Gani Karamanaga: Nuk u kthyen asnjëherë më në Ulqin

Vojo Çilingiri

Kantieri në Ulqin

Në mesin e Plazhit të Qytetit ka qenë vendi ku janë nxjerrë në tokë fllugat, sandallat dhe barkat e vogla. Aty ishte edhe kantieri detar, vendi për ndërtimin dhe riparimin e anijeve. Kur Mali i Zi mori Ulqinin në vitin 1880, punimet i udhëhiqte Hysë Amari, i cili ishte proto (usta i ustave, pronar). Ai ka pasur në punishten e vet 25 mjeshtër shkiverre. Në atë kantier detar ata kanë ndërtuar barka të reja të tipit brikut (modele të shekullit XIX) për nevojat e lundruesve ulqinakë.

Në shkiverrë-kantierin e Ulqinit atëherë ndaluan të ndërtojnë briqe, të cilat, në rastet më të shpeshta, janë meremetuar.

Adem Tivari (1864-1944) ka qenë i pranuar si çirak te Hysë Amari. Ai, që nga ditët e para të punës së tij si shegert, e mësoi mjeshtërinë dhe u dëshmua si një talent i një anijendërtuesi të ardhshëm. Kur hyri Mali i Zi në Ulqin, Hysë Amari, si edhe një pjesë e qytetarëve, nuk janë pajtuar që fëmijët  e tyre t’i çojnë në shkollë  në gjuhën malazeze .

Hysë Amari me grupin e parë ka ikur në Shkodër.

Adem Tivari vazhdon punën në kantierin e Ulqinit. Atij i ka lënë pjesën e kantierit të deritanishëm, një numër të madh të mjeteve, me të cilat ai do të vazhdonte anijendërtimin. Ai, pak nga pak, ka bërë edhe vegla të reja, si edhe dru për ndërtim, me çka ka nisur vetë të ndërtojë anije të vogla prej 5 deri 50 kuintalë dhe ka bërë 40 copë.

Shkiverra ka mbetur në të njëjtin vend, tash dyqani i Bidin Sylejmanit. Adem Tivari ka ndërtuar dhe meremetuar  barka, nuk ka pasur vegla të veçanta për të ndërtuar barka me vela të mëdha.

Po shtoj: një Ulqinak i moshuar thotë:

 “Kam qenë 10 vjeçar kur Vojo Çilingiri ka ndërtu sandallin-barkën në Ranë me të cilën kanë lundru dhe ik prej Ulqinit bashk me Filip Martinoviqin. Ata ma vonë  kanë mbrrit në Australi…”

Kështu Vojo dhe Branko Çilingiri ishin anijendërtuesit e fundit në Ulqin.

Në hyrje të Shtëpisë së Shëndetit të Ulqinit takova Boshko Çilingirin (1951). Ai është teknik dentar në pension, i lindur në Kalanë e Ulqinit.

“Nuk ka mbetur askush prej punëtorëve të vjetër në Shtëpinë e Shëndetit, para disa muajsh edhe Lam Gjeka ka shkuar në pension, ne të tjerët më përpara…”

Foli Boshkoja pas përshëndetjes. Vazhduam bisedën lidhur me jetën e dikurshme në Kala. Më tregoi për nënën e tij, Angjen, e cila është 91 vjeçare.

”Ajo tash më shumë flet për kohërat e vjetra, eja një ditë e shihe…”

Ikja-mërgimi për Australi

 “ Më kanë tregu të mit se ai ka qenë anijendërtus, prej tij ka msu edhe baba im Brankoja. Në vitin 1950 axha Vojo ka ndërtu një sanall të madh me dyrek dhe me vel.

Më përpara isht marr vesh me Filip Martinoviqin, i cili ka punu atëherë në administratën e Kripores se ai ka qenë i shkollum.

Një ditë, heret natje janë nisur me sanall deri në Valdanos për të ba dru për shpi. Por Vojoja dhe Filipi janë nisur për Itali. Përveç velit kanë pasur edhe një motor të vogël 2 kolsh. Më vonë është hap lajmi se kanë mbrrit deri në afërsi të Brindisit në Itali kur u isht fik motori. Pas një kohe një peshkatore i ka tërheq deri në Brindisi. Bashkë me Vojon dhe Filipin ka qenë edhe një Poçek prej Limanit… Në llogor i kanë pyvet se për ku dojnë me vazhdu. Vojoja dhe Filipi kanë shpreh dëshirin për me shku në Australi, kurse Poçeku për Amerikë.”

Në Sidnej fillimisht Vojo Çilingiri ka punuar në fabrikën e duhanit, mandej  në fabrikën e çimentos. Më vonë, Vojoja fillon punën në kantierin e Sidnejit.

Ibrahim Karamanaga me Vojo Çilingirin ishin shokë qysh nga Kalaja. Janë shoqëruar edhe në Australi, ku gjithsecili punonte zanatin e vet. Ibrahimi si bojaxhi dhe mandej organizator në ndërtimtari, kurse Vojoja në Portin e Sidnejit në mirëmbajtjen e anijeve.

Martesa prej Ulqinit

Më kujtohet, në vitet e gjashtëdhjeta të shekullit XX Vojo Çilingiri u martua. Familja e tij prej Meterizit prej familjes Gjakonoviq ia sjellin një vajzë, me të cilën u kurorëzua në Australi. Boshko Çilingiri thotë se  Vojoja ka jetuar deri në 91 vjet. Në Australi ka një djalë. Nuk ka ardhur kurrë në Ulqin. Askush prej familjes Çilingiri nuk e di se pse.

Kur Ibrahimi erdhi për herë të parë në Ulqin pas largimit në vitin 1948 e kontaktoi familja e Vojo Çilingirit. Ata nuk kanë pasur asnjë kontakt me të. Për këtë arsye shkruajnë një letër dhe Ibrahimi e mori përsipër që t‘ia jepte Vojos në Australi.

Vojo Çilingiri asnjëherë nuk erdhi në Ulqin pas largimit tij në fund të decades të katërtë të vitit 1920. 

 

Fejzi Hamid Ismajlaga

(1940-2020)

Këto ditë në Çikago (SHBA) ndërroji jetë Fejzi Hamid Ismajlaga. Në vitin 1969 ilegalisht u largua nga vendlindja së bashku me Mehmet Fazlibegun dhe Bahri  Hysën. Pas tre muajve në logorin e Italisë në Brindisi mbërriti në Amerikë, Çikago. Aty punoj, jetoj, por  asnjëherë nuk ka ardhur në vendlindje.Isha në Kollomzë te Hidajet Kapllanbegu.

Aty ishte edhe moleri Sabri Kasmi. Ai më pyeti:

– Çka e ke Fejzi Ismajlagën?

– Djalë halle, nëna e tij dhe baba im, vëlla e motër – iu përgjigja.

– Kur ka ikur prej Ulqinit, m’i ka falur një palë shkalla për punë. Unë  kam qenë atëherë nxënësi i tij. Ka qenë mjeshtër dhe shok  i mirë, e di se nuk ka ardhur asnjëherë në Ulqin. Kam dëgjuar se ka ardhur një herë deri në Itali.

 

Para 20 vjetëve isha duke pritur trenin në stacionin e hekurudhës në Beograd. M’u ofrua një ulqinak. Ai vinte prej Çikagos dhe vazhdonte për Ulqin. Biseduam për Fejziun të cilin e njihte mirë. Edhe ky më tha se Fejzia ka ardhur deri në Itali, por në Ulqin asnjëherë, pas largimit të tij nga Ulqini, në vitin 1969.

Ky ishte vazhdimi im në këtë bisedë.

Fejzi Hamid Ismajlaga (1940) është djali i gjashtë i Hamid dhe Hajlije Ismajlagës. Gjithmonë i qeshur, punëtor i mirë, i shoqërueshëm.

Prej Ulqinit largohet në vitin 1969, së bashku me disa të tjerë: Bahri Hysa, Mehmet Fazlibegu…

Në Bari (Itali) kanë qenë më së pari në kamp për refugjatë e mandej kanë shkuar për Amerikë.

Motrës time, Hyrijes, i kujtohet kur halla e niste t’ia çonte bukën Fejzos, kur punonte në rregullimin  e hotelit “Jadran”.

Arsimtarja  e gjuhës frënge, Dana Vujanoviq, e thirrte Fejzon me emrin  “Fenzi” (ishte një emër nga një roman), por ai nuk përgjigjej asnjëherë  në këtë emër.

Më kujtohet: në atë vit diplomova në Fakultetin e Mjekësisë të Beogradit dhe fillova stazhin në Spitalin e Tivarit.

Në vjeshtë vdiq Hajlije Ismajlaga (halla ime), disa muaj pas largimit të Fejzisë  nga Ulqini.

Fejzi Hamid Ismajlaga nuk u kthye asnjëherë në Ulqin .Por, ata që e kanë njohur në Kalanë e Ulqinit, nuk e harruan.

Në fund

Prej familjarëve tij dëgjova se dëshira e tij ishte që të varroset në vendlindje:

Më varrosni në vorrin e babës tim, Hamid Ismajlagës..”

Ishte dëshira e tij e fundit.

Fejzi Hamid Ismajlaga do të kthehet në vendlindje pas gjysym shekulli..

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi