Gazmend Çitaku: MUSTAFA CANKA – INTERKULTURALISTI NGA ULQINI

Mustafë Canka, gazetar, publicist, aktivist ekologjik etj., është një emër i njohur jo vetëm në Mal të Zi por edhe më gjerë.

Ai ka lind në Ulqin më 1969 ku edhe ka mbaruar shkollën fillore dhe gjimnazin kurse Fakultetin e turizmit dhe tregtisë së jashtme në Dubrovnik.

Është themelus dhe kryeradaktor i portalit Ul-info, anëtar i redaksisë së revistës së pamvarur malazeze “Monitor”, korrespodent shumëvjeçar i Deutsche Welle. Po ashtu është anëtar i Bordit drejtues të gazetarëve profesionist të Malit të Zi dhe i Institutit për medie i Malit të Zi.

Deri më tani ka botuar librat: “Qyteti” (2008), “Ulqini në Perandorinë Osmane” (2012) dhe “Paraqitje interkulturore – Ulqini dhe Tivari” (2020).

Në vitin 2021, Courrier des Balkans, një ndër mediat më të njohura në gjuhën frënge shpalli Mustafë Cankën një ndër 13 herojt e Ballkanit për vitin 2021, kurse Revista “Komuna” e nderoi me çmimin e parë për vitin 2022.

Mustafa është njeri modest i cili parreshtur i përkushtohet bashkëjetesës dhe interkulturalizmit. E si të mos jetë i tillë kur, për mua e besoj se edhe ju pajtoheni, jeton në qytetin më të mirë të Adriatikut dhe Mesdheut e ai është Ulqini.

Ulqini që nga themelimi i tij ka qenë vend i njohur për bashkëjetesë dhe harmoni mes të ndryshmëve të species së sapiensëve. Ulqini është një qytet i cili gjithmonë ka hapur dyert për të gjithë ata që kanë kaluar këtupari. Disa vetëm kanë kaluar. Disa janë ndalë përkohësisht e disa kanë ndenjur përgjithmonë. Të gjithë këta padyshim se kanë lënë gjurmët e veta e këto gjurmë deri në ditët tona janë përcjellë brez pas brezi.

Mustafë Canka si interkulturalist së pari mundohet ta rregullojë qytetin e vet e përmes tij edhe shtetin dhe mbarë shoqërinë. Si kontribuesi shoqërisë civile, Mustafën e gjen në rendin e parë si në mbrojtjen e të drejtave të njeriut ashtu edhe të mjedisit jetësor, peshqëve, detit, Adës, Kripores, ullishtës dhe interkulturalizmit. Ai njëkohësisht është edhe kronist i kohës dhe dëshmitar i shumë proceseve dhe ngjarjeve që kanë ndodhur te ne. Ata që e njohin personalisht e dinë se kanë të bëjnë me një optimist i cili trumpeton se pesimizmi dhe frika për të ardhmen janë aleatë të këqinj dhe se me të tillë nuk ka të ardhme të ndritshme.

Ai komunikon butë me të gjithë e kur jemi te komunikimi më duhet ta citoj Mustafën ku ai thotë: “Komunikimi i të ndryshmëve është privilegj, derisa komunikimi i të ndryshmëve, por të barabartëve është bekim.”

Mustafa në identitetin e vet ka të ngulitur eksperiencën e barazisë andaj edhe posedon fuqinë e tolerancs dhe aftësinë që të kuptojë të tjerët dhe kurrë t’u imponojë rregullat dhe mendimet e veta. Ai gjithmonë përdor argumentin andaj edhe është i hapur për mendimet e të tjerëve e që do të thotë se di të dëgjojë, di të debatojë e para së gjithash nëse janë në përputhshmëri me parimet e tija atëherë ai edhe mund t’i pranoj ato në mënyrë që të pasurojë botën e vet shpirtërore dhe të zgjerojë të kuptuarit për botën dhe të tjerët.

Një mendësi e tillë pra, di të bashkojë dhe të çlirojë.

Është një thënie shqipe që ka të bëjë me jetën e që thotë: “O ke deti, o ke mbreti”. Mustafa u rrit, u formua intelektualisht dhe u burrërua pranë detit andaj edhe pse kishte shumë mundësi të shkojë pranë “mbretit” ai zgjodh detin si vend për jetë e për punë dhe dëshmoi kulturën e vet mesdhetare. Mustafa thotë: “Nëse e kuptoni që me tërë qenien tuaj i takoni Mesdheut,këtij djepi të civilizimeve të vjetra dhe korridori të civilizimit tonë, mijëra vjet do t’ ju ngjajnë si njëditë, ose një pjesëz e ditës.”

Duke lexuar librin e fundi të Cankës “Paraqitje interkulturore – Ulqini dhe Tivari” padyshim se gjen përputhje mendimesh me ato të Predrag Matvejeviqit në “Mediteranski brevijar”. Canka na rikujton ose mëson ritet, adetet, emërtimet për gjërat që nuk janë më ose janë gati në harresë. Unë duke njohur Cankën që në fëmijëri mundem ta përshkruaj me një thënie: “illyrian proprii / proprie dicti” dhe mu ky definicion i Plini Plakut i shkon përshtati Cankës sepse edhe ilirët pritën, integruan, shkëmbyen dhe vazhduan të bashkëjetojnë me të gjithë ata që erdhën e kaluan, erdhën e na shtypën ose erdhën e zgjodhën të mbesin këtu.

Canka përmes veprimeve dhe shkrimeve të veta jep shumë porosi e një ndër to është edhe “Të njihemi me njëri tjetrin, të sillemi ndaj tjetrit dhe të ndryshmit në mënyrën më të bukur, të sillemi me paqe dhe modesti, është obligim i njeriut, siç është obligimi më i shenjtë ta respektoj më dinjitetin, jetën dhe pronën e tjetrit, si dhe të bëjmë mirë. “

Ja pra një dëshmi e qartë e një përkushtimi njerëzor për mirëkuptim ndërmjet të njerëzve të rritur. Por, ai shkon edhe më tej duke kërkuar që në fëmijëri të hershme pra, gjatë arsimit formal në shkollat tona të përfshihet koncepti interkulturor në mënyrë që fëmijët e më vonë edhe rinia të kenë mundësi të fitojnë dije dhe experience për kulturat tjera.

Pra, Mustafë Canka si interkulturalist ska si të jetë ndryshe veçse i tillë sepse e tillë është e gjithë hapsira e Mesdheut e veçanërisht trekëndëshi Shkodër, Ulqin, Tivar.

Po e përfundoj me një porosi të Cankës: Samo je ljubav sila, sve je ostalo nasilje!

(Fjala i publicistit Gazmend Çitaku në mbrëmje “Tre portrete të krijuesve ulqinakë” të mbajtur në Qendrën për kulture në Ulqin, me 24 maj 2023)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi