Gazmend Çitaku: “Shqiptarët dhe sfidat e tranzicionit”, libri i ri i Qani Osmanit

Kohë më parë, në Ulqin, nga shtypi doli libri “Shqiptarët dhe sfidat e tranzicionit” me autor Qani Osmanin. Ky është një libër sa unik aqë edhe shumë i vlefshëm si përnga përmbajtja ashtu edhe përnga fusha të cilës i takon. Në fushën e shkencave shoqërore, sociologjia është një lëmi e cila vazhdimisht është në zhvillim. Ajo merret me studimin e sjelljes shoqërore dhe shoqërisë në tërësi. Te ne në Ballkan e veçanërisht në shoqërinë tonë shqiptare, këso tekstesh dhe veçanërisht libra janë deficitare edhepse ato në ditët e sotme paraqesin një material i cili është burim shumë i rëndësishëm për të gjithë ne e në veçanti për studentët.

Qani Osmani me vështrimet, opinionet dhe analizat e thukëta në librat e tij të deritanishëm, kurse “Shqiptarët dhe sfidat e tranzicionit” është i pesti me radhë, na mundëson që të njohim, kuptojmë dhe përballemi me mekanizmat e fenomeneve shoqërore të cilat na ndodhin çdo ditë. Njohja dhe përballja me problematikën e tillë shoqërore, ne si lexues mund të ndikojë në ngritjen e vetëdijës dhe të kontribuojmë më shumë në jetën e komunitetit dhe me iniciativën tonë të avancojm kualitetin e jetës shoqërore dhe sociale në komunitet e kjo është edhe ajo që Qaniu transmeton përmes opinioneve dhe analizave në librat e tij.

Qani Osmani është njohës shumë i mirë dhe preciz i realitetit ku jetojmë. Ai përmes qëndrimeve të veta të paraqitura në shkrimet që i boton në shtypin e vetëm në gjuhën shqipe në Mal të Zi, “Kohën javore” por edhe në portalet në rajon, na bën me dije se është plotësisht kompetent (ka njohuri dhe aftësi) të na transmetojë mesazhet e nevojshme sociologjike për pjesëmarrje dinjitoze në jetën e përditëshme në një shoqëri multikulturore dhe multikonfesionale. I vetëdijshëm se nuk jetojmë në shoqëri të përkryera demokratike (por në një tranzicion të tejzgjatur), Qaniu mundohet të na përcjell edhe mesazhet se si duhet të përballemi me sfidat e shumta të mikro shoqërisë tonë ku jetojmë e pastaj edhe të atyre globale.
“Tranzicioni është një proces i transformimit të një sistemi nga një sistem i mëparshëm dhe si tillë apriori nënkupton edhe aspektin politik, ekonomik, social dhe kulturor. Shoqëria shqiptare në përgjithësi akoma nuk e ka kaluar këtë periudhë dhe ndoshta është një ndër ato shoqëritë ku ky proces është tejzgjatur ndoshta edhe si rezultat i shumë faktorëve, qofshin ata politikë, ekonomikë apo socialë. Prandaj, shpërfaqja e një sërë fenomenesh sociale të cilat kanë atakuar individin dhe identitetin e tij, komunitetin dhe shoqërinë, ka dhënë një sinjal se ka një sërë dilemash të cilat janë shpërfaqur nga ky tranzicion dhe si i tillë është duke e sfiduar shoqërinë shqiptare në përgjithësi.” [fq.12]

Duke i takuar edhe fushës së mediave, Qaniu e di se procesi i komunikimit nuk është më i thjeshtë si dikur, linear (dërguesi e krijon, rregullon dhe ia paraqet marrësit). Sot marrësi nuk është më pasiv, sot informatat janë shumë të qasshme dhe të llojllojta nga mediume të ndryshme andaj edhe transparenca dhe besueshmëria duhet të jetë e pakontestueshme e këtë shkrimet e Qaniut e kanë thelbësore.
“Meqenëse edukimi medial synon vetëdijesimin e publikut rreth medias dhe informacionit, pra aftësinë e publikut për t’i vlerësuar përmbajtjet mediale me të cilat përballet rregullisht, atëherë mungesa e një shkathtësie të tillë mund të konsiderohet si analfabetizëm në kohën në të cilën po jetojmë. Sot, si kurrë më parë, shumicën e kohës e kalojmë duke lundruar në media të ndryshme, kryesisht nëpërmjet “telefonit të mençur”. Kjo ndërfutje e mediave të ndryshme në jetën tonë të përditshme, e ka bërë shumë më komplekse botën në të cilën jetojmë. Si rezultat i kësaj, edukimi medial, si mbjellje e aftësive për të aplikuar njohuritë e të menduarit kritik në mediat te të cilat kemi qasje të vazhdueshme, është bërë domosdoshmëri e kohës”. [fq.233]
Duke filluar leximin e librit më të ri të Qaniut nuk mund e të mos pajtohesh edhe me recenzetin e librit, Ali Salaj i cili thotë: “Struktura e librit është mjaft e thukët dhe koncize, ndërsa autori me një stil të jashtëzakonshëm dhe të drejtpërdrejtë, në formë tejet të kuptueshme për lexuesin dhe tejet të rrjedhshme, prek thelbin e problemeve që i përket gati secilit qytetar shqiptar. Ky libër gëlon me shqetësime verbale, por edhe me kombinime të natyrave të ndryshme të mjeshtërisë origjinale.”
Libri “Shqiptarët dhe sfidat e tranzicionit” përmban tridhjetë e pesë opinione, studime, artikuj, ese dhe analiza që prekin aspektin e interesit nacional shqiptar dhe më gjerë. Ka 236 faqe dhe punë të lavdërueshme kanë bërë redaktori i librit dr. Nail Draga. Recensent i librit Ali Salaj, lektorimin gjuhsorë e ka bërë Lindita Dinosha kurse është shtypur në Cetinë. Ky është libri i pestë i Qani Osmanit dhe është botuar me ndihmën e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave në Mal të Zi.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi