Kur kemi të bëjmë me të dhëna interesante lidhur me jetën e përditshme e veçanërisht me qytetin ku jetojmë, secili nga ne ka dëshirë që të luaj rolin e një dijetari apo të mundohet të ofrojë të dhëna sa më interesante lidhur me historinë, ngjarjet dhe ndodhitë e ndryshme që janë zhvilluar në të kaluarën e Ulqinit. Këto të dhëna jo vetëm që janë argëtuese por edhe ndikojnë pozitivisht në pasurimin intelektual me informacione të vlefshme për çdonjërin nga ne lidhur me qytetin ku jetojmë.
Për t’u pasuruar, pra, me këso informacionesh çdonjëri nga ne duhet të lexojë literaturë të ndryshme dhe të bollshme mirëpo për të gjithë ata që duan të dinë disa fakte interesante lidhur me Ulqinin një pjesë të këtyre të dhënave argëtuese munden t’i gjejnë të servirura në një vend. Pra, ditë më parë,duke iu falënderuar iniciativës dhe angazhimit të Qazim Hoxhiqit, drejtor i Organizatësturistike të Ulqinit, u bë e mundur që të publikohet një broshurë shumë interesante me titull “A e dini se? Fakte interesante për Ulqinin”. Kjo broshurë ka formatin 21x15cm, është shtypur në letër cilësore me ngjyra dhe na sjell 54 të dhëna interesante lidhur me Ulqinin dhe rrethinën e tij. Disa prej këtyre të dhënave janë të njohuraprej më parë për një numër të intelektualëve ulqinakë por ka edhe shumë sish të risjella si risi për mbamëndjen kolektive.
Të gjitha këto të dhëna interesante lidhur me Ulqinin u mblodhën dhe u sistemuan në një vend falë angazhimit të gazetarit tonë të njohur Mustafa Canka i cili si bletë mblodhi dhe seleksionoi faktet më interesante të cilat i nevoiten një turisti e pse jo edhe një qytetari ulqinak lidhur me këtë vend të bukur. Kjo broshurë është botuar në tri gjuhë: në gjuhën shqipe, malazeze dhe atë angleze. Broshura në fjalë në gjuhën shqipe hapet me një poezi të Natasha Xhelilit kushtuar Ulqinit dhe vazhdon me një hyrje të përpiluesit të broshurës ku autori, me të drejtë konstaton se: “Natyra ka qenë tej mase bujare ndaj këtij qyteti. Me 33 km bregdet, Ulqini lahet nga valët e detit që nga veriu deri në jug. Deti i kaltër blu, lumi Buna syjeshil me ishullin Ada në grykëderdhjen e tij, liqeni i pasur i Shasit, ullishta shumë shekullore, gjiri magjik i Valdanosit, burimet e ujërave minerale me ajrin e pastërt të pyllit të pishave, plazhet e gjata dhe të bukura me rërë janë vetëm disa nga bukuritë natyrore që nuk përshkruhen me fjalë. Ato, thjesht duhet përjetuar.”
Të dhënat interesante të kësaj broshure, fillojnë me shpjegime lidhur me emrin e Ulqinit dhe vazhdon me informacione në mënyrë kronologjike që nga parahistoria e deri në ditët e sotme. Aty gjen të dhëna interesante për bimë të rralla që gjenden në territorin e Ulqinit si dhe faktin se 110 e lloje të peshqive gjallërojnë në ujërat e Ulqinit. Gjithashtu gjen edhe të dhëna interesante për ambientin rreth kripores së Ulqinit. Një e dhënë interesante që po e veçojmë për lexuesit tanë është edhe pika 19 ku flitet për Skënderbeun dhe shtëpinë e tij në Ulqin. Pastaj në mesjetë Ulqini ka pasë Statutin e vet të qytetit si dhe ka prerë monedhen e vet. Në këtë periudhë kohore qyteti i Ulqinit ka prerë disa lloj monedhash si dhe ia vlen të përmendet se edhe Shasi në këtë kohë ka prerë monedhën e vet (pika 7). Kalaja e Ulqinit para dy mijë vjetësh ka pasë ujësjellsin (pika 10) dhe një e dhënë interesante lidhur me Ulqinin është edhe ajo se në këtë qytet ka ekzistuar Zyrja noteriale që në shekullin XIII (pika 30). Për atë se në Ulqin përveç ullinjve të rëndomtë ekzistojnë edhe “Ullinj deti” do të mësojmë përmes të dhënave nga pika 47 në faqen 24.
Për të gjitha këto si dhe një mori tjetër të dhënash interesante për dhe lidhur me Ulqinin do të keni mundësi t’i mësoni përmes broshurës “A e dini se? Fakte interesante për Ulqinin”. Nën kujdesin e koordinatores Dhurata Hoxha, autori i kësaj broshure Mustafa Canka për përpilimin e kësaj broshure ka shfrytëzuar të dhëna nga 34 botime autorësh të ndryshëm. Dizajni, faqosja dhe kopertina u realizua falë punës së Emina Nimanbegoviqit dhe Gazmend Çitakut kurse botues është Organizata turistike e Ulqinit me drejtor Qazim Hoxhiq.
Pra, nëse doni të mësoni diçka të re lidhur me Ulqinin dhe rrethinën dhe pastaj me këto informacione të impresiononi shokët, miqtë, familjarët dhe të tjerët, atëherë broshura “A e dini se? Fakte interesante për Ulqinin” është gjëja e duhur që duhet lexuar dhe rilexuar disa herë dhe ashtu siç thotëDonald Rumsfeld“Këto janë gjëra që ne e dimë se i dimë. Ka të panjohura të njohura. E kjo do të thotë, se ka gjëra që ne i dimë se nuk i dimë. Por ka edhe të panjohura të panjohura. Ka gjëra që ne nuk i dimë dhe nuk i dimë.” Andaj vizitoni info pikat e Organizatës turistike të Ulqinit dhe kërkoni broshurën e lartëpërmendurose shkarkojeni online në gjuhën e preferuar përmes web faqes së OT Ulqin.