Përshtypje gjatë leximit të librit në dorëshkrim “Det i mirë” të Hajro Ulqinakut
Në Valdanos, në portin natyror të Ulqinit në duar kam librin në dorëshkrim “Det i mirë” të Hajro Ulqinakut të cilin filloj ta lexoj. Pas disa faqesh libri më mbërthen dhe zhytem në botën paralele të jetës së dikurshme të Ulqinit dhe ulqinakëve. Përjetimet i gjasojnë një filmi që po e shohim së bashku.
Kapidan Ahmeti nga kalaja e Ulqinit është në moshë të thyer. I vetëdijshëm për fundin që po i afrohet i kërkon familjarëve që shtratin t’ia zhvendosin afër dritarës që ka pamjen nga deti. Ai kërkon, dëshiron, ta shohë detin sa më shumë dhe përditë. Të kënaq syrin dhe mëndjen me llojllojshmërinë e nuancave të kaltërsisë së thellësisë së tij. Do të jepte çdo gjë të vlefshme vetëm të përjetonte edhe një herë agimin dhe perëndimin e diellit në mes të kësaj kaltërsie të pafund. Kapidani është me fat që ka mundësi ende ta shohë detin.
E sa, e sa detarë tjerë ulqinakë fatkeq kanë humbur jetën thellësive të Adriatikut, Jonit, Mesdheut e në cilin det jo? Sa varre detarësh ulqinakë kemi nëpër tokat e Mesdheut askush nuk di të tregojë. Dhe ja, sot, në duar kam një libër të një ulqinaku me emrin Hajro, i cili na shpalos një copë të historisë, një pjesë të jetës së detarëve ulqinakë, fjalë e thënie të rralla ulqinake për detin dhe lidhur me detin. Shtyllat mbajtëse të librit janë glosat ulqinake. Glosa të cilat kanë të bëjnë me detin, peshkun, barkat, erërat, toponimet e mikrotoponimet. Fjalë dhe fraza të cilat vetëm në Ulqin mund t’i dëgjosh dhe vetëm ulqinakët i kuptojnë. Shumë glosa janë aq arkaike sa që papritur veten e ndjen athua se je kohanik i trimave të Trojës. Autori jo vetëm që ka shënuar dhe ruajtur por edhe na i shpjegon dhe na i bën të kuptueshme në mënyrë që tradita të vazhdohet. Këtu mëson fjalë të vjetra në moshë por të reja për lexuesin. Mëson se sa e vështirë është jeta në det dhe për shumë ndodhí, të bëma e aventura që vetëm detarët e rryer ulqinakë i kanë përjetuar. Jam koshient se është e pamundur të shkruhen të gjitha ngjarjet sepse ujqit e detit shpesh refuzojnë të flasin për ndodhitë e tyre në det. Kodi i detit ata i ka skalitur me urtësi, durim, admirim dhe respekt. Ka edhe të tillë, hokatarë, shakaxhi që edhe i zmadhojnë ngjarjet e bëmat por në fund të fundit të gjithë i përmbahen thënies së vjetër ulqinake Detit i ka hije vala, burrit i ka hije fjala.
Verës në Ulqin, Hajro shijon kafenë e mëngjesit në shoqërinë e detarëve e peshkaxhive nën hijen e rrapit në Ranë.
Në bisedë e sipër kapidan Muzavidi Bilali i thotë: Kush nuk ka frikë detin nuk e din se çka është ai. Dhe me të vërtetë nëse ndalon dhe mendon pak, vëren se në Ulqin sikurse urimet ashtu edhe nëmat i kanë të bëjnë me detin. Nuk e shplan as deti, Vafsh me 1000 sanalla, Hapu det e përpije etj.
Unë e di se Hajro Ulqinaku për të mbledhur këtë nektar deti nga miqt e tij detarë e peshkaxhi se kishte aspak të lehtë. Ai shpesh ishte i detyruar që ata “t’i merrte me të mirë!” Kështu p.sh., shoku i fëmijërisë dhe miku i tij Beto Kashoxha atë “e kushtëzonte”: Një fjalë, një rakí dhe verën pasuese pazari rritej: Dy fjalë, dy rakí.
Derisa peshkaxhitë ngadalë kthehen nga gjonja, barkat u pluskojnë lehtë në detin e qetë, kërrnjallat kaherë kishin filluar këngën e tyre, dielli synonte zenitin kurse nga tavolina tjetër kapidan Shaqir Peku i jep Hajros edhe një margaritar Bane një të mirë e hidhe në det. Ai gjithmonë është i hapur dhe dëshiron të flasë për ndodhitë e vet në det andaj edhe shpesh-herë lëshon perla që Hajroja me nxitim i shënon në copëzat e letrave që merr nga blloku i shënimeve të kamarierit. Një të tillë, copë flete, Hajroja, e ruan me fanatizëm. Në te ka të vizatuar peshkun dhe emrin në gjuhën shqipe. Ja, pra, secili prej nesh kërkon të mbledhë trofé të ndryshme, e ky, pra është trofeu i Hajro Ulqinakut fituar nga një kamarier ulqinak.
Mbledhja e këtij nektari në të nxetin e verës zakonisht kalohej me shoqëri të mirë, duke kapë muhabete kapidanash kështu një ditë kur kapidan Maksut Tivari ishte kthyer nga seferi shokët e pyetën A ke ardhë me men(d) a pa men(d)? Ai po ashtu me humor u përgjigjet Me mend, me mend sepse unë kam përvjel mëngët, kam punuar dhe traditën kam krijuar – fituar.
Kapidan Deni – Skënder Nimanbegu edhe pse me traditë lundrimi dhe gradë kapidanit të anijes në një moment vendosi ta braktisë dashurinë e tij me detin dhe tani në kafenenë e peshkaxhive i tregon Hajros për rreziqet që ka përjetuar nëpër vijaxho. I tregon se si i ka ndodhë që në mes të furtunës së madhe në mes të detit t’ia shpërndajë ekuipazhit matrikullat (librezat detare) sepse nuk ka besuar se anija do t’i bëjë ballë motit të keq, dhe nëse mbyten që të jetë e mundshme identifikimi i tyre. Mirëpo momenti i marrjes së vendimit për i braktisjen e lundrimit me vapore ishte ai kur fëmija i tij nuk e ka njohur me rastin e kthimit në shtëpi nga lundrimi i gjatë. Dhe duke ofsharë thotë: Deti është arë që nuk livrohet. Deti nep bukë me nandë korca.
– Ashtu është, – ia pret kapidan Nazif Shabani i cili poashtu tërë jetën e ka kaluar si njeriu i parë përgjegjës i motorit të vaporit dhe shton: Barka në tallaz, si shega tuj plas dhe detarët e vërtetë e dinë se Barka e deti kurr nuk shahen.
Edhe autorit të këtyre rreshtave i kujtohet nga fëmijëria kur anijet tejoqeanike thenin rrugën përgjatë vijës së horizontit atje larg në det dhe vinin e i afroheshin bregut për të lundruar sa më pranë kalasë së Ulqinit. Atëherë binte buria e anijes dhe çdo ulqinak e kuptonte përshëndetjen e kapidanit – detarit ulqinak që gjendej aty si pjesë e ekuipazhit.
E vërtetë është që sot këto buri bien më pak apo thënë shkurt aspak, por që ulqinakët ende lundrojnë është fakt.
Peshkaxhitë tashmë kishin lidhur sanallat në Njalli, zbarkuan plaçkat dhe peshkun…
Kapidanat çohen dhe i afrohen peshkut. Bahri Dema tregon peshqit: arava, korba, gushtaku, pastra, lemçja, shojza. Gushtaku është pataricë, shton Hashim Dervishi dhe lavdëron shkujkën se ka kryer mirë detyrën.
Peshkatarët e ndanë peshkun në mole, në tokë, në grumbuj, paje – hise të barabarta. Peshkun e blejnë sa çel e mbyll sytë dhe të gjithë u kthyen në vendet e veta ku ishin në Kafen e Peshkaxhive. Hajro Nimanbegu dëshiron të kontribuoj me thënie ulqinake andaj i afrohet shkrimtarit dhe i thotë të shënoj edhe këtë: “Ulqinakët s’kanë thënë me xanë peshk, por me marrë peshk, sepse peshk ka pasur aq shumë, saqë peshkatari ka marrë peshk aq sa ka dashtë…”
Dorëshkrimin “Det i mirë” të Hajro Ulqinakut e lexova me një frymë në ballkonin natyror të ullinjve përmbi detin e Valdanosit. Duke lexuar këtë libër mu dha mundësia që të lundroj në anijen e kujtimeve së bashku me kapidanat dhe peshkaxhitë ulqinakë që kam njohur dikur e që të njejtët i gjeta këtu në këtë libër duke më biseduar përmes shënimeve që ka mbajtur Hajro Ulqinaku.
Befas dhe padashje më rrodhën disa pikë loti të cilat ranë në det dhe ashtu kontribuan në shtimin e tij. Ishin këto pika loti malli për njerëzit që kam njohur dikur e që nuk janë më mes nesh por që ende jetojnë dhe frymojnë përmes këtij dhe librave tjerë të Hajro Ulqinakut. Një porosi universale për detin nga ana ime do ishte: Respektoni detin sepse kurrë nuk mund të jeni më të fuqishëm se ai.








