Gani Karamanaga: DETARIA

 

Gjemxhitë (Detarët)

 Detaria e Ulqinit ka një traditë të vjetër; çdo gjë atëherë ka qenë e lidhur me det, me lundrimet e gjata. Kalaja ka qenë djepi i detarisë jo vetëm për Ulqin, por edhe më gjerë në rajon. Gjemxhitë (detarët)  e mëpërparshëm kanë  lundruar nëpër  Mesdhe, Detin  Jon dhe Adriatik. Më vonë vjen koha e  avulloreve dhe  detarët tanë shkojnë edhe nëpër detet e largëta. Tash është  detaria në mënyrë bashkëkohore, me anije të mëdha nëpër oqeane. Gjemxhitë e vjetër kanë lundruar me barka me vela, disa prej atyre nuk janë kthyer më në vendlindje.

Kam dëgjuar se në Havana (Kubë), Muhamed Nimanbegu, prej mallit për Ulqin, në mes të molit ka kënduar këngën:

O ti det, o ujë i njelmët!

Babai i jonë, Hasan – Cano Karamanaga, si i ri  fillimisht  ka punuar  nëpër  velore, mandej kujtimet e mia janë kur ai  punonte në anijet të  vogla deri  në shtatë vagonësh. Lundronin në Bokë të Kotorrit, deri te lumi Buna. Gjithmonë kur  ishte barka e tij në molin e Ulqinit, ne fëmijët e përcillnim. Ai na merrte në grykë herë njërin – herë tjetrin.

Në vitin 1918, ka qenë epidemia e parë e regjistruar e gripit spanjoll  (në popull është quajtur “kolerë”).

Ibrahim (Kahraman) Kahramanaga, në lundrim me disa ulqinakë prej Bengazi-t (Libia) deri  në Katania (Sicilia, Itali) me barkën e tyre “Pepina”, janë sëmurë prej gripit spanjoll, i cili  shkaktoi vdekshmëri të madhe. Aty mbaron edhe jeta e tyre.

Barkën e tyre e kanë djegur për të ndaluar përhapjen e  sëmundjes.

Në Katanie edhe sot gjenden “Varrezat Ulqinake”.

Gjemxhitë  i kanë dhuruar Ulqinit  kulturën e vendeve të tjera, i kanë  rritur fëmijët, kanë arritur pasuri.

Isa (Hashim) Resulbegu, prej varfërie e ka ngritur familjen dhe  bleu dy shtëpia në Kala.

Muhamed dhe Enver Nimanbegu, kanë ndërtuar shtëpitë, si edhe kapidan Hysni Shabani.

Basri Karamanaga, gjithashtu, e ka ndërtuar shtëpinë.

Babai i jonë ka blerë ullishtën në Anë të Malit.

Dikur, në molin e Ulqinit, nën  Kala, janë lidhur barkat e vogla dhe të mëdha, kanë mbërritur avulloret, më vonë anijet për transportin e pasagjerëve, mallrave. Sot, aty parkohen  automobilat, në marinën e vogël ka ndonjë sandall ose fllugë. Verës janë anijet e vogla për transportin e turistëve. Deri në dekadën e gjashtë-shtatë detaria ka qenë më e gjallë, më e bukur. Por Kalaja s’e ka harruar detarinë.

Detarët e sotëm janë të familjeve: Idrizaga, Ismajlaga, Karamanaga, Kapllanbegu, Nimanbegu, Sula, Shabani, Vogliqi…

Një grua e moshuar u shpreh për burrat e tyre detarë:

– Kur ishin të ri kanë qenë në det, tash që kollen, janë  këtu!

Matija

Në dekadën  e  pestë-gjashtë, transporti i mallrave ka qenë më tepër nëpër rrugën detare.

Një rol të veçantë e  kanë pasur anijet – barkat e vogla. Ato, për t’u strehuar kur deti ishte i trazuar, shpeshherë janë lidhur në Bunë, në Shënkoll.

Në afërsi të lumit kanë qenë disa shtëpi të vendasve. Njëra prej tyre ishte edhe shtëpia e Mati Çataliqit.

Hasan Karamanaga dhe Jakup Idrizaga kanë punuar atëherë në një barkë dyvagonësh. Nga një here janë ndalur te Matija.

Prej Ulqinit i kanë sjellë vaj guri për drita (atëherë në këtë vend nuk kishte drita elektrike), vaj ulliri dhe ndonjë gjë tjetër prej tregut.

Matija me bashkëshorten, Lezen, kanë qenë mikpritës të mirë.

Baba me Jakupin vinin duke ecur në këmbë deri në Kala. Baba thoshte:

– Kemi ecur mirë, por Jakupi ishte më i gjatë  dhe hapat i tij ishin më të mëdhenj.

Kaluan ato kohëra, barkat e vogla mbetën të lidhur në Shënkoll.

Pas disa viteve ato u kalbën dhe u zhdukën.

Kështu  filloi një epokë  tjetër transporti, lundrimi dhe udhëtimi.

 Rrëfimi 1

Shumë më vonë, vëllai  Shyqyri – Çylo, ka prurë  material ndërtimor te shtëpia e Çataliqve, në Shtojin e Epërm.

Matija kishte ndërruar jetë, por bashkëshortja e tij Lezja ishte e moshuar dhe e kishte humbur pamjen e syve.

Çyli i foli plakës.

Ajo menjëherë i tha:

– A je, ti djali i Canit? (Hasan Karamanaga).

Plaka  e kishte mbajtur në kujtesë zërin e babait tonë.

Rrëfimi 2

Këto ditë ishim në vizitë te Lena dhe Rrok Çataliqi, në shtëpinë e re të ndërtuar në Shtojin e Epërm.

Ata kanë punuar një kohë të gjatë në Amerikë.

Me Lenën kam bashkëpunuar prej vitit 2007-2009, lidhur me ardhjen e mjekëve nga Nju-Jorku, për ndihmesë në  Shtëpinë e Shëndetit.

Ishim së  bashku me mikun tim Nikë Selçaninin.

Me ne së bashku ishte dhe Rrok Selçanini.

Biseduam, kur i tregova Lenës edhe Rrokut për miqësinë e babait tonë me Matin, Rroku më tha:

– Unë jam djali i Matisë, tash jemi miq edhe më të mirë.

Sandalli dhe libri

Rrëfimi 1

Gjithmonë kam dashur të kisha sandallin e vet.

Në vitet pesëdhjeta-gjashtëdhjeta, në Ulqin ka pasur shumë  pak sandalla me motor, por me rrema. Atëherë nuk ka pasur sandalla prej plastike, por prej druri.

Kur kanë ardhur anijet  në molin e Ulqinit, ne u kemi  marrë sandallin e tyre për të shëtitur nëpër gjirin e Ulqinit.

Diku,  në dekadën e shtatë të shek. XX, vendosa të blija një sandall.

Duke menduar dhe shikuar,  detari i vjetër Enver Nimanbegu, më tha:

– Dragi (i dashur), merre njinin prej tyre, se sanall mbi sanall dhe nuse  përmi nuse, nuk mbaron kurrë!

Rrëfimi 2

Në vitin 2015 e botova librin “ Udhëtimi i një mjeku”.

Në përurimin në Shkodër, shkrimtari i njohur Fadil Kraja, ndërmjet tjerave, u shpreh:

– Libri është si nusja, të gjithë kur merret nusja këndojmë: sa bukur na ka dalë nusja…, edhe ky libër sot është nusja.., por me siguri në libër ka ndonjë gjë që nuk vlen…

Rrëfimi 3

Duke shëtitur pas namazit të drekës, na u bashkëngjit Shyqyri – Çylo Shabani.

Ne e kemi quajtur gjithmonë Çyli i Faikut.

Ai ishte gjeneratë e vëllait tim, Ismetit.

Emigroi në Zvicër, ku jetoi tërë jetën.

Ismeti ishte edhe kumbara i tij në martesën e tij.

Është kuriozitet se kjo ishte martesa e parë pas tërmetit më 15 prill 1979.

Çyli i Faikut fliste shumë, kisha edhe një dhimbje koke. Ndërmjet tjerave, tha:

– Më kujtohet, në Fushë të Qehajës ke qenë me libër.

Valixhja prej Amerike

 Hamit Ismajlaga (1894-1956) ka qenë martuar me  Hajrije – Hajlije Karamanagën (e bija e mulla Ismail ef. Karamanagës).

Kanë pasur djemtë: Mustafën – Cafin, Zejnelin, Xhavitin, Saninë, Rifatin dhe Fejzin, si edhe vajzën Bako Ismajlaga.

Babai i Hamitit, së bashku me djalin, përjetojnë në një lundrim përmbytje  dhe e humbin jetën.

Edhe Hamit aga ishte detar. Një kohë ka emigruar dhe jetuar në Amerikë.

Babai i jonë e ka marrë për të punuar Mustafën – Cafin, djalin më të madhin të Hamitit dhe Hajlijes, në vitet kur Hamiti ishte në Amerikë.

 Rrëfimi 1

Babai i jonë tregonte:

– Në një sefer (viaxho, lundrim) ishim së bashku me Hamit agën (dhëndrin, ka pasur për grua Hajlijen, motrën e babait).

Ky nuk ishte punëtor i madh, shpesh pushonte pasdite.

Një ditë unë isha në maje të direkut të barkës për të rregullua velat.

Hamit aga ishte  çuar prej gjumit.

Për ta bërë të fliste, i drejtohem prej së lartit (direkut):

– Hamit agë, kape punën  pak!

Hamit aga, duke fshirë sytë, më përgjigjet:

– More, Cano, pse të kemi na ty?!

Rrëfimi 2

Hamit aga, kur u kthye prej Amerike, e kishte një valixhe të madhe me shkronja nga New-York-u.

Me siguri më tepër se tridhjetë vjet ajo valixhe u shfrytëzonte për  pajë ose dhunti të nuseve.

Ishte e madhe, e fortë dhe nuk u dëmtua asnjëherë.

Rrëfimi 3

Djali i dytë, Zejneli, si djalosh, u merrte me peshkim.

Unë atëherë isha shumë i vogël.

Gjithmonë shkoja te halla e  Xhavitit (kështu e kemi thirrur).

Zejneli sa kishte ardhur prej gjonjëssë peshkut.

(Ai më vente në prehrin e tij dhe më ushqente).

Një herë m’u vua e mbrapshta që të rrihesha me Isuf Elezagën.

(Një ditë më përpara e kisha rrahur djalin e tij, Ahmetin).

Vrapova të ikja.

Zejneli e  vërejti këtë gjë, vrapoi dhe e ndali Isufin.

Pas disa ditëve më takoi Isuf  Elezaga.

Vetëm më këshilloi që të bëhem i mirë.

Epitaf

Në varrin e Hamit Ismajlagës,  shkruan:

Edhe unë kam qenë si ju,

Edhe ju do të bëheni si unë’’.

Peshkatari

Bojana”, në Ranë, që u ndërtua në vitin 1923, ka qenë, fillimisht, pronë e Avdyl Hoxhës, i cili ka qenë tregtar i njohur në atë kohë.

Pas ardhjes në Ulqin, familja Hajdukoviq miqësohet me familjen e tyre. Gjatë tregtisë me dru dhe shoqërimit ndërmjet dy familjeve, Sulejman Hoxha ia shet shtëpinë në Ranë (më vonë kafeneja “Bojana”), familjes  të përmendur Hajdukoviq.

“Bojana” edhe sot është pronë e pasardhësit të tyre, Dushan – Bakule (Boro) Hajdukoviqit.

Në murin prej jugut  shkruan :” H X” (qirilicë – Nikolla Hajduković ).

Në kafenenë „Bojana“ ka pasur mysafirë prej Kalaje, Rane dhe më pak prej lagjeve tjera.

Një peshkatar çdo ditë heret në mëngjes ecte shpejt në afërsi të lokalit.

Një ditë kapidan Enveri e  ndalon për zorit  peshkatarin dhe i tha:

– Nalu, mos ec ma kaq shpejt, ta dijsh në këtë jetë i ke të njehuna sa hapa do të bajsh, sa ma shpejtë ecën, jeta të kalon ma parë!

Peshkatari  mendoi dhe u ndalë.

Prej asaj dite çdo mëngjes  peshkatari pinte kafe me kapiten Enverin.

Lundrimi

“Avdo, një kafe”

Avdo (Maliq) Nimanbegu (1930 ) është i moshuar, por e ka ruajtur intelektin, kujtimet.

Ka qenë prej martesës së dytë të Maliq Nimanbegut.

Ka pasur edhe dy motra.

Njëra ka vdekur e re, ishte e martuar për Nazmi Haxhibrahimin.

Më e vogla Verja,  u martua në Gjakovë ku krijoi familjen.

Rrëfimi 1

Pas bombardimit të Ulqinit, në vitin 1943, me familjen e dajës, Asllan Shabanbegut, shkuam në Shkodër.

Kam punuar në një kafene të vogël disa vjet.

Mandej shkova për të punuar në ndërtimin e hekurudhës Durrës – Tiranë.

Pas një kohe të shkurtër nëpër Shkodër, as vet nuk di si, u ktheva në Ulqin.

Dajën me familje e kishte deportuar regjimi i Enver Hoxhës.

Rrëfimi 2

Hajlije Peshku – Krymi (1923-2010), kur erdhi në Ulqin,  pas 30 vjetëve, në dekadën e tetë të shekullit XX, iu kujtonte Avdoja, në Shkodër.

I kishte mbetur në kujtesë  kur kërkonin prej Avdos:

– Avdo një kafe!

E takova Avdon këto ditë te kafene-restoranti “Pirat”, i Hasan – Cano Karamanagës (nipi im).

Duke e përshëndetur, e pyeta për shëndet.

Ai m’u përgjigj:

– Lundrojmë!

”Pjerna”

Ishte mëngjes,  ditë vjeshte.

Në atë kohë në Kala kemi pasur vetëm në tri shtëpia telefon.

Ka pasur Zejnel Ismajlaga, unë si mjek, dhe Sulejman Fazlibegu (nuk e di se pse).

Trokiti telefoni. U Lajmërova.

Një zë me ndërprerje:

– Ovdje “Pjerna! (Këtu është “Pjerna”).

Një moment nuk dita se kush flet, por më tha se kjo është lidhja telefonike përmes radio-stacionit të anijes “Pjerna”, e cila në atë moment ishte duke  lundruar në afërsi të Kalasë.

– Treba nam Muradija! (Na nevojitet Muradija).

Avdo Nimanbegu ishte oficeri i parë në anijen  “Pjerrna”.

Deshi të fliste me bashkëshorten.

Menjëherë erdhi Muradija.

(Shtëpia e tyre ishte afër).

 Avdo Nimanbegu - vitet e pesëdhjeta të shek. XX
Avdo Nimanbegu – vitet e pesëdhjeta të shek. XX

 Me rrema prej Shibenikut

Selatin-Tino Vogliqi është fëmiu i tretë i Nurijes dhe Qazim Vogliqit. Kanë jetuar në shtëpinë në  pjesën jugore të Kalasë e cila ishte njëqind metra  largësie prej detit. Selatini nuk u bë detarë, por  mbaroi zanatin për marangos (zdrukthetetar) dhe  prej voglie i ndihmonte prindërve.

Kur e përfundoji shërbimin ushtarak ai me ndihmesën e kushririt   Xhavit Vogliqit dhe dhëndrrit tyre  Ali Suloviqit  bleu një sandall të ri në Shibenik. E kishte planifikue që të vijnë për bregdetin e Malit të Zi me  anijen ku Aliu ishte kapidan. Por ato morrën urdhërin që të shkojnë për Itali.

Dhe kështu,  filloji lundrimi nëpër Adriatik i cili do të zgjas 3 javë.  Selatini kishte vetëm rremat  dhe duartë e veta. Mbërriti në Split ku takoji Zuhdi Demën i cili punonte si detarë në një barkë dalmatine. Zuhdiu  i tha se do të shkojnë për Rijekë. Aty ishte edhe  Enver Nimanbegu me  anien “Petrovac”, pronsia e “Lovqen”-it prej Kotorrit  por edhe këto shkuan sipër Adriatikut.

Ditën , Selatini rremonte, ka një herë kur fryente maestrali i  çonte rremat dhe era e shtynte. Natën pushonte në donjë porto ose gjirë të bregdetit .

Pas dy jave mbërriti deri në Budvë, ku gjeti një anije për  transportin e turistave. Punojshin aty edhe dy ulqinak, por ato nuk patën mirëkuptim për ta tërhequr Tinin me  sandall deri në Ulqin.

Kur mbërriti deri te Sveti Stefani  filloji jugo i rëndë dhe aty  pushoji tri ditë. Pastaj edhe dy ditë tjera vazhdoji deri te  kepi i Bashbylykut. Aty i doli para syve Kalaja e Ulqinit.

Pas tri javësh Selatini  hyri dhe  e lidhi sandallin në molin e vogël në Jalli. Njërëzit si u gjetën aty nuk besojshin se prej kejt ka ardhur ky djal i ri me rrema.

Selatini më tha:

“Kam ndërtue  së bashku me vllazën  barkën “Marco Polo” në  Molen e Madhe, kam tesh leutin “Liamra”, por sanallin e parë e ruj shumë,  çdo vjetë  ndrroji  në te ka një gja, dhe ai  do të jetoj me mu së bashku…”

Selatin-Tino Vogliqi në sandall
Selatin-Tino Vogliqi në sandall

( Nga libri në dorëshkrim “Në derë të oborrit” )

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi

“Ujësjellësi dhe Kanalizimi”: VLONI UJIN

Sh.p.k “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Ulqin lajmëron të gjithë qytetarët se për shkakë tē reshjeve të shumta të shiut ka ardhë deri te turbullimi i ujit. Bazuar në situaten e krijuar ju lajmërojmë se uji