pajtim me Ligjin, kanë formë të drejtpërdrejtë të vetëqeverisjes lokale me status të personit juridik në kuptim të të drejtave dhe detyrimeve të përcaktuara me statutin e komunës dhe aktin themelues. Me vendimin për themelimin e bashkësive lokale, komuna e Ulqinit rregulloi kushtet e themelimit, detyrat, organet dhe procedurën e zgjedhjes së tyre, organizimin dhe punën e organeve, mënyrën e vendimmarrjes, mënyrën e financimit dhe çështjeve të tjera me rëndësi për punën e bashkësive lokale. Në vendimin e Komunës theksohet se bashkësia lokale është pjesë e sistemit unik të vetëqeverisjes lokale dhe se është krijuar për të përmbushur nevojat dhe interesat e popullatës lokale, ndërsa popullsia (së paku 5% e qytetarëve nga zona për të cilën propozohet krijimi i Bashkësisë Lokale) propozon nismën dhe zyrtarizohet nëpërmjet asamblesë së qytetarëve ngritja e saj si dhe Këshilli që e drejton.
E gjithë kjo duket se është e rregulluar me një bazë të mirë funksionimi, por siç është rasti me shumë fusha tč intervenimit në Mal të Zi, përfshirë edhe komunën e Ulqinit, është zbatimi i normave ligjore. Përkatësisht, bashkësitë lokale në Ulqin janë formuar “brenda natës” në vitkalimin 2013- 2014 për shkak të obligimit ligjor dhe afatit të ngushtë për themelimin e tyre. Domethënë, është një fakt interesant se në atë periudhë sektori civil punoi në terren për të krijuar kushte për formimin e bashkësive lokale, dhe më pas përpjekjet e tyre për të krijuar një sistem efikas u shkatërruan me “një vendim të shpejtë, dhe proces ekspeditiv dhe efektiv të paparë” drejtuesit e komunes. Në atë kohë u formuan 11 bashkësi lokale, për të cilat pas një viti sekretari i atëhershëm tha (marrë nga Portali Ul Info) se “vetëm një numër i vogël nga gjithsej 11 bashkësitë lokale në territorin e komunës janë aktive… Edhe bashkësitë e mëdha lokale nuk funksionojnë për një kohë të gjatë, siç janë bashkësitë lokale 1. dhe 2. të cilat ndodhen në qytet”. Këto fjalë mund të përsëriten deri më sot, dhe ka shumë gjasa që ato të mund të aplikohen edhe në një periudhë të caktuar të ardhshme. Edhe pse tani janë formuar 14 bashkësi lokale, të gjitha ato janë praktikisht të padukshme dhe pasive, me përjashtim të bashkësive lokale “Bratica” dhe “Shtoj” të cilat janë të dukshme në një masë të caktuar.
Meqenëse bashkësitë lokale kanë funksionin e përcaktimit të problemeve dhe prioriteteve në një zonë të ngushtë, si një vendbanim ose fshat, ose disa vendbanime ose fshatra të afërt që nuk mbulojnë një territor shumë të gjerë dhe veçanërisht një numër jo të madh të qytetarëve, Bashkësitë Lokale I dhe II përfshijnë 59% të popullsisë sipas regjistrimit të vitit 2011, me faktin e qartë se ky numër është shumë më i lartë sepse përfshin zonën që përfshin Mahallën e Re, qendrën e qytetit, Totoshin, Kodrat, Gjeranen I dhe II, Malin e Bardhë, Pinjeshin, Qytetin e vjetër dhe Meterizin. Prandaj, shtrohet pyetja se si mund të funksionojnë në mënyrë efektive Këshillat e këtyre bashkësive lokale, të cilat kanë nga dy anëtarë, dhe të cilët nuk organizojnë kuvende qytetare, as nuk përfaqësojnë problemet dhe nevojat e territorit që mbulojnë dhe të qytetarëve që përfaqësojnë, si edhe as ta kryejnë rolin e tyre të përcaktuar me ligj.
Në bazë të hulumtimit që është bërë, në të shumtën e rasteve qytetarët nuk janë konsultuar as për zgjedhjen, as për nevojat/problemet, një pjesë e caktuar nuk e dinë se cila është bashkësia etyre lokale, as cili është roli i saj dhe kush e përfaqëson atë, ndërsa vetëm një pjesë e vogël e qytetarëve kanë njohuri për funksionimin e bashkësive lokale. Përkatësisht, bashkësitë lokale janë të obliguara të japin raporte për punën e tyre, por asnjë bashkësi lokale nuk e ka bërë këtë, as nuk ka informata të publikuara për këtë çështje. Po ashtu, bashkësitë lokale financohen nga komuna e Ulqinit dhe pa hyrë në sasinë e këtyre mjeteve, është e nevojshme që Këshillat e bashkësive lokale t’i informojnë ata që i përfaqësojnë, si dhe të gjithë qytetarët e Ulqinit, sepse janë paratë e tatimpaguesëve.
Nga ana tjetër, financimi i komunës ndaj komuniteteve lokale është tërësisht jotransparent, ndërsa në të njëjtën kohë komuna nuk ka ofruar kushtet elementare për funksionimin e bashkësive lokale. E diskutueshme është edhe mënyra e zgjedhjes së Këshillit, dhe shumica e Këshillit nuk ka mandat që të ketë bazë ligjore formale për të funksionuar. Struktura administrative e komunës së Ulqinit, me disa përjashtime, nuk vendos kontakte të rregullta me bashkësitë lokale, gjë që tregon ekzistencën e thjeshtë formale të bashkësive lokale, dhe se ato përdoren vetëm për të kënaqur aspiratat politike të qytetarëve të caktuar.
Bashkësitë lokale u shërbejnë qytetarëve, ato janë lidhja ndërmjet komunave dhe vendbanimeve lokale dhe paraqesin bazën për zhvillimin e politikave zhvillimore lokale. Ajo që është e rëndësishme dhe që del nga dispozitat ligjore dhe shembujt e praktikave të mira është se komunitetet lokale i përkasin njerëzve të vendbanimit të synuar, ato duhet të jenë gjithëpërfshirëse, të hapura për të gjithë qytetarët, transparente dhe t’u përgjigjen nevojave të popullatës lokale, të cilët në të njëjtën kohë kanë të drejtë të zgjedhin se kush do të jetë përgjegjës për zhvillimin dhe zgjidhjen e problemeve të tyre.
Por është evidente se mbretëron apatia civile dhe pasiviteti. Qytetarët në thelb nuk janë të interesuar të inkurajojnë efikasitetin e komuniteteve lokale. Edhe pse shumica e qytetarëve përmes anketës u shprehën se ishin të interesuar për të marrë pjesë në punë dhe se nuk ishin konsultuar për problemet e komunitetit lokal (mbi 63%), shumë më i madhë është numri atyre qytetarëve (mbi 71%) që as personalisht dhe as në një grup me qytetarë të tjerë nuk u përpoqën të nisnin ndonjë iniciativë për zgjidhjen e ndonjë problemi në bashkësinë lokale. Një nga shembujt e mëvonshëm të organizimit të mirë të qytetarëve nga vendbanimi është formimi, përkatësisht ndarja e bashkësisë lokale “Pistula”, me qëllim të zgjidhjes së problemeve dhe nevojave të tyre. Prandaj, vetëdija e qytetarëve për funksionimin e bashkësive lokale është shumë e ulët, ndërsa autoritetet lokale ende mendojnë se mund të dinë më shumë për nevojat e vendbanimeve sesa njerëzit që jetojnë në ato vendbanime.
Prandaj, qytetarët kanë të drejtë të vendosin për vendbanimin e tyre, rrethinën e tyre dhe komunitetin në të cilin jetojnë, dhe kanë të drejtë të debatojnë dhe diskutojnë për nevojat e vendbanimit të tyre, si dhe të drejtën për një komunitet lokal efikas dhe funksional. Nëse dikush po pyet pse është i kjo e rëndësishem dhe nga buron kjo e drejtë?! Epo, thjesht, sepse është detyrim ligjor, sepse është përgjegjësi e komunës, sepse është përgjegjësi e Këshillit të bashkësive Lokale dhe së fundi sepse të gjitha e paguajnë qytetarët.
Qytetarët duhet ta dinë se mund të ankohen, të muhabetin dhe të “flasin” për politikën dhe mosfunksionimin e sistemit, por duhet të jenë të vetëdijshëm se pa iniciativën e tyre dhe pa dëshirën për të pyetur për lagjen e tyre, të gjitha bisedat e tyre do të mbeten, ashtu si dhe funksionaliteti i bashkësive lokale, bile edhe më keq – “jo as një shkronjë e vdekur në letër, por një shkronjë e shkruar në akull”.
A prisni që dikush nga një lagje apo qytet tjetër të vërejë ndonjë problem brenda shtëpisë tuaj?! Shpresoj që jo… prandaj qytetari duhet të veprojë.
P.S. Bashkësitë lokale kanë harruar plotësisht se gratë ekzistojnë si pjesë e vendbanimeve të tyre dhe kanë harruar “rastësisht” të përfshijnë gratë në punën e bashkësive lokale, siç thonë shumica, me pretekstin se “ato nuk janë të interesuara”, edhe pse shumica e qytetarëve e shohin nevojen dhe rëndësinë e përfshirjes së grave në punën e bashkësive lokale (pothuajse 87%). Poashtu, të gjitha vendimet e marra nga çdo bashkësi lokale janë të pavlefshme dhe juridikisht të pavlefshme, sepse ligji parashikon nevojën që Këshillat të kenë 30% të grave në përbërjen e tyre. Por është me rëndësi se po promovohet barazia gjinore!
Ky shkrim u krijua në kuadër të projektit “Qytetarisht dhe vullnetarisht – politika gjinore aktive për Ulqinin!”, që zbatohet nga Instituti Punta, i cili u mbështet në kuadër të programit “OJQ-të në Mal të Zi – nga shërbimet bazë deri te formësimi i politikave – M’BASE” i zbatuar nga Qendra për Edukim Qytetar (CGO), Friedrich-Ebert-Stiftung (FES), Qendra për Mbrojtjen dhe Studimin e Zogjve (CZIP) dhe rrjeti Politikon. Projekti financohet nga Bashkimi Evropian dhe bashkëfinancohet nga Ministria e Administratës Publike e Malit të Zi.
Përmbajtja e këtij shkrimi është përgjegjësi vetëm e OJQ Instituti Punta dhe nuk pasqyron detyrimisht qëndrimet dhe pikëpamjet e CGO-së, Bashkimit Evropian ose Ministrisë së Administratës Publike.