Gazmend Çitaku: KUR ËSHTË HAPUR SHKOLLA E PARË SHQIPE NË ULQIN?

Një ndër gjuhët më të vjetra të trungut të gjuhëve indo-evropiane është gjuha shqipe. Sipas një studimi që ka bërë “New York Times” në vitin 2019, gjuha shqipe renditet e treta gjuhë më e vjetra menjëherë pas armenishtes dhe asaj helene.

Në analete shkruara për herë të parë gjuha shqipe përmendet në vitin 1285 dhe ate si e dëgjuar në malet afër Raguzës.Zyrtarisht, dokumentet e para të shqipes së shkruar janë: Formula e Pagëzimit (1462), Fjalori i Arnold fon Harfit (1497) dhe Perikopeja e Ungjillit të Pashkës (fundi i shek. XV – fillimi shek. XVI).

Fakt është se në vitin 1555 botohet “Meshari” i Gjon Buzukut dhe ky paraqet librin e parë të shkruar në gjuhën shqipe. Nëse logjikisht mendojmë, lehtë vijm në përfundim se botimi i një libri të tillë pa lejen dhe mbështetjen e institucioneve fetare do të ishte e pamundur. Sipas Dr.Musa Ahmetit, dorëshkrimi më i vjetër shqip është ai i TEODOR SHKODRANIT i vitit 1210. Ka 208 faqe dhe i tëri është në gjuhën shqipe.

Sipas disa studiuesve Shkolla e parë shqipe është hapur në Ulqin më 1258, pastaj nё Durrёs (1278), dy shkolla nё Shkodёr (1345 dhe 1395), në Tivar (1349), në Pult (1367), në Drisht (1396) etj., por këto nuk kanë mbështetje faktografike.

Shkolla e parë, ta quajmë kombëtare, në gjuhën shqipe është ajo e periudhës Osmane e që ne e njohim si Mësonjëtorja e Korçës. Ajo u hap më 7 mars 1887 në Korçë. Mësimin e filluan 35 nxënës ndërsa mësuesi i parë ishte Pandeli Sotiri. Më 14 mars 1887 është çelur shkolla e dytë kombëtare në Pogradec. E kështu me radhë.

Po përpiqemi të sjell disa të dhëna lidhur me gjuhën dhe shkollën shqipe në Ulqin.

Mendohet se Arnold von Harfi fjalorthin e tij gjermanisht shqip e përpiloi në Ulqin në vitin 1496.

Gjon Buzuku supozohet se ka shërbyer diku në trekëndëshin: Ulqin-Krajë-Tivar dhe se Mesharin e ka shkruar mu këtu. Në vitin 2008 së bashku me mikun tim tashmë të ndjerë, Moikom Zeqo, gjatë vizitës së fshatit Klleznë, prej nga është edhe Dom Simon Filipaj, përkthyesi i Bibles integrale në gjuhën shqipe, ai identifikoi një varr mesjetar në oborrin e kishës. “Ja – tha ai, shumë lehtë mund të jetë që ky është varri i Gjon Buzukut”. Nëse “rastësia” nuk ekziston atëherë miku im ka pasë të drejtë sepse nga ai vend është edhe përktyesi i Bibles integrale. Pra, historia përsëritet më 1555 Meshari dhe 1994 Bibla, që të dy nga rajoni i Ulqinit.

Hafiz Ali Ulqinaku në vitin 1873-1874 shqipëron “Mevlydin” dhe më vonë sjell edhe disa përkthime tjera si dhe përpilon fjalorët shqip-turqisht dhe turqisht-shqip me gjithësej 1334 faqe.Një rëndësi më vete në këtë kontekst ka sidomos abetareja e Hafiz Aliut. E cila, ndonëse brenda logjikës së kohës është hartuar me alfabet arab, ajo ka vlera të veçanta atdhetare, shkencore, gjuhësore dhe didaktike.

Ajo çka dimë deri më sot është se shkollat e para në gjuhën shqipe në territorin e e Malit të Zi janë hapur në periudhën e Luftës së Parë Botërore. Deri në fund tëqershorit vitit 1917, funksionuan 23 shkolla gjuhën shqipe. (Posta e Shqypnies, nr. 67, 28.7.1917, f.4 – Nail Draga).

Në vitin shkollor 1941-1942, Ministria e Arsimit nën drejtimin e Ernest Koliqit, emëroi shumë mësues në Kosovë dhe në pjesën veriore të Shqipërisë që kishte mbetur jashtë kufijeve të vitit 1913.

Mësuesi Jahja Domnori, nga Shkodra, u emërua për zonën e Ulqinit. Këtu, ai  do të kryente detyrën e Drejtorit dhe Inspektorit të zonës. Duke pasur në varësi të gjithë rrethinën e Ulqinit, ai kishte nevojë për mësues të përgatitur dhe të ndërgjegjshëm. Duke ditur se kjo zonë kishte njerëz të etur për shkollën shqipe, e cila deri atëhere ishte e ndaluar, mësuesi Jahja Domnori, do të zgjidhte  mësues nga familje të nderuara intelektuale, duke shfytëzuar njohjet që kishte me ta.(Syme Kokaj, Arsimi shqip në Anë të Malit 1945-1985, Ulqin, 2011, fq.55)

Mësuesit që punuan në shkollat e porsahapura shqipe janë:

Ulqin: Jahja Domnori, Zef Tarnaku, Angjelina Pistulli, Xhemal Lopçi, Persa Gjurbabaj, Hasan Brahimi, Minja Nikollë Gega dhe Ganije Baçe;

Në Peçuricë: Luigj Shkjezi;

Në Katërkollë: Prenkë Jakova, Viktor Kiçi dhe Prekë Shiroka;

Në Sukubinë: Shuk Shllaku dhe Zef Berisha;

Në Kosiq: Ramadan Milla;

Në Ostros: Gaqo Pisha e Nuh Kuçi:

Në Martiq: Ilija Xharra;

Në Muriq: Qazim Kraja;

Në Dedaj: Vatë Gjeloshi; (H. Ulqinaku& G. Karamanaga, SHKOLLA SHQIPE NË ULQIN, Ulqin 2022, fq. 34)

Në vitin 1941/42 në Ulqin fillon punën shkolla “Skënderbeu” në shtëpinë e File Pashabegut, nën Kala. (H. Ulqinaku& G. Karamanaga, vep.e cit., fq. 13)

Anë të Malit punonte shkolla në Kosiq, Katërkollë dhe Sukubinë, të cilat i frekuentonin fëmijët e 17 fshatrave, shkollat gjatë luftës u mbyllen për tu rihapur përseri pas luftës. (Syme Kokaj, vep.e cit., fq.55)

Kështu shkollat e para me mësim në gjuhën shqipe rifilluan të hapen me të përfunduar lufta, pra në vitin shkollor 1945/46” (dr. N. Draga “Shqiptarët në Mal të Zi”)

Në Ulqin në vitin 1945 rifillon shkolla në gjuhën shqipe me ato kushte që kishte lejuar Lufta e Dytë Botërore, me tekste nga Shqipëria. Mësues ishin Antonia Markoviq dhe Minja Nikollaidis mirëpo kësaj radhe atyre iu bashkëngjitën edhe mësues të ri të formuar në Tiranë dhe vende tjera: Qothere Pelinku Llunji, Paulina Pepgjonaj, Veli Hoxha, Muhamet Zejnelaga, Çylo Mollabeqiri, Shaban Gorana, Qazim Gorana.

Vlenë të përmendet edhe kontributi i Vatë Martini Elezaj nga Shtoji i cili me këmbëngulje kontribuoi në shkollën shqipe të Shtojit.

Në Arkivin e shkollës fillore “B. Elezaga“ në Katërkollë ekziston Libri i amëzës -UPISNICA-e shkruar me shkrimin qirilicë e vitit 1945/46, ku figurojnë të regjistruar në klasën e parë në shkollën e rihapur, gjithsejt 213- nxënës. Prej tyre të panotuar figurojnë 95-nx. ndërsa përserisin klasën 60-nx. Nxënësit ishin të moshave të ndryshem prej 7-14 vjeç(Syme Kokaj, vep.e cit., fq.56-58)

gusht të vitit 1947, me vendim të Ministrisë së Arsimit-Cetinë, nr. 15491, në Katërkollë vjen Junuz Divanoviqi, si arsimtar dhe organizator i procesit arsimor-edukativ e kulturor. Ai ishte familjar dhe u vendos në banesën e shkollës pa kurrfarë infrastrukture. Me ardhjen e tij në shkollë ai shenoi:Tërë inventarin e shkollës e përbëjnë 23-banka të vjetra dhe të thyera, nji drrasë e zezë, nji tavolinë, nji hartë e Jugosllavisë dhe Amza kryesore e ruajtur, por e shenuar shumë keq”. Këtë vit ishte hapur edhe klasa e pestë (V) në Katërkollë e Junuzi vazhdon:”Kam shkuar shtëpi për shtëpi, herë vetem e herë me shokë edhe nga 2 e 3-herë që të regjistroj fëmijët në shkollë e sidomos në kl. V, prandaj edhe mësimi në kl. V filloi me vonesë pas gjysmës së shtatorit”. (Syme Kokaj, vep.e cit., fq.110)

Mësuesit me të cilët Junuzi punoi këtë vit ishin: Daut Hoxhiqi, Lucija Qetkoviq dhe Mehmet Cuca, gjithnjë si mësues të përkohëshem dhe pa kualifikimin përkatës. (Syme Kokaj, vep.e cit., fq.110)

Viti 1950 shënon një datë historike për arsimin shqip. Në këtë vit hapet shkolla normale në Gjakovë dhe për herë të parë nxënës nga trevat shqiptare në Mal të Zi kanë mundësi të shkojnë dhe të shkollohen në gjuhën amtare. Në mungesë të linjës transportuese të udhëtarëve, pushteti i atëhershëm organizon një kamion ushtarak me të cilin nxënësit shqiptarë nga Mali i Zi shkojnë Gjakovë. Këtë Normale e regjistrojnë,nga Ulqini: Naxhie, Dilavere, Sadie dhe Ruzhdi Alibegu, Hasan Gorana, Bahri Brisku, Ilmi Cungu, Kabil Veliaga, Ismet Lamoja, Mefit Hoxha, Riza Rexha, Bajram Rexha, Faik Avdiu, Fadil Taipi, Beqir Kasneci, Brahim Cuca. Më 1953 Normalja kalon në Prishtinë dhe prapë nga këto treva shkojnë për shkollim: Pjetër Mirdita, Zef Mirdita, Shefki Karamanaga, Xhemal Milla, Ruzhdi Ushaku, Hinda Alibegu, Hajro Ulqinaku, Ali Llunji, Limone Llunji, Shefqet Peku, Bajram Sella, Sabri Holli, Xhevdet Holli, Daut Shurdha, Osman Ibroçi.

Në vitin 1956 me një urdhër të çuditshëm mbyllen shkollat në gjuhën shqipe dhe bëjnë që nxënësit shqiptarë të vazhdojnë shkollimin në gjuhën joamtare. Kjo fatkeqësi zgjati deri në vitin shkollor 1960/61.

Me vendimin e KK të Ulqinit, vitin 1965 u themelua Gjimnazi në Ulqin me mësim në të dyja gjuhët. Ndërtesa e re solemnisht u hap me 16.11.1969, fillimisht me 360 nxënës.Sot në këtë ndërtesë e cila është ndërtuar për ti plotësuar nevojat për 350 – 400 nxënës, mësimin ndjekin 1306 nxënës të ndarë në 44 paralele (18 në gjuhën Serbe dhe 26 në gjuhën Shqipe). Mësimi zhvillohet në dy turne.

Nga gjiri i Ulqinit kanë dalë disa emra të mëdhenj të letërsisë shqipe si: Hajro Ulqinaku, Mehmet Kraja, Basri Çapriqi.

Nxënës nga Ulqini – normalistë Prishtinë: ulur: Ruzhdi Ushaku, Xhemail Milla, Jak Mita, prof.

rendi i parë: Cicilia Mita (shoqe), Limone Llunji, Naxhije Alibegu, Hajrudin Pufja; në këmbë: Ismet Lamoja, Bahri Brisku, Pjetër Mirdita, Hasan Gorana, Ruzhdi Alibegu, Daut Shurdha, Hilmi Cungu, Mufid Hoxha, Engjëll Berisha, prof., Viti shkollor 1953/54, Normalja Prishtinë – universitet i kohës

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të premten ekspozita: RIJETËSIMI I ÇARSHISË SË ULQINIT
Të premten ekspozita: RIJETËSIMI I ÇARSHISË SË ULQINIT
Shkup: GJEKA, HOXHA DHE XHURRETA TE XHAFERI
Shkup: GJEKA, HOXHA DHE XHURRETA TE XHAFERI

Ministri për të drejtat e njeriut dhe pakicave, Fatmir Gjeka, me bashkëpunëtorët e tij, sekretarin shtetëror Astrit Hoxhën dhe drejtorin e Drejtorisë për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të popujve

Forca për zgjedhje presidenciale: Vendimin do t’ia lëmë votuesve
Forca për zgjedhje presidenciale: Vendimin do t’ia lëmë votuesve

Kumtesë për media Të nderuar qytetarë, Raundi i parë i Zgjedhjeve Presidenciale të 19 marsit nuk nxori fituesin, andaj me 2 prill do të mbahet raundi i dytë ku Mali i Zi do të fitoi presidentin e ri. Forca

Gjekë Gjonaj: “Afërdita e Anës së Malit”, mësuesja e parë në gjuhën shqipe në këtë  trevë
Gjekë Gjonaj: “Afërdita e Anës së Malit”, mësuesja e parë në gjuhën shqipe në këtë  trevë

Kështu e kam titulluar kronikën televizive gjatë intervistës time të parë me mësuesen e parë në Anë të Malit  Rukije Lika – Shabaj, në nëntor të vitit 1994. Nga biseda me këtë mësuese model, mësuam se

Karate: Të shtunën turneu “Ulqini Open 2023”
Karate: Të shtunën turneu “Ulqini Open 2023”

Klubi i Karatesë “Ulqini” organizon turneun XiX-të Ndërkombëtar të Karatesë “Ulqini Open 2023”. Turneu do të mbahet me 1 prill, në sallën e shkollës fillore “Marshali Tito” në Ulqin. Kjo ngjarje tradicionalisht