Ditë më parë nga shtypi doli libri më i ri i kronistit ulqinak, Ismet Karamanaga, me titull “Ulqini florini – Portrete, in memoriame IV”. Që nga titulli mësojmë se kemi të bëjmë me librin e katërt, tashmë, të bibliotekës së formuar “Ulqini florini”. Në të vërtetë ky është libri i gjashtë i autorit Ismet Karamanaga i cili me formimin e kësaj biblioteke ka kontribuar në krijimin e një arkivi të vërtetë me portrete të njerëzve që në shikim të parë janë të zakontë por siç parapëlqen Ismeti të thotë “markant”.
Një qytet nuk përbëhet vetëm nga godinat, çfarëdo qofshin ato të mëdha apo të vogla. Një qyteti, frymë dhe zemër i japin njerëzit e vet që jetojnë aty. Mu këta njerëz që çdo ditë, me aq sa munden, i kontribuojnë qytetit të vet me bëmat e veta. Me punët e veta të rëndomta e të përditëshme çdonjëri prej protagonistëve të Ismet Karamanagës që gjenden brenda këtyre librave bëjnë që jeta e qytetit, në këtë rast Ulqinit, të jetë më i hareshëm, më i mirë dhe më i këndëshëm.
Më kujtohet puna që bënim në gazetën “Kronika” në vitet e largëta 1998-2000. Atëbotë me entuziazëm, ne redaksia e gazetës Kronika, hapnim rubrika të ndryshme në këtë gazetë me qëllim që sa më shumë të dëshmojmë historinë, traditën dhe vlerat e Ulqinit me rrethinë. Atëbotë njerëzit ngurronin të ndanin me ne përjetimet dhe historitë e veta, pak nga frika që u kishte mbetur nga sistemi monist por më shumë nga mospërvoja e dhënieve të intervistave. Rrjetet sociale nuk ekzistonin andaj edhe sfidat ishin të shumta. Përveç rubrikës për historinë e Ulqinit atëbotë kishim hapur edhe rubrikën “Mbledhim fotografi të vjetra” që ishte shumë e suksesshme. Në redaksi, si kërkesë e kohës jepet ideja e hapjes së rubrikës së bisedës me njerëz të rëndomtë dëshmitarë të shumë ngjarjeve të qytetit. Të gjithë njëzëri e përkrahëm, por shkrimtari Hajro Ulqinaku i cili edhe duhej zhvilluar bisedat kishte një kusht. Të fillohej me portrete të Kapidanave e pastaj të zgjërohej cikli i intervistave me mësuesit e parë, detarët, peshkatarët dhe qytetarë të profileve tjera. Nga këto biseda që botoheshin në Kronikë atëherë njëherazi dolën edhe pesë libra të tipit monografi.
Që nga ajo kohë,përveç Hajro Ulqinakut, kontributi i Ismet Karamanagës është i padiskutueshëm. Sot me realtitetin e ri “Rrjetet sociale” ka bërë që Ismeti të shndërrohet në një kronikan të vërtetë të qytetit të Ulqinit. Së pari përmes profilit të tij në FB, Ismeti na sjell portretet e këtyre njerëzve të mirë, të rëndomtë e “markant” dhe bëmat e tyre që i veçojnë nga të tjerët. Pastaj ato i boton në revistëne vetme në gjuhën shqipe që botohet në Mal të Zi, “Koha javore” dhe sot këto shkrime marrin një formë të re të përmbledhura në një vend përmes librit të gjashtë “Ulqini florini – Portrete, in memoriame IV”. Po marr guximin dhe po bëj një krahasim. Ashtu siç Fadil Kroma, tashmë i ndjerë, i cili në kuadër të bibliotekës kishte themeluar “Fondin e librave të vendlindjes” kësisoji edhe Ismet Karamanaga përmes këtyre librave ka vënë themelet e “Historikut të Ulqinit përmes portreteve të atyre që kanë lënë gjurmë për këtë vend”. Andaj edhe plotësisht pajtohem me Mustafë Cankën kur konkludon se “nëse Ismeti nuk do ta kishte bërë këtë punë të vështirë zorë se ndokush do të ishte në gjendje ta kryente andaj këtë punë duhet lavdëruar dhe çmuar”.
Ismet Karamanaga nuk është vetëm një kronikan i thjeshtë, ai përmes këtyre portreteve dhe in memoriameve veten e ngirt në pozitën e një interkulturalisti. E them këtë sepse mes këtyre njerëzve “markant” janë ulqinakë të të gjitha moshave, gjinive, feve, gjuhëve apo ngjyrave. Madje këtu gjejnë vend edhe njerëz “markant” nga Tivari e Budva por që i lidh Ulqini.
Ky libër që kemi në dorë përbëhet nga pesë kapituj me afërsisht 50 portrete dhe inmemoriame të shkruara me një gjuhë lehtë, të kuptueshme, të rrjedhshme dhe shumë tërheqëse për lexuesin. Kjo monografi përveç këtyre shkrimeve që i burojnë nga shpirti e që sjellin edhe shumë të dhëna interesante për njerëzit që Ismeti i quan “markant” fushëveprimi i të cilëve është i ndryshëm, si tërësi, përmban edhe një kapitull me tekste aifrmative nga fusha e turizmit. Vlenë të theksohet se kontributi i Ismet Karamanagës si kronikan nuk është vetëm me tekstet e tija, ai përmes aparatit të vet fotografik bën të përjetshme edhe çaste të ndryshme nga jeta e përditshme nga Kalaja e Ulqinit por edhe nga qyteti në përgjithësi. Pra, kontributi i tij është i shumëfishtë. Redaktor i librit është Nail Draga. Konsulent Ali Llunji, recensent Mustafa Canka, redaktor gjuhësor Ismet Kallaba kurse kopertinën me shumë përkushtim e ka punuar Sejdo Ismaili. Për punën e tij të palodhshme Ismet Karamanaga është edhe laureat i shumë mirënjohjeve prej të cilave veçon dy me të cilat është më krenar: Çmimi i fituar në vitin 2015 në Tiranë nga Shoqata “Pegasi” si dhe ajo nga Komuna e Ulqinit në vitin 2022 me motivacion “Për rezultate të jashtëzakonshme si dhe kontributin e dhënë në fushëveprimtarinë e vet”.
Mbyll këtë shkrim me një konstatim të dr Nail Dragës i cili thotë: “… nëse në të ardhmen do të botohet ndonjë monografi e Ulqinit kushtuar personaliteteve që kanë jetuar dhe vepruar në një kohë të caktuar në këtë qytet, librat e Ismet Karamanagës duhet të merren parasysh sepse janë librat e vetëm deri më tani, me përmbajtje të tillë, në Ulqin dhe më gjërë”.