Peshku ka thënë: “… baftë hajr aj që më blen, e mas baftë hajr aj që më xen”. Me këtë thëne të vjetër ulqinake fillon recensioni i Jaho Kollarit për librin “Peshqit e detit tonë” të Hajro Ulqinakut. Duke shfletuar këtë Glosar iktiologjik nuk ka se si të mbetesh indiferent ndaj shumësisë së informatave që mund të përfitosh nga ky libër. Pasi që e lexova, rilexova, studiova dhe analizova mirë e mirë, një të diele të stërngrohtë të korrikut papandehur e gjeta veten duke u munduar që në thellësitë e detit blu të Valdanosit të identifikoja lloje peshqish që i kisha parë në këtë libër. Në të vërtetë që nga koha e fëmijërisë njihja mjaft lloje peshku dhe emrat ua dija “alla ulqinakçe”. Andaj i gjetur në këtë pozitë dhe i rrethuar me lloj-lloj peshqish vendosa që kësaj vere t´ia dhá vetes për detyrë që të bëj fotografitë e peshqve të detit tonë apo thënë më konkretisht vendosa të evidentoj llojet e peshqve që jetojnë në gjirin e Valdanosit.
Detyra e parë ishte që të riaktivizoja aparatin për fotografi nënujore të cilin e kisha blerë vite më parë. Me këtë aparat atëherë kisha bëra fotografitë nënujore të gjurmëve të mureve të Oleotopolisit apo Atlantidës ulqinake, pastaj mbetjet e anijes së fundosur në ujrat e Valdnosit dhe shumë e shumë fotografi të fund-detit mirëpo për çudi nuk më kishte shkuar mendja kurrë që të bëja fotografitë e peshqve tanë. Ata ishin gjithmonë aty, pranë dhe gjithmonë ishin kurreshtar dhe më vinin pranë sikur dëshironin të më tregonin se ku ndodhej thesari i piratit. Isha i vetëdijshëm se nuk do të mund të bëj fotografi të ndonjë kualiteti shumë të lartë mirëpo shpresat i mbaja në eksperiencën e madhe fotografike, pastaj në diellin rrezeartë dhe ujin e kthjellët të detit tonë.
Zhytja është një eksperiencë shumë e veçantë. Kur futesh në botën nënujore të aktivizohen të gjitha shqisat dhe fokusimi është në maksimum. Në fillim nuk dëgjon gjë përveç frymëmarrjes tënde të cilën me kohë e vëren së është e një ritmi me lëvizjet e gjymtyrëve. Bota e qetësisë hap portat e veta para teje duke të ndjellë me laramaninë magjepse të mjedisit të heshtur nënujor. Rrezet e arta të diellit luajnë me ujin e kthjellët të detit duke krijuar reflektime magjike. Ja edhe gjallesat e para që identifikoj nën ujë – iriqët e detit. Këta janë të shumtë andaj edhe duhet patur kujdes, jo se të sulmojnë ose janë agresiv, por ngaqë përmes gjembave mbrojnë veten e tyre nga pakujdesia jonë. Me aparat i bëj disa fotografi duke i marrë nga këndet e ndryshme. Mundohem që të zë dritë të mirë andaj edhe shkrepjet nuk i kursej sepse nga shumësia do të dalë diçka që do të vlejë. Nxjerr kokën jashtë ujit që të bëj një orientim të përafërt. Ndodhem tridhjetë metra nga bregu i detit dhe thellësia vende vende shkon deri në katër metra. Për këtë sezonëmendoj se do të më mjaftojë kjo thellësi edhe pse i vetëdijshëm se më shumë do ketë peshq të vegjël mirëpo do të fokusohem të dokumentoj sa më shumë lloje.
Peshku që më së shumti e hasim në Valdanos është kush tjetër pos BUKURINA. Peshku me emrin e pastër shqiptar dhe me legjendën që tregohet në Ulqin se si e ka fituar emrin. Këtë peshk e fotografoj në shumë kënde dhe në numrin më të madh. Bukurina i imponohet aparatit fotografik sepse është peshk shumë i shoqërueshëm, i bukur dhe në Valdanos e hasim në madhësi të ndryshme nga 10-20 cm. Në thellësi të vogla hasë në bukurina të vogla pak më thellë janë ato më të mëdhatë. Karakteristikë e bukurinës është se ajo qëndron vetëm në ujëra shumë të pastra. Menjëherë aty pranë bukurinës me shpejtësi kalon një ARAVË. Mundohem ta fotografoj por ajo me shpejtësi largohet. Pak më në të djathtë vërej një KALLAUZ. Ishte ndalur dhe meditonte kush e di se çka. I avitem ngadalë, ndaloj frymëmarrjen me qëllim që mos ta frikësoj. Bëj disa fotografi dhe ai nuk luan vendi. Gëzimi është i madh sepse tashmë ia arrija të identifikoja llojet e peshqve brenda ambientit të tyre jetësor. Përbri më kalon tufa me QEFULL. Dhjetë, pesëmbëdhjetë kokrra “GURCAK”. ”Ah si nuk po më del para ai OKTAPODI i javës së kaluar” – mendova. Po ku ta gjejë atë tani? Ndoshta e ka zënë miku im Hajroja dhe ai ka përfunduar në fundin e kusisë së tij?! Duke menduar rreth fatit të oktapodit u nisa drejt vendit ku gjendet anija e fundosur sot e më shumë se njëqind vjet më parë.
Po shkoj ke anija e fundosur sepse aty gjithmonë ka peshk – i thashë vetvetes. I dhashë pak më shumë duarve dhe këmbëve dhe sa çel e mbyllë sytë arrita te vendi i duhur. Ke grumbulli i tullave tashmë të gurëzuara kullosnin shumë lloj peshqish, identifikoj: FIK, GJANCË, FRAT, BOKFË, SHAPURINË, ORADË, SHKALPOÇI si githmonë në fund të detit përmbi gurë etj. Temperatura e trupit tim kishte rënë andaj edhe ora biologjike lajmronte se ishte koha për të dalë nga uji i detit.
Mjaft për sot mendova. Vera është para meje dhe me siguri në ditët në vazhdim do gjej edhe lloje tjera peshqish, pastaj do merrem edhe me butakët, bimët por edhe llojet e guaskave. Pak para se të mbrrija në vendin ku zakonisht dal nga uji, në thellësi prej vetëm 80cm vërejta diçka që më gëzoi shumë. Është kjo PALLASTURA, Pinna nobilis. Lloji i guaskave që jetonë vetëm në ujëra shumë të pastra dhe është i mbrojtur me ligj. Pallastura di të jetojë deri në 45 vjet dhe të rritet deri në 1,5 metra. Më kujtohet kur para shumë vitesh lexova se në Gjirin e Kotorrit shkaku i një bakterie pothuajse ishin zhdukur të gjitha kurse në fillim të kësaj vere fqinjët tanë dalmatë lavdroheshin se kishin identifikuar 12 sish në gjithë bregdetin e Kroacisë. Ja pra, në Valdanos, para meje qëndronte e gastuar fisnikja e Mesdheut. Sapo iu afrova menjëherë mbylli luspat e saja të mëdha gjë që tregonte gjendjen e saj të mirë shëndetësore. Pallastura, pra, miq jeton vetëm në ujërat e Mesdheut. Në këto ujëra të pastra, krenare qëndon vertikalisht dhe i ngjanë velit të anijes. Edhe viteve të mëparme kam hasur në Valdanos në pallastura që ishin në gjendje të kënaqshme dhe të ngulitura mirë vertikalisht në fundin ranor të fushave me barishnje nënujore (Posidonia oceanica).
I kënaqur me ditën, ujin dhe diellin memzi prisja rezultatet e foto sesionit të peshqve të Valdanosit. Në mbrëmje nxora kartelen nga fotoaparati dhe filluan të përsëriten emocionet e botës nënujore të bregut të detit tonë shumë të pasur. Fotografitë ishin kaluese por kishin nevojë të ndërhyhej në mënyrë që vizualiteti të rritej. Befasia më e madhe ishte me pozën e kallauzit që unë çuditesha pse nuk frikësohej. Ai në të vërtetë ishte ngrirë nga frika ngaqë kishte qenë i rrezikuar nga sulmi i MRINËS të cilën e kisha fotografuar në gatishmëri për sulm e që nuk e kisha vërejt më parë. Ja pra miq sa e çuditshme është bota nënujore, plot e përplot me befasi. Kjo verë do jetë shumë interesante.