Gani Elezi: FITORE E MADHE E DEMOKRACISË SHQIPTARE

ganiu_817728149Demonstrimet e këtyre ditëve kundër armëve kimike kanë sjellë në Shqipëri një situatë të re. E re për nga problematike, e re edhe për nga mendësia. Për herë të parë që nga demonstrimet e dhjetorit të vitit 1990 qytetarët janë ngritur për një problem që nuk ka të bëjë me politikën, me interesat e partive politike apo të grupeve ekonomike e klanore që fshihen pas tyre. Problematika e demonstrimeve është një nga fitoret e para të demokracisë së vërtetë. Dhe nuk është fitore e vogël. E re nga mendësia se për herë të parë qytetarët, demonstruesit nuk po lejojnë  që të manipulohen nga  politika, nga politikanë të partive politike. Largimi me përbuzje, gati me dhunë, i Sali Berishës dhe i Lulzim Bashës nga mjediset e demonstrimeve është fitorja tjetër e opinionit publik qytetar. Madje më e rëndësishmja e këtyre demonstrimeve. Një qëndrim i tillë detyroi grupin parlamentar të PD të vendosë  për  mospjesëmarrje në demonstrim.

Ka risi edhe në sjelljen e institucioneve të shtetit, që nga Kuvendi,te qeveria e deri te institucionet e sigurisë e të rendit. Ndryshe nga Kuvendi i mëparshëm, ndryshe nga Jozefina Topalli, që të nxirrte jashtë sallës për ‘’zhelesh’’ kryetari i tanishëm i Kuvendit Ilir Meta, të lejon të flasësh, të dëgjon me vëmendje, edhe pa afat për disa opozitarë, madje ulet pranë “rivalit gojë helm” dhe e qetëson atë, takon qytetarët pjesëmarrës në demonstrime e u garanton respektimin e kërkesave të tyre. Ndryshe nga  kryeministri i mëparshëm, Sali Berisha,që për të mbrojtur “kullën” e tij kryeministrore vret 4 demonstrues të pafajshëm, kryetari i tanishëm i qeverisë, Edi Rama, e siguron demonstrimin e PD-së me police femra, me efektiva nga më paqësoret, me sensin më të madh të qytetarisë. Qeveria e tanishme, kryeministri Edi Rama, nuk përdor metoda mafioze për të demonizuar demonstruesit si kriminelë ordinerë, mbartës të pistoletave, të granatave, e të thikave me helm.

Ky është një ndryshim i madh. Pra populli, edhe pse demonstron kundër qeverisë, nuk është e nuk konsiderohet armik i saj, armik i shtetit  si deri konsiderohej deri dje. Të gjitha këto ndryshime në mentalitetin dhe veprimin e qytetarëve e të pushtetit te sotëm,të qeverisë duhet të na çojnë në zgjidhje kushtetuese dhe qytetare  të problemit të armëve kimike. Asnjë nuk mundet dhe nuk ka të drejtë të paragjykojë qëllimet e qeverisë e të kryeministrit në veçanti pse është bërë pjesë e zgjidhjes së këtij problemi shumë shqetësues ndërkombëtar. Edhe ata që e dëshirojnë, e nxisin “antiamerikanizmin” që të heqin qafe Amerikën, kot e kanë. Nuk “zemërohet” e nuk largohet kollaj Amerika përsa ajo ka interesa afatgjata gjeostrategjike në një rajon të caktuar. (Shekulli)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi

Intervista e parë e kryetarit Omer Bajraktari: GJENDJA NË KOMUNË, VIZIONI I ZHVILLIMIT, PLANET…