Moli i Madh. Në Molin e Madh janë gastuar barkat e vogla, kurse në Molin e Vogël sandallat dhe fllugat e peshkaxhive. Në pjesën tjetër të Molit të Madh kanë ardhur barka më të mëdha si edhe anijet për transport të mallrave dhe udhëtarëve.
Në dekadën e gjashtë anija ishte komunikimi më i mirë dhe filloi ardhja e turistëve më së shumti nga Bosnja dhe Hercegovina, si edhe nga Sërbia. Turistë nga Kosova ka pasur shumë pak. Ka pasur edhe turistë të huaj, të cilët strehoheshin në hotelet e atëhershëm: hoteli “Galeb”, hoteli “”Jadran,”, hoteli “Republika”. Hotelet e tjerë u ndërtuan më vonë.
Anija ka mbërritur në orën dy pasdite dhe në tre menjëherë është kthyer mbrapa për Tivar dhe vendet tjera bregdetare të Mali të Zi. Ka vazhduar për Dubrovnik, Split dhe Rijekë. Ka qenë një ndodhje e për të gjithë qytetin.
Në Molin e Madh janë tubuar të gjithë, të rinj dhe të moshuar. Në bedenat e Kalasë kanë dalë gratë. Në këtë vend janë bërë përcjelljet për ata që kanë shkuar në shërbimin ushtarak. Nganjëherë edhe të nxënësve dhe studentëve, është përcjellë edhe ndonjë vajzë e cila është martuar në Sarajevë ose ndonjë vend tjetër. Agjencia për shitjen e biletave ka qenë në Ranë në lokalet e “Neptunit“.
Sot u afruam parkingut te shtëpia ime në Meteriz njëkohësisht me komshiun tim Rashko Glenxha. Kur dolëm prej makinave i thash:
“Dikur, në Molin e Ulqinit janë gastue (afruar Molit) barkat..sot aty janë të parkue automobilat..”
“Më kujtohen edhe mua ato kohëra..Moli ka qenë me barkë, sandalla, kanë ardhur edhe barkat-vaporet ma të mëdhenj.. gjithmonë kam pasur dëshirë me pasur një sandall ose barkë të vogël, por nuk ke ta mbajshë, për ta ruajsh kur deti trazohet..” kujtohet me nostalgji komshiu im.
Më kujtohet në fëmijërinë time kur u vazhdue ndërtimi i Molit të Madh. “Dalgiçat”( zhytësit) u përgatitshin duke u veshur me tesha të nevojshme për punën në fund të detit. Kompresori punonte dhe i jepte oksigjen tërë kohën si qëndronin në fund të detit.
Moli i Madh, u ndërtue por Ulqin nuk fitoi Portin e vet. Është i vetmi qytet bregdetar pa Porto-Lima ( si e quajmë ne në Ulqin).
Jallija. Jallija-Kacemja (jallia, nga turqishtja – fushë në bregdet) dikur ishte në pjesën juglindore nën Kalanë e Ulqinit. Në anë të majtë ka qenë Moli i Vogël, kurse në anë të djathtë Moli i Madhë. Plazhi i Jallisë ka qenë me zhavorr, me cekëtinë ranore, gjatësi prej 50 kurse gjerësi deri në 7 metra. Në pjesën e majtë të bregut gjendet Guri i zi .
Shkëmbi i madh- Kacemja ishte e lartë deri në tri metra mbi sipërfaqen e detit. Sipër Jallisë-Kacemes është Bedeni i Kanunes, Pallati Venediku dhe Tabja. Në rrugë si shkon për në Kala është Porta (hyrja) e Kalasë në pjesën jugore.
Në Jalli jena larë në det, kemi bërë notimin e parë. Edhe katër fëmijtë e mi si edhe tre nipat e mbesat e parë kanë filluar notimin dhe larjen në det aty.Më të vegjëlit kanë notuar deri te Guri i Zi, më të rriturit kanë hypur dhe kërcy prej Kacemes.
Ndërmjet dy moleve djemtë e rinjë kanë lujtuar vaterpollo. Më kujtohen në dekadën e pestë-gjashtë të shekullit XX lojtarët: Xhavid dhe Sani Ismajlaga, Rashko Zhivanoviq, Sllobo Markoviq, Sabri Kapllanbegu, Mustafë Nimanbegu. Më vonë kanë lujtuar edhe Lluka Gjuroviqi, Zuhdi Dema. Edhe ne nxënësit e shkollës tetëvjeçare kemi bërë gara në det. Më kujtohen edhe djemtë të cilët notojshin dhe u zhyteshin në det: Jakup Nimanbegu , Selatin-Tino Vogliqi, Zuhdi Bushati e të tjerë.
Para disa viteve në Jalli u ndërtue një marinë e vogël. Por, ajo është jufunksionale, dhe nuk i mbron sandallat e vogël kur deti është me talase më të mëdhej.
Detari i vjetër shprehet:
“Deti na ka dhënë çdo gjë si kemi tash, detit nuk i kemi këthye kurgja..”
Në vend të konkludimit
Nuk është e nevojshme të lundrojmë largë. Duke fillue prej Tivarit dhe gjërë Bregdetit të Malit të Zi:
marinat, limat-portot, dhe çdo strehim tjetër për sandalla, barkë dhe anije.
Në Ulqin asgjë. Kur deti trazohet duhet me ikur deri në Bunë ose në Tivar.
Si në shumë fushë tjera:
Ulqini është i lënë pasdore..