G.Çitaku: KOLOSËT ULQINAK – 85 VJET SHOQËRI

Çka është shoku? Çka përfaqëson ai? A ka sot shokë?

Po ia bëj këto pyetje vetes mu në këtë moment kur dielli po puqet me detin. Bonacë. Jam duke shijuar pamjen magjepse të perëndimit të diellit në Valdanos dhe nuk e di pse mu në këto çaste më preokupon çështja e miqësisë. A janë dielli e deti shokë? Janë po si nuk janë. Madje kur kujtoj shoqërinë time të adoleshencës më gjason me amplitudën e këtij dielli dhe deti. Dikur në Ulqinin e shekullit të kaluar vinim për pushime verore që në fillim të qershorit kurse gjysma e shtatorit na kthente mbrapshtë në shtëpitë tona athua se kishin kaluar vetëm disa orë. Ne, gjysmë-ulqinakët (disa prej nëne e disa prej babait), vinim nga brendia e kontinenti, të bardhë si djathi dhe ktheheshim katran të zi. Unë, Beni, Besi, Makushi, Iliri dhe shokë tjerë që ndrroheshin sipas viteve gjenim shokët nga Ulqini të cilët ishin të shumtë si Genci, Sajoja, Ylberi, Gzimi, Fredi, Edi, Remzi etj. Rrinim së bashku dhe diskutonim për gjërat nga më të çuditshmet, ulqinakë dhe gjysmë-ulqinakë, luanim  lojëra të ndryshme në detë e në tokë. Ishim të shumtë në numër dhe kur mblidheshim të gjithë në plazhin e Ludvigut, bota ishte e jona. Plazhi për ne fillonte që në mëngjes dhe mbyllej pak para mbrëmjes, nganjëherë nuk na delte vetëm dita andaj aventurat i vazhdonim edhe në mbrëmje. Të veçanta bëheshin mbrëmjet në korzon pranë detit. Promenada e të rinjve veshur me rrobat e modës së fundit dhe shkuarja në diskoteka ku muzika moderne e rinisë sime edhe sot pas 40 vitesh ende dëgjohet me ëndje, shënonin kulmin e aktiviteteve të ditës që po ju them me sinqeritet 24 orë nuk mjaftonin. Plazh, detë, sanall, peshkim, lojëra në detë, këngë live me kitare, hoka, korzo, kinema, diskotekë dhe të gjitha këto për çdo ditë e natë vetëm me ndonjë ndryshim të vogël në renditje të bën që të konkludosh se ato vite me të vërtetë ishin vite të arta. Andaj, të shtyjnë të mendosh se sa me fat kemi qenë që përjetuam dhe ishim jemi pjesë e shumë ngjarjeve sa historike aqë edhe kulturore. Pastaj u rritëm dhe ashtu të papërgatitur të ndodhur në atë idilë barbarët na befasuan me ringjalljen e tyre, ashtu të ndytë, të parruar, me flokë të shprishura, sy të kuq e të etur për gjak. Derisa ne me kitarë i këndonim rinisë dhe të bukurës, barbarët me altoparlantë ndjellnin mord dhe nxitnin urrejtjen. Filloi fatkeqësia dhe rënia e çdo vlere njerëzore. Rrëzohet kulla…

Po ti kthehem edhe një herë shokëve. Thashë ishim gjysa-gjysa. Të gjithë fëmijë të prindërve intelektualë dhe për kohën të njohur dhe shumë të respektuar në shoqëri dhe në qytetin ku jetonim. Beni ka baba shkrimtarin Hajro Ulqinakun, Besi piktorin Abdullah Gërgurin, Alberti është djali i Ali Llunjit, Agoni djali i Ruzhdi Ushakut etj. Kështu, unë që në fëmijëri të hershme u njofta më për së afërmi me ulqinakët më të mëdhenj, atëherë dhe sot, si Hajroja, Ruzhdiu apo Aliu e që të tre sot kanë nga 86 vjeç apo së bashku 258 vjet. Të gjithë ne shokët gjysmëulqinakë pra kishim prindër intelektualë dhe të respektuar. Me vite të tëra u shoqëruam çdo verë, deri sa erdhën barbarët dhe na i trazuan ujërat. Sot prej të gjithë këtyre vetëm me disa ende i mbajmë lidhjet përmes rrjeteve sociale të tjerët i ka rrëmbyer jeta, dikë në Angli, dikë në Gjermani e gjetiu.

Por, shekulli i ri erdhi dhe shokët e mi ndrruan vendet. Tani duke jetuar në Ulqin më shumë rrija me prindërit e miqve të mi se sa me ta. Benin e zavendësova me Hajron. Tani më shpesh takoja Ruzhdiun sesa Agonin. Duke ndenjur me ta kisha çtë mësoja. Ngadalë pa vërejtë u gjenda brenda anijes ku ndodhej gjenerata e artë e ulqinakëve. Duke ditë dhe praktikuar kodin e odave drenicake dëgjoja se çka kuvendohej e punohej në anijen ku ndodheshin Hajro Ulqinaku, Bahri Brisku, Simë Gjon Dobreci, Ruzhdi Ushaku, Ali Llunji etj. Dhe më besoni, kishe çtë dëgjoje, kishe çtë shihje dhe mësoje.

Të gjitha këto mendime që po më kalojnë nëpër kokë janë pasojë e prezencës time në një ngjarje kulturore ndodhur një natë më parë. Në të vërtetë isha në takimin që u zhvillua për nderë të Ruzhdi Ushakut. Salla e vogël e shkollës së muzikës në Ulqin me të vërtetë ishte shumë e vogël që të pranonte ajkën e ulqinakëve që kishin ardhë për të nderuar profesor Ruzhdiun.

Po, kjo verë do të mbahet gjatë në mend sepse për here të parë, sa mbaj mend unë, në një periudhë të shkurtër kohore Ulqini nderoi tre djemt e vet. Djemt e detit. Së pari u mblodhëm më 9 maj për familjen Llunji dhe takuam Ali Llunjin. Pastaj më 14 qershor na mblodhi Hajro Ulqinaku me botimin e tij të Glosarit iktiologjik dhe mbrëmë më 29 qershor u mblodhëm për Ruzhdi Ushakun. Djemt e detit dhe po, mu këta tre, së bashku me të ndjerin Bahri Brisku janë katër shtyllat kryesore të gjeneratës së artë të normalistëve ulqinakë të Prishtinës.

Duke dashtë që të zë një vend në sallë u ndala dhe përshendeta profesor Ushakun.

Ti je Çitaku – pëshpëriti.

Po, – iu përgjigja dhe nuk e di se si u përmbajta, apo nodshta tavolina që ishte në mes më pengoi, e nuk e përqafova.

Megjithatë ajo çka më përmbushi emocionalisht ishte përqafimi i dy shokëve që niheshin plot 85 vjetë. Hajro Ulqinaku uron dhe përqafon shokun e vet të fëmijërisë, Ruzhdi Ushakun. Lindur dhe rritur në të njëjten lagje, larg njëri tjetrit vetëm dy apo tri shtëpi dhe me diferencë moshe prej vetëm dy ditëve, sot ata dy së bashku ashtu të përqafuar nënshkruajnë librin plot 172 faqesh (lexo vjet). Ja pra shokë, kjo është miqësia e përhershme. Çdo gjë ka ngritjet dhe rëniet por shokët e fëmijërisë mbesin përgjithmonë. Ky çast emocianl i dy viganëve ulqinakë të shtyn të lundrosh nëpër detin e pafund të mendimeve dhe kujtimeve. Të kthen mbrapa në kohë në kohën kur çdo gjë ishte më e thjeshtë, më e ngadaltë por padyshim më e sinqertë.


(Kjo ese është botuar më 04.07.2024 në Kohën javore, Nr. 1114)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi