Gazmend Çitaku: PËRJETËSISHT REBEKA

Vitet rrjedhin pa bërë zë, duke lënë pas vetëm gjurmët e heshtura të kohës që ikën, ndërsa kujtimet mbeten të vetmet ishuj ku mund të kthehemi për të gjetur pak nga ngrohtësia e atyre që u larguan. Mjaftojnë vetëm pak sekonda soditje mbi një fotografi të vjetër, që çdo detaj të ngjallet: gëzime, familjarë, shokë, fytyra të njohura e të panjohura kthehen kaq pranë, sa të duket sikur ngjarja e ngrirë në kohë po ndodh pikërisht tani, para syve tanë.

Kështu para dy muajsh duke shfletuar disa albumefotografike nga fillimi i këtij shekullimë rastisi që të hasnë një fotografi të Rebekës. Ishte ky një portret i saj kur ajo ishte diku 6 apo 7 vjeçe. Ndodheshim në Ulqin, në tarracën e dashur të axha Hajros.Unë me aparat në dorë duke kapur një çast të thjeshtë të asaj fëmijërie, kurse ajo qëndronte e stepur para oleandrit.Faqet e kuqe si qershia i varshin nga fytyra dhe kishe ndjenjën se do bijnë në tokë. E donim të gjithë. Ishte gëzimi i parë në shtëpinë e axha Hajros dhe e para që ua theu zemrat të gjithëve me ikjen e saj në përjetësi. Iku e u largua si një ëndërr e lehtë…

Pellumbi,fluturoi.

 

Vitet kalojnë, plagët nuk shërohen. Mbesin të hapura. Mbesin kujtimet. Mbesin fotografitë. Mbesim ne dëshmitarët e një kohe të shkuar.

Verë, djegagur. Në zhegun mbytës të verës së Ulqinit, aty ku koha duket se matet me rrahjet e zemrës dhe jo me akrepat e orës, kërrnjallat pëlcasin pandërprerë në këngën e tyre të nxehtë verore. Ndodhem sërish në të njëjtën tarracë. Kanë kaluar shumë vite të gjata, të rënda, prej asaj dite kur Rebeka u shkëput nga jeta jonë, duke lënë pas një boshllëk që nuk mbushet kurrë.

Teze Leta mëka ftuar për çaj me gjygyma, një ritual i vjetër që mban gjallë shpirtin e kësaj shtëpie. Megjithëse temperaturat ditore kanë kaluar të dyzetat çdo ditë tash e një muaj, duke e bërë ajrin të rëndë e të papërballueshëm, nuk munda ta refuzoj. Ka ftesa që nuk refuzohen, sepse vijnë nga dashuria.

Teze Leta afrohet me kujdes dhe mbush bardakët: së pari hedh lëngun e zi prej kupës së vogël, e pastaj e hollon me ujin e valuar nga kupa e madhe, në ndërkohë axha Hajroja zbraz kusinë me kokoshkat e përgatitura enkas për tyryqillakun e çajit. E pimë çajin e parë, e menjëherë pas tij edhe të dytin – siç thotë tradita e vjetër: “kemi ardhur me dy këmbë, andaj duhet pirë dy gota”.

Ndërsa sytë më shëtisin nëpër tarracë, një pikëllim i heshtur më kaplon shpirtin. Vërej se oleandri dikur i bukur, pranë të cilit dikur kisha fotografuar Rebekën, nuk është më.Gjithashtu, edhe fiku i vjetër tek shkallët ka nisur të thahet, sikur edhe natyra mbanë zi për atë që mungon.

Në atë heshtje plot kujtime, axha Hajroja çohet nga karrigeja, hyn brenda në shtëpi dhe del pas pak me një libër në dorë. Në ballinë shkruhej thjesht por rëndë: Kujtime. E në kopertinë, duke na shikuar me atë ëmbëlsi të përjetshme, ishte sërish fotografia e Rebekës.

  • A ta kam dhanë këte? – tha axha Hajroja duke u mbajtur me një dorë për shpinëzën e karriges.
  • Jo, – u përgjigja shkurt
  • Çudi!Ja pra, merre.

Heshtje. Nuk pata forcë ta shfletoj librin aty para tyre andaj edhe admiroja forcënqë kishinnë bisedat me kujtimet që më përcillnin nga ditët e lumtura të kaluara me Pllumin, Beben, Beten, Rebeken. Dielli në horizont po shuhej ngadalë, duke lënë pas hijet e para të mbrëmjes dhe aromën e këndëshme të çajit që dukej se mbante ende peshën e fjalëve tona të pathëna. U ndava prej tyre me një mall të fshehur në gjoks, ndërsa ndjenja se disa njerëz nuk largohen kurrë vërtet më bënte të ktheja kokën edhe një herë pas. Kjo nuk ishte thjesht një vizitë për një gotë çaji.Por, ishte një takim i heshtur me kohën, me plagët që mbyllen por kurrë nuk harrohen dhe me dritën e një engjëlli që vazhdon të na vëzhgojë nga lart.

 

U ktheva në shtëpi, por mendja dhe zemra kishin mbetur atje, në atë tarracë ku koha dukej sikur ecte ndryshe. Pas dy-tri ditësh, kur qetësia e shtëpisë më la të mendohem, u struka në kolltukun e dhomës së punës dhe hapa librin që ma kishte dhënë axha Hajroja.

Brenda kapakëve nuk ishte thjesht një libër, por i gjithë botëkuptimi i Rebekës. Aty ishte ditari i saj, shkruar me atë dorë që fshihte një pjekuri të habitshme, dhe albumi me fotografi që ndiqte rrugën e jetës së saj, nga buzëqeshjet e para e deri në çastet e fundit.

Teksa ktheja faqet, më kaploi një ndjenjë e pazakontë butësie dhe dhembjeje. Ishte një engjëllushë e vërtetë, shumë e fortë, kurajoze dhe luftëtare. Në ato faqe gjeta sërish atë që kishim dashur aq shumë: një vajzë që, edhe pse ballafaqohej me sfidat e saja, gjente forcë të jepte këshilla dhe të ngushëllonte nënën e vet. Mbylla librin lehtë, me ndjesinë se disa njerëz nuk largohen kurrë vërtet.Ata thjesht mbeten aty, si një dritë e ngrohtë që na kujton se çfarë do të thotë të duash dhe të jetosh me shpirt.

 

Gusht, 2026

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi

Ulqini dhe Tivari: Një qytet në dy lokacione

Gjeografia dhe historia, e njëjta plastikë e tokës, të njëjtat dhimbje, Mesdheu dhe ëndrrat e mëdha, gjithmonë i kanë lidhur Ulqinin dhe Tivarin. Nëse kësaj lidhjeje i shtohet edhe qëndrueshmëria kohore, e gjithë kjo së