Dje, 14 nëntor datën kur u mblodh kongresi i Manastirit, Kongresi i Abetares , në Ulqin e shënuam këtë datë me tubim paqësor dhe demokratik, për të dëshmuar se kemi dinjitet dhe duam ta mbrojmë atë, se duam barazi, jemi popull autokton këtu dhe duam të na i respektojnë të drejtat tona elementare të njohura me çdo konventë ndërkombëtare e me çdo ligj njerzor.
Komentet dhe vlerësimet janë nga më të ndryshmet, dhe e ndiej obligim të sqarohem.
Dikush këtë numër që është tubuar sot e quan të vogël, por i përgjigjem se ky numër dje ishte më i vogël, sot është me i madh dhe do vazhdojë çdo ditë e më shumë të rritet , e sidomos do rritet nëse i lëmë anash dallimet politike, fetare e krahinore.
Komentet se kishte mundësi që të organizohet më mirë iu përgjigjem që duhet ta kenë parasysh se organizatorët kishin vetëm qëllime të mira, janë prindër vullnetar dhe dashamirë e atdhetarë, dhe jo institucione të cilëve iu bëjmë thirrje të punojnë në këtë çështje.
Shpresoj që mesazhi për politikanët shqiptar të mos keqinterpretohet. Si prindër fëmijët janë diçka e shenjtë që kemi, andaj kërkuam ti lëni ndasitë, u kërkojmë të bëheni bashkë për çeshtjen e arsimit dhe duam rezultate konkrete, ne populli juaj bijtë e bijat e të cilit jeni edhe ju ju mbështesim, jemi me ju.
Peticioni që filloi dje të nënshkruhet aktualisht ka 528 (14.11.14—18:00 h) mbështetës dhe nënshkrimi do vazhdojë edhe ditët në vijim. Nesër planifikohet që vullnetarët të gjinden në Krajë ,ku mbahet aktiviteti Dita e Gështenjës, ndërsa për ditët tjera do të lajmërojmë…
Edhe një herë falënderoj të gjithë ato që sot ishin aty. Pjesmarrja juaj dëshmoj që jemi në rrugën e drejtë dhe them që të gjithë ju jeni organizatorë dhe nismëtar e po ashtu vazhdimtar të çështjes që ka dy dekada që herë pas here potencohet.
Falenderoj të gjithë ato persona publik që përfaqësuan subjekte e institucione, politikanë, diasporën në veçanti atë në SHBA prej nga erdhën mesazhe mbështetjeje, e poashtu shoqatat dhe OJQ nga vendi.
Mbështetja publike nga Vetëvendosja na kurajon të presim për mbështetje në nivel të ministrive nga të dy shtetet shqiptare.
Faleminderit të gjithë mediumeve që na dhanë hapsirë duke transmetuar informacione tek publiku dhe lexuesi, qofshin ato të shkruara, vizive apo elektronike.
Falenderoj të gjithë ato persona që u angazhuan për posterin e protestës, lajmërimin tek njësia policore të aktivitetit, tek policia komunale, printimi i posterëve, fletushkave, peticionit, tabelave ngjitja dhe shpërndarja e tyre në tërë territorin e komunës së Ulqinit, zërimin profesional, xhirimin profesional, personat e angazhuar për sigurim, ato që lajmëruan dhe sollën dashamir për pjesmarrje dhe nënshkrim të peticionit etj etj.
JU FALEMINDERIT
Të nderuar, vazhdojmë të gjithë bashkë, çështja e arsimit na përket të gjithëve, të kontribojmë të gjithë aq sa mundemi dhe nga pozitat që kemi.
FOTO: Fisnik Dobreci (FB)