Gazmend Çitaku: AMANETI I DETIT NË “REDAKSINË” E PRISHTINËS – NJË PASDITE ME AXHËN HAJRO ULQINAKU

Në Ditën e Evropës, vendosëm të vizitojmë axhën Hajro Ulqinaku në Prishtinë. Muaji maj për të ka qenë gjithmonë i lidhur me vendlindjen, Ulqinin. Ai ka lindur më 3 maj dhe pothuajse nuk mbahet mend që ditëlindjen të mos e ketë festuar në Ulqin, pranë detit. Mirëpo, këtë herë, disa rrethana ia vonuan ardhjen dhe ne na kishte marrë malli. Andaj, me atë mendimin e thjeshtë se “nëse mali nuk vjen te ne, ne do tëshkojmë te mali”, morëm rrugën drejt Prishtinës. Nuk donim që maji të kalonte pa e takuar axhën Hajro e pa ia uruar ditëlindjen ashtu siç e do puna e mbarë.

Fillimisht qëllimi ynë ishte t’i takonim të tre: Hajro Ulqinakun, Ruzhdi Ushakun dhe Ali Llunjin. Pasi mora përsipër kontaktet, bisedova së pari me Lulin, djalin e Ali Llunjit, për të organizuar një takim e për t’i shprehur mirënjohjen tonë atij, por për shkak të gjendjes së tij shëndetësore kjo nuk u realizua. Edhe takimi me profesor Ruzhdiun ishte i pamundur brenda ditës, pasi ai ndodhej në një qytet tjetër, larg Prishtinës. Megjithatë, kjo nuk na zmbrapsi nga qëllimi për ta vizituar axhën Hajro. Atë e takuam në kafenenë e tij të zakonshme, aty ku del çdo ditë dhe që me shumë dëshirë e quan “redaksia” e tij.

Më 9 maj 2026, herët në mëngjes, ekipi në përbërje nga Mustafë Canka, Sami Flamuri dhe unë, u nisëm nga Ulqini drejt Prishtinës. Moti ishte pak i vrenjtur dhe gjatë gjithë rrugës na shoqëroi një “shi i butë, që lag të marrë e të urtë” (siç thonë tek ne në Ulqin). Të them të drejtën, edhe pse rruga është rreth 300 kilometra, ne na u duk sikur bëmë vetëm 30. Bisedat e gjalla dhe kujtimet nga jeta shkollore (meqë të tre kemi vetëm nga një vit diferencë dhe jemi pothuajse e njëjta gjeneratë) bënë që shumë shpejt të ndodheshim në hyrje të Prishtinës. Asgjë nuk është rastësi: sapo kaluam nënkalimin për në qendër, më thirri djali im, Indriti, i cili studion në Prishtinë, për t’u interesuar se ku ishim. I tregova se ishim drejtuar për te “kafeneja e axhës Hajro” dhe se do ta prisja aty.

Në “redaksi” mbërritëm të parët, pa u bërë ende ora 10:30. Ndërsa po zinim vend, vumë re një zotëri që ishte ndalur dhe po na shikonte. Pyeta kamarierin nëse vendi që kishim zgjedhur ishte i tij. Përgjigjja ishte “po dhe jo”. Zotëria në fjalë ishte Sulejman Dërmaku (poet, shkrimtar, përkthyes, mësues, publicist, botues dhe gazetar), të cilin miku ynë i përbashkët, Mahir Kojqinaj, e kishte njoftuar për ardhjen tonëandaj ai kishte ardhur posaçërisht për të na takuar. Ne si mesdhetarë që vinim nga deti, ishim paksa të zëshëm, aq sa zotërinjtë Sulejmani dhe Mahiri pothuajse nuk arritën të merrnin fjalën prej nesh. U kërkojmë ndjesë për këtë!

Në tavolinën e përbashkët, bashkë me axhën Hajro, filluam të shkëmbenim dhuratat. Ishin librat tanë, vepra që secili prej nesh i kishte botuar së fundmi.

Axha Hajro ishte dukshëm i emocionuar. Vetë fakti se tre intelektualë ulqinakë kishin përshkuar 300 kilometra rrugë, duke lënë pas angazhimet e tyre vetëm për ta takuar e për t’i shtrënguar dorën, i jepte kësaj vizite një peshë të veçantë shpirtërore. Për mua, ky takim nuk ishte thjesht një vizitë kortezie. Unë axhën Hajro nuk e njoh vetëm përmes penës së tij të mprehtë dhe veprave të shumta që i kanë bërë nder letërsisë sonë, por e njoh si një njeri me të cilin kam ndarë rrugëtimin profesional për një kohë të gjatë në gazetën “Kronika”.

Mbi të gjitha, na lidh një miqësi e vjetër dhe e sinqertë familjare.Ai është babai i Benit, shokut tim të fëmijërisë. Kujtimet më kthyen pas në kohë, në ato vite kur shtëpia e tij ishte edhe shtëpia ime. Sa herë kam ngrënë bukë e kam fjetur nën atë çati, duke u rritur me bujarinë dhe urtësinë e tij! Prandaj, ulja në atë tavolinë në Prishtinë, që ai me aq mall e quan “redaksia”, nuk ishte thjesht një takim mes miqsh, por një kthim në vatrën e vjetër të kujtimeve që nuk fshihen kurrë.

Në atë tavolinë, mes bisedash e kujtimesh, nuk munguan as fotografitë për të dokumentuar këtë takim të veçantë. Axha Hajro na dhuroi librin e tij më të ri, ribotimin e plotësuar të “Glosarit”, një vepër voluminoze që pritet të dalë së shpejti nën siglën e Institutit Albanologjik. Angazhimet e ditës i thirrën Mahirin dhe Sulejmanin, me të cilët u përshëndetëm përzemërsisht, duke lënë pas premtimin për takime të tjera.

Më pas, vendosëm të dalim për një shëtitje në qendër të Prishtinës. Ishte një përvojë e rrallë të ecje krah tij.Axha Hajro, me hapa të ngadaltë e plot dinjitet, na shpjegonte transformimet rrënjësore që kishte pësuar qyteti. Ai na ktheu pas në kohë, në vitin 1953, kur kishte shkelur për herë të parë në këto rrugë. Përmes tregimeve të tij, Prishtina moderne u zhduk për pak çaste dhe para nesh u shfaqën imazhet e një qyteti tjetër, të cilin vetëm kujtesa e një njeriu si ai mund ta mbajë gjallë me aq hollësi. Ishte një leksion historie i gjallë, i dhënë mes rrugëve të kryeqytetit.

Gjatë shëtitjes, u ndalëm në një lokal të qetë për të pushuar dhe për të shijuar edhe pak ato çaste që dukeshin sikur ndalnin kohën. Aty biseda rrodhi sërish drejt detit, atij filli të padukshëm që na lidh kudo që jemi. Hajroja na foli me pasion për terminologjinë detare, të cilën e ka vjelë me shumë durim ndër vite, duke mbledhur çdo fjalë e shprehje nga peshkatarët dhe detarët e moçëm ulqinakë, si të ishin perla.

Me një nostalgji, ai solli ndërmend eruditët si Ruzhdi Alibegu e Hajro Nimanbegu, e bashkë me ta edhe Beto Kas’hoxhën me shokë. Ata nuk ishin thjesht emra, por burime të gjalla që ushqyen atë që ai sot e konsideron, me të drejtë, si kryeveprën e tij jetësore.

Para se të ndaheshim, ai na shikoi drejt në sy, me atë vështrimin e ngrohtë por kërkues të mësuesit, dhe na dha secilit prej nesh “detyrat” tona. Nuk ishin detyra shkollore, por një amanet i rëndë: të mos rreshtim së shkruari, të mos lejojmë që pluhuri i harresës të mbulojë historinë, traditën dhe pasurinë magjepsëse gjuhësore të Ulqinit tonë. Na la të kuptojmë se ai e ka bërë pjesën e tij të rrugës, dhe tani radhën e kishim ne.

U ndamë mes përqafimesh që peshonin më shumë se fjalët, duke uruar që takimi i radhës të mos vonojë dhe të ndodhë aty ku dallgët rrahin muret e Kalasë. Ndërsa ne vazhduam edhe pak shëtitjen, nuk mund të mos e ktheja kokën pas. Pashë figurën e tij të imët, me duart e lidhura pas shpine, duke ecur me hapa të ngadaltë drejt shtëpisë. Në atë ecje nuk kishte lodhje, por një lloj qetësie madhështore, shihja imazhine një njeriu që, pasi ka mbjellë pemët e dijes, kthehet i qetë në vatrën e vet, i bindur se frytet nuk do të humbin.

Ky udhëtim prej 300 kilometrash nuk ishte thjesht një vizitë te një mik i vjetër apo te një koleg i nderuar. Ishte një pelegrinazh drejt rrënjëve tona. Prishtina atë ditë na u duk më e ngrohtë, jo prej motit, por prej pranisë së axhës Hajro, i cili edhe në moshën 88-vjeçare mbetet fanari që ndriçon rrugën e të gjithë atyre që e duan fjalën shqipe dhe shpirtin e detit. U kthyem në Ulqin, me mendjen e mbushur me “detyra” dhe me zemrën plot, të vetëdijshëm se historia jonë jeton për sa kohë ka njerëz që dinë ta nderojnë dhe ta mbajnë gjallë atë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi