Gani Karamanaga: Me rastin e 40 vjetorit të tërmetit më 15 prill 1979

 

E diele, ditë prilli, Pashktë e përbashkëta.., nga deti erdhi stuhia, dielli u mbyll, toka filloj  të dridhet, shtëpiat  u rrënuan, rrugtë u mbyllën.. Tërmeti më 15 prill 1979 i rrënoi shumë shtëpi në Kala.

Shkaktoi edhe  6 viktima. Më vonë, kam dëgjue si kanë thënë:

Kalaja ishte e mbuluar me tym, kemi mendue se askush nuk shëptoji prej aty..”

Kështjella shumëshekullore qëndroji në këmbë, tërmeti  e dëmtoji por mbijetoji..

–     kalalitë  e rujtun vendlindjen e tyre,

–     nuk lejuan që të mbyllen portat e saja..

 

            Jeta  vazhdonte edhe pas tërmetit, në kampin ku ishin të strehuar dy të rinjë u fejuan, pas disa ditëve ishte edhe  martesa e  parë pas tërmetit..

Tërmetin e përcjelli solidaritet i madhë prej të gjithë Malit të Zi si edhe  prej republikave tjera të ish Jugosllavisë..

Në atë ditë, para sëmundjes Josip Broz Tito ishte në rezidencën e tij në Igalo. Menjëherë më helikopter e vizitoji Bregdetin e Malit të Zi ku ishin pasojat dhe rrënimet më të mëdha..Prej atëherë u nis ndihma  dhe lufta që të tejkalohen pasojat e tërmetit.

 

“K-1 “

Tërmeti i rrënoi gati të gjitha  shtëpitë në Kala.

Jeta aty një vit ka qenë e pamundshme.

Ka pasur mendime që Kalaja të mbyllej fare për banorët e saj.

Por, pati rezistencë të madhe.

Këtu, më tepër u angazhuan: Jakup Nimanbegu, Ismail  Bushati dhe Ruzhdi Karamanaga, Hajro Nimanbegu, Ismet Karamanaga

Banorët e Kalasë kanë qenë të strehuar në kampin “Milena”, të  Lidhjes Feriale, në vilat e  hotel “Albatrosit” dhe  hotel “Jadranit”, si edhe te miqtë e të afërmit e tyre.

Organizata qendrore e Sindikatave të Kosovës më herët nisi ndërtimin e  një kompleksi të madh, me vila montazhe, komfore, në Zall (Plazhi i Madh).

Përkohësisht aty kanë banuar edhe shumë qytetarë, të cilëve u ishin rrënua shtëpitë, si pasojë e tërmetit të 15 prillit, të vitit 1979.Më kujtohen këto familje prej Kalaje, të cilat qëndruan disa muaj në objektet e Sindikatës së Kosovës, ose siç e quan “K-1”: Raif Truma, Zade Nimanbegu, Ali Peshku.

Ali Peshku ishte daja i Fitnetes dhe, në maj më 1982, e martoi vajzën prej kësaj banese, në Kampin “K-1“.

Por pas disa muajve, me vendimet e organeve republikane nga Podgorica, si edhe ato të Ulqinit, u aprovua vendimi për rrënimin e këtyre shtëpizave!

Një gjë e pakuptueshme, e pakapshme, u rrënuan shtëpizat e reja, të ndërtuara me  kushte bashkëkohore.

 

Martesa

Ditët e para pas tërmetit ishin të vështira.

Banorët e Kalasë u strehuan përkohësisht në  kampin i Lidhjes për Pushime (Ferijalni savez cg), në autokampin “Milena”, disa te të  mitë dhe të afërmit.

Por shumica kemi qenë në kampin e parë. Aty u bë si një mëhallë e re. Filluan të vizitohen ndërmjet njëri-tjetrit. Jeta vazhdonte.

Unë punoja si drejtor  në Shtëpinë e Shëndetit, e cila fillimisht disa muaj ka qenë në  pushimoren “Gornji Ibar”, të Rozhajës.

Çdo mëngjes, në punë me mua, me veturën time, “Lada 1200”, vinin: Olga Vukçeviq, Njegosava Qetkoviq dhe Hidajet Kapllanbegu, punëtorët e administratës.

Ditë pas dite njerëzit filluan edhe një jetë tjetër…

Në kampin tonë ndodhi edhe një gjë e re:  u  martuan Sytki Nimanbegu me Munibe Abazin.

Pas disa ditëve në komunën e improvizuar, në disa baraka, u bë edhe kurorëzimi parë pas tërmetit: Shyqyri – Çylo Shabani u martua.

Kumbar ishte vëllai im, Ismeti.

 

Jeta në kamp

Në kampin tonë ku kemi qenë të vendosur pas tërmetit, ka pasur disa shtëpiza komfore, me një dhomë, banjë, tarracë të vogël.

Disa tjera kanë qenë vetëm  shtëpizat me banjë të përbashkëta.

Shtëpiza e jonë ishte e bukur me tre kravate.

Ka pasur shumë probleme pas tërmetit. Përkohësisht ishim me shërbimin shëndetësor në pushimoren “Gornji Ibar”, në rrugë e cila shkon për Zallin e Madh. Në kamp kemi organizuar një  ambulancë.

Isha i ulur në tarracën e vogël,  para shtëpisë së vogël.

M’u afrua kushëriri, Nail Karamanaga (1925-1986). Më pyeti se pse jam i padisponuar. Naili vazhdoi:

– Shiko, problemet e punës, lëri atje! Këtu je në shtëpinë tonë…

Mendova: “Naili ka të drejtë.”

Afër shtëpizës sonë ishte edhe  familja e Havasë dhe Sulltane – Tane Karamanaga.

Pas disa ditëve ndërroi jetë Tanja, motra më e vogël. Ka qenë një grua komunikative. Në martesën me Selimin, kushëririn e babait, nuk kanë pasur fëmijë.

Si ishte adeti atëherë (po edhe sot), gratë më të afërta kanë vënë në krye shaminë – beshbezin.

Sadetja (nusja e Basriut), beshbezin e vente vetëm kur ishte te plaka, Havaja. Sa  shkonte për qytet, beshbezin e hiqte.

Për të qeshur, kur isha një ditë te Havaja, iu drejtova Sadetes – Detes:

– Ti, Dete, beshbezin o hiqe o vëre, se jo: kur je këtu, e ke në krye, e kur del jashtë kampit, je pa te!

Havaja ka qenë gjithmonë autoritet dhe e kanë dëgjuar.

E shikoi pak Deten.

Kjo s’bëri zë.

 

Saranxhi

Në shtëpinë e parë kemi pasur një bahçe të vogël.

Në  skaj, sipër bedenit, ka qenë  saranxha (rezervuar i ujit).

Nën saranxhë  ishte qemeri  (nënkalimi).

Saranxha ka pasur murinjet në tri anët, sipër – hardhinë.

Kjo ndërtesë interesante ka pasur dy penxhere – dritare të vogla, me parmakë, të sjellë prej detit.

Saranxha ka qenë vend i këndshëm për pushim dhe meditim.

Aty gjithmonë frynte maistrali.

Në kopsht – bahçe, nëna ka mbjellë një portokall, i cili edhe sot gjendet aty.

Tërmeti i vitit 1979 e rrënoi qemerin edhe saranxhën tonë.

Ata mbërritën poshtë, në kopshtin e Ilija Miliqit, deri te bregu i detit.

Kjo pamje në fotografinë poshtë, nuk ekziston më.

 

Rezistenca dhe fitorja

Tri ditë pas tërmetit, në hotelin “Bellevue” në Zall, u organizua një tubim me banorët  e Kalasë. Udhëheqësia e komunës së  Ulqinit, në krye me Marko Kallugjeroviq-in, kishte   marrë vendimin që të mos lejohej jeta në Kala.

Kalalive u premtuan nga një shumë të hollave, për ndërtimin e shtëpive jashtë Kalaje. Propozuan  lokalitetin e Limanit, në afërsi të Çinarit të vjetër. Por, banorët e Kalasë nuk u pajtuan më këtë vendim. Një pjesë e madhe kundërshtoi, një pjesë e vogël ishte indiferente.

Në Kala atëherë nuk ka pasur as drita as  ujë.

Pushteti deshi edhe ta mbyllte Kalanë me derë hekurit, te Porta e madhe dhe te Jallia. Shërbimi i “Elektrodistribucionit”  i preu edhe shtyllat për elektrikë, brenda Kalaje.

Kryetari i Malit të Zi, Veljko Millatoviq, pati mirëkuptim për banorët e Kalasë.Së shpejti  për të jetuar  u kthyen Ismail Bushati dhe Jakup Nimanbegu.

Këta e instaluan gjeneratorin për rrymë elektrike dhe e rifilluan jetën në shtëpitë e tyre.

Pak më vonë këtyre iu bashkëngjitet edhe Ruzhdi Karamanaga, i cili, gjithashtu, u kthye në shtëpi në Kala. Ai më vonë e mori të jetonte  në shtëpinë e tij Zejnel Ismajlagën, me familje, aty qëndroi deri sa e rindërtoi shtëpinë e vet.

 

Këta ishin tre mbrojtësit e Kalasë.

 

(Nga libri “Në derë të oborrit”, 2017)

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi