Gazmend Çitaku: Mbrëmje kushtuar librit të Mustafa Cankës në Podgoricë

Në organizim të Qendrës për mbrojtjen e kulturës së pakicave (CEKUM), më 17 tetor 2024 në Podgoricë, në Bibliotekën “Radoslav Lumoviq” u bë përurimi i librit “Republika kusare e Ulqinit – Epopeja 200 vjeçare” e autorit Mustafa Canka.

Në sallën përplot dashamirë të librit, shokë, miq të autorit të librit si dhe të interesuar tjerë, fjalën përshëndetëse në emër të organizatorit e mbajti drejtori Qendrës për Mbrojtjen e Kulturës së Pakicave, z. Gëzim Hajdinaga i cili bëri një retrospektivë të punës së këtij institucioni si dhe u zotua se në të ardhmen, si institucion, do të punojnë më shumë si në mbrojtjen, ashtu edhe në afirmimin e kulturës, traditës dhe trashëgimisë së pakicave që jetojnë në Mal të Zi.

Udhëheqësja e mbrëmjes, zonja Vesna Shoshkiq, gjatë përurimit përveç prezantimit të shkurtër të autorit dhe të organizatorit, të pranishmëve në fillim dhe në fund të programit u lexoi nga një fragment të librit në fjalë.

Lidhur me punën, veprimtarinë dhe librin e Mustafa Cankës foli kryetari i Kalasë së Ulqinit, z. Ismet Karamanaga. Ai tha se libri nëpërmes informacioneve të shumta historike përafron lexuesit me jetën dhe bëmat e detarëve ulqinakë që për shkak të zilisë së kundërshtarëve janë mbiquajtur kusarë. Pasi që kafen e mëngjesit e pinë së bashku me Mustafën, Karamanaga soli edhe grimca dhe anekdota nga shoqëria e tyre dhe jeta e përditshme.

Lidhur me përmbajtjen e librit të pranishmëve në superlativ u foli profesori i historisë dhe magjistri i bibliotekarisë z. Edin Smajloviq i cili e pranoi se lidhur me tematikën dhe bëmat e detarëve ulqinakë kishte pak apo më mirë të themi aspak informacione. Ky libër i Mustafës ishte takimi i tij i parë me këtë lloj tematike dhe me këtë rast e uroi autorin për sfidën e kaluar me shumë sukses, punë për të cilën shumë studiues dhe historianë do ia kenë zili. Edini foli edhe lidhur me stilin e shkrimit shumë të kapshëm të Mustafës, stil ky që është trashëgimi nga kultura e shkrimit të kolumnave dhe një formë e të shprehurit shumë e qartë të cilën e kuptojnë të gjithë ata që e lexojnë pa marrë parasysh moshën. Në vazhdim ai theksoi se Mustafa Canka me këtë libër ka rrëfyer se si duhet t’i qasemi temave historike në shekullin XXI, dhe se historia nëse i qasemi nga aspekti njerëzor atëherë ajo do të ofrojë kontributin e vet në njohjen dhe afrimin mes njerëzve dhe popujve. Gjë që për këtë, tha Edini, mendoj se sot e kemi më se të nevojshme dhe para së gjithash është krejt njerëzore dhe normale nëse dëshirojmë që të angazhohemi dhe të kontribuojmë në shoqëri.

Në fjalën e tij përshëndetëse dhe falënderuese për praninë e madhe, Mustafa Canka u shpreh se dëshira dhe porosia e tij është se çdo gjë është më e mirë dhe më e lehtë nëse i kthehemi detit, nëse i kthehemi Mesdheut sepse atij edhe i përkasim dhe në fund, tha Mustafa, nëse i kthehemi përnjëmend, thelbësisht dhe qenësisht vetvetes, atëherë dhe vetëm atëherë do të jemi më të mëdhenjtë dhe në lartësinë e duhur.

(Koha javore)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi