Gazmend Çitaku: NEKROPOLA ILIRE NGA KOHA E BRONZIT NË DINOSHË

Rrugëtimet nëpër vendet ilire  janë pasion imi dhe i grupit të shokëve që veten e quajmë ilirë. Ne mundohemi që t’i risjellim këto vende duke i shpalosur lexuesve të kohës së sotme historinë tonë të pasur dhe të njihen edhe ata më për së afërmi me paraardhësit tanë dhe atë çfarë kanë përfaqësuar ata. Që të vizitosh e të mësosh diçka më shumë për këto vende nuk ka nevojë që të jeshë tip sportiv apo alpin sepse këto rrugëtime janë të lehta dhe mjafton vetëm dëshira, vullneti i mirë dhe pak dije nga historia.

Shumë vendbanime të sotme që janë në nivelin e lagjeve, paralagjeve të qyteteve, fshatrave apo vendbanimeve të vdekura dikur kanë qenë qendra shumë të rëndësishme. Ne jetojmë në një vend ku çdo pëllëmbë toke është e shkruar me ngjarje historike. Kudo që të ndaloni padyshim se dikur ai vend ka pasë rëndësinë e vet. Fati deshi që më 22 maj 2022 së bashku me mikun tim Sami Flamurin të jemi musafir në Dinoshë (Tuz) te Muhamed Gjokaj e që ky vend ka një kontinuitet jete që nga antikiteti i hershëm e deri në ditët e sotme. Dikur një vendbanim dhe një fortifikatë e rëndësishme ilire kurse sot një fshat shumë piktoresk në komunën e Tuzit, Mali i Zi.

Ju me të drejtë do të pyesni çfarë e bën të veçantë Dinoshën? Nga aspekti historik hasim në shtresa të pasura historike të ndryshme që nga antikiteti e deri në periudhën e vonë osmane, pastaj Lumi Cem, akuadukti antik, Gjyteza ku qartë shihen muret ciklopike ilire, tumulat ilire që janë të shumta (vetëm në kodrën Pllanicë 3 sish), rruga ilire etj. Të fillojmë nga e para. Dinosha thamë se gjallëron që nga antikiteti i hershëm. Ndodhet në vijën rrugore antike Scodri-Narona e që sipas studiuesve nuk është identifikur saktësisht emri antik i tij dhe hamendësohet mes Cinna dhe Birziminium. Sipas Itinerariun Antonini nga shek.III shënojmë: Andraba XVII Sallunto XXVII Alata X Birzimino XVIII Cinna XII Scodra[1] Tabula Peutingeriana nga shekulli i VI e që me siguri ka dalë nga ndonjë itinerar i shekullit II identifikohen keto vendbanime: Sanderva VI Varis XI Sallunto XII Halata X Bersumno XVI Sinna XX Scobre.[2] Vëmendjen e studiuesve në identifikimin e Dinoshës tërheqin dy toponime Cinna e cila shumë lehtë mund të lidhet me emrin e lumit Cem por edhe Bersumno ose Birzimino e cila është derivat i fjalës bergh që do të thotë breg e që identifikimi i Vuksanlekajve që është në rrafsh do të binte poshtë kurse Gjyteza e Dinoshës e vendosur në kodër dhe më afër Ribnicës dhe Meteonit shumë lehtë mund të identifikohet me këtë emër. Por, duke dashtë t’i ikim spekulimeve duhet lënë gërmimeve arkeologjike dhe studiuesve të fushave përkatëse që emrin antik të Gjytezës së Dinoshës ta identifikojnë mes Cinn-ës dhe Bersumno-s.  Ky territor që i takon bazenit të Liqenit të Labeatëve padyshim se gjendet mes popullsisë ilire të identifikuar si Labeatë dhe Dokleatë. Por, sipas disa studiuesve tjerë supozohet se në territorin rreth Dinoshës do të ketë jetuar një fis pak më i vogël ilir. Sipas Plinit, Sasejët dhe Grabejët, kurse sipas Apianit Kambanojët ose Kinambrët ishin ata që jetonin në arealin mes Shkodrës dhe Duklës.[3]

Miku ynë Muhamed Gjokaj na prinë rrugës relativisht të re, të hapur gjatë sundimit të Perandorisë Osmane e të rindërtuar në kohën e Luftës I Botërore dhe dëshiron të na tregojë vendet ku ai si fëmijë ka kaluar kohën. Kjo rrugë fillimisht nuk të lë ndonjë përshtypje por duke u ngjitur lartë e më lartë hapet fusha e Cemit (55km2) dhe fshati piktoresk i Dinoshës përmes të cilit gjarpëron lumi Cem (56km). Përballë komunikojmë me Gjytezën (kalanë) dhe miku ynë na thotë se në majën e kësaj kodre e cila në gjuhën lokale quhet Pllanicë (263m) ndodhet Islikami e që pasi që konsultojmë së pari fjalorin shqip-shqip mësojmë se istikam[4] do të thotë llogor. Të njejtin veprim bëjmë edhe në fjalorin shqip-turqisht ku gjejmë fjalën istihkam[5] e që do të thotë fortifikatë, vend i fortifikuar, llogor. Pra, Muhamedi neve po na drejton në një vend ku dikur ka qenë i stacionuar një repart ushtarak. Të mirat e ngjitjes fillojnë me përshëndetjen që na e bën një shqiponjë e cila duke na treguar se na ka vërejt filloi të fluturojë rreth majës së kodrës.

Shenjë e mirë – thotë Samiu. Po na presin misteret e kodrës e cila sipas mendimit tim i gjasonte piramidës. Kjo kodër e zhveshur dhe me shtresa shkëmbore gelqërore të lëmura shumë të gjasonte me muret e piramidës e që ndoshta në kohën pellazgjike edhe do të ketë qenë ndonjë objekt i tillë. Duke sjellë këto mendime nëpër kokë Muhamedi shkëput vëmendjen tonë duke na thënë se kur të ngjitemi lartë islikami është i ndërtuar mbi një faltore të stërlashtë ilire dhe se tani do shkëputmi nga rruga zyrtare dhe do dalim shkurreve ku do gjejmë rrugën ilire e cila dikur ka shkuar deri në faltore dhe se në kohën e ilirëve kjo kodër ishte e veshur e tëra me bimë e drunj e jo si sot e tëra vetëm me sherbelë (Salvia officinalis). Piramida, shqiponja, faltorja, pylli i dikurshëm, tanimë gjërat kishin filluar të komplikohen.

Por, me të vërtetë disa metra nga rruga kryesore dolëm nëpër një rrugë me kalldrëm antik të mbuluar me shkurre e që ne u detyruam të ecim cepit të tij ku qartë shihej se kjo rrugë kishte karakteristikat e qarta arkitektonike. Gjërësi prej afro 3m, vende vende kanalin për zhgarkimin e ujërave, muri mbajtës e mbi të gjitha ende qëndonte dhe ne ecnim gjurmëve të paraardhësve tanë. Në një pikë pushimi diku në mes të kodrës hasim në një hardhi rrushi e që sipas të gjitha gjasave do duhej të ishte që nga koha ilire e që e vetme kishte mbijetuar deri në ditët e sotme mu në gjysmën e kodrës. Me siguri shërbëtoret ilire të faltores në majë të kodrës kanë shijuar frutet e ëmbla e ndoshta edhe i kanë shtypur me këmbët e tyre të buta që të prodhojnë lëngun – verën  t’i merr mendët por t’i sjell prapë. Pushojmë pak dhe vazhdojmë ngjitjen, afër islikamit, siç e thërriste miku ynë, dallojmë qartë një grumbull të stërmadhë gurësh. Shpejtojmë hapat dhe arrijmë majë kodre. Para nesh shfaqet muri i cili nuk na bën përshtypje por ajo që na tërheq vëmendjen ishte grumbulli i madh i gurëve që të bënte të mendosh se kemi të bëjmë me një tumul ilire. Dhe po. Ajo me siguri do të ketë qenë një tumul – mogilë mbretërore ilire e ngritur mu në majë të kodrës dhe që për shkak të pozitës strategjike do të jetë shfrytëzuar për çëshjte ushtarake në kohën e luftrave ballkanike e botërore. Është e ditur se austriakët në Luftën e I Botërore vinin me arkeolog të cilët bënin hulumtime dhe me siguri bënin përvetësime të pasurisë dhe artefakteve që zbulonin. Ne si laikë nuk mundnim të konkludonim se a është i hulumtuar apo jo dhe a është me të vërtetë nekropolë nga koha e bronzit. Por miku ynë nuk ndalon me befasi.

Ai na prinë në vendin që e quante islikami i vogël por kur u ndalëm aty tanimë ishte çdo gjë e qartë. Kishim të bënim me një nekropolë ilire të cilën veç e kishin vjedhur dhe shkretuar me kohë. Bëmë fotografi dhe vazhduam zbritjen edhe për nja 20 metra. Ç’të shohim para nesh shfaqet tumula tjetër më e madhe se ajo paraprake. Edhe kjo e shkretuar por pllakat gjigande të sarkofagut me gurë shumëtonëshe shiheshin qartë dhe flitinin për madhështinë e kësaj tumule që ende qëndronte që nga koha e bronzit. Diskutojmë dhe konkludojmë se edhe ajo në majë do të ketë qenë tumula e prijësit më të rëndësishëm kurse këto më të voglat do duhej të ishin me grada më të ulta shoqërore. Ndiheshim shumë të plotësuar me atë çka pamë dhe gjetëm andaj gjetja e tumulës së fundit (e katërta) ishte qershia mbi tortë. Në grumbullin e gurëve në mënyrë horizontale rrinte megaliti shumëtonësh të cilën me kush e di se çfarë teknike e kanë sjellë aty pararadhësit tanë. Ekspedita kërkimore e arkeologëve polakë nën udhëheqjen e arkeologes Ursula Bogaj nga Instituti i Arkeologjisë dhe etnologjisë pranë Akademisë së shkencave të Polonisë në Warshavë, kishte bërë hulumtime dhe gërmime në vitin 2012-2013 mirëpo vetëm kishte konstatuar gjendjen në terren të tumulave dhe tjetërsimin e artefakteve të mundshme që do të kenë marrë gërmuesit ilegal. Ajo bën edhe një punim shkencor ku shpjegon vendndodhjet, madhsitë dhe çdo gjë lidhur me këto tumula ilire që ndodheshin në një hapsirë relativisht të vogël dhe shumë pranë njëra tjetrës. [6] Prania e këtyre tumulave të kthen në fillim të tregimit të mikut tonë Muhamed Gjokaj i cili thoshte se në majë të kodrës do të ketë qenë e mundur të ketë qenë një faltore ilire. Këtë mendim e përkrahim edhe ne sepse këto tumula jo vetëm që komunikojnë njëra me tjetrën por komunikojnë edhe me Gjytezën e Dinoshës si dhe majet e maleve Suka e Grudës (1169m) dhe Helm (1834m).

Zbresim në Dinoshë dhe ashtu siç e do tradita malësori nuk e lë mikun të shkojë pa i dhënë një kafshatë bukë. Çka ka falë Zoti, e ke miku ynë tryeza ishte e përplotë dhe ne i urojmë shëndet e begati edhe më shumë.

Kthehemi në Ulqin dhe konsultoj shpejt e shpejt literaturën lidhur me Dinoshën. Një fakt interesant është edhe ai që e hasim në Defterin e regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës të vitit 1485 (vol.1) faqe 395 thotë: Fshati Grudë, varet nga Zhabjaku, timar i Kadiut të nahisë së Podgoricës. Ka 80 shtëpi.

Fshatin Dinoshë si toponim e gjejmë edhe në Hartën e Coronellit të viti 1690, pastaj mu në këtë fshat fillonte akuadukti i Doklesa (nga shek.II e.re) e cila merrte ujin nga lumi Cem mu nga Dinosha për nevoja të Duklës e që është i gjatë 14km. Sa i përket faltoreve, kisha më e vjetër e fshatit është e ngritur në themelet e një kishe paleokristiane që daton diku nga shekulli i VI kurse themelet e xhamisë së Dinoshës datojnë nga viti 1770. Dinosha pra miq është një vend shumë i bukur dhe piktoresk i pasur me ujë, male, fusha, kulturë dhe histroi të bujshme. Andaj ia sygjeroj çdokujt që një ditë t’ia kushtojë këtij fshati në eksplorimin e tij.


[1] Itinerarium Antonini Augusti et Hierosolymitanum, 338-339, Pavle Mijović, Od Dokleje do Podgorice, Cetinje 1998, fq.102-103.

[2] Po aty, fq. 104.

[3] G. Alfödy, Bevölkerung und Gesellschaft der römischen Provinz Dalmatien, Budapest 1965, fq. 49. OLIVERA VELIMIROVIĆ-ŽIŽIĆ – “OSTACI FORTIFIKACIONE ARHITEKTURE NA GRADINI ĐUTEZA U DINOŠIMA KOD TITOGRADA” (OBJAVLJENO U MATERIJALI XXII, NOVI SAD, 1986, STR. 80-87)

[4] Akademia e Shkencave e RPSH, Fjalori i shqipes së sotme, Tiranë 1984, fq. 458.

[5] Hysen Voci, Fjalor turqisht-shqip, Infbotues, Tiranë 2002, fq.200

[6][6] Urszula Bugaj, Predrag Lutovac, Miron Bogacki, Maciej Trzeciecki and Mario Novak, Bronze-Age stone tumuli on Planinica Hill, opš. Tuzi, Montenegro, Sprawozdania archeologiczne, 2013, Instytut archeologii i etnologii polskiej akademii nauk, fq. 427-435

Leave a Reply

Your email address will not be published.

KONCERT “ZAUSTAVITE RAT – NDALENI LUFTËN”

Media for All: NË ULQIN MBAHET KONFERENCA E MEDIAVE RAJONALE

Horizonti i Ri: TUBOHEN PËRFAQËSUESIT E MEDIAVE KRYESORE NË GJUHËN SHQIPE

Zëri: Shkolla e parë shqipe u hap më 1258 në Ulqin

Shkolla shqipe ka një traditë të gjatë. Nga hulumtimet e deritashme që kanë gjetur dhe publikuar studiuesit dhe gjuhës shqipe, shkollës shqipe dhe historisë së shqiptarëve vërtetohet se shkollat shqipe kanë një histori prej së

Zëri: Shkolla e parë shqipe u hap më 1258 në Ulqin
Zëri: Shkolla e parë shqipe u hap më 1258 në Ulqin

Shkolla shqipe ka një traditë të gjatë. Nga hulumtimet e deritashme që kanë gjetur dhe publikuar studiuesit dhe gjuhës shqipe, shkollës shqipe dhe historisë së

Fakulteti në Ulqin: REGJISTRIMI I GJENERATËS SË RE TË STUDENTËVE PËR VITIN AKADEMIK 2022/23
Fakulteti në Ulqin: REGJISTRIMI I GJENERATËS SË RE TË STUDENTËVE PËR VITIN AKADEMIK 2022/23

Fakulteti i Studimeve të Biznesit Mesdhetar në Ulqin bëri të ditur se janë në vazhdim regjistrimet në studimet themelore akademike për vitin 2022/23. Siç thuhet,

Komuna: SOT FILLON ASFALTIMI I RRUGËVE TË GËRMUARA
Komuna: SOT FILLON ASFALTIMI I RRUGËVE TË GËRMUARA

  Komuna e Ulqinit njoftoi se të premten do të fillojë asfaltimi i rrugëve të gërmuara, i cili do të zgjasë disa ditë. Vetëqeverisja lokale

CEDIS: TË PREMTEN PA RRYMË NJË PJESË E KOMUNËS SË ULQINIT
CEDIS: TË PREMTEN PA RRYMË NJË PJESË E KOMUNËS SË ULQINIT

Nga Sistemi malazez i elektroshpërndarjes (CEDIS) thanë për Portalin Ul-info se të premten, më 24 qershor, në periudhën prej orës 08 deri në 14,30, pa

Komuna: BEQIR SELLA KANDIDAT PËR ZËVENDËSKRYETAR
Komuna: BEQIR SELLA KANDIDAT PËR ZËVENDËSKRYETAR

  Zyrtari i lartë i Partisë Demokratike, Beqir Sella, është kandidat për nënkryetar të Komunës së Ulqinit, mëson Portali Ul-info. Ai është deputet i asaj